Kuvendi i Shqipërisë

Debate në Kuvend për moratoriumin e gjuetisë/ Deputetët e opozitës akuzojnë qeverinë: E bëni që të mos zbulohen parcelat me drogë

21 Korrik 2022, 21:38| Përditesimi: 21 Korrik 2022, 22:20

  • Share

"Shpallja e moratoriumit të gjuetisë" është projektligji që është shoqëruar me debate në Kuvendin e Shqipërisë. Në projektligj theksohet se duhet të ndalohet ushtrimi i aktivitetit të gjuetisë, me qëllim përmirësimin e gjendjes së llojeve të faunës së egër, objekt gjuetie. Këtë e ka kundërshtuar opozita. Një pjesë e deputetëve hodhën akuza ndaj qeverisë se kërkon ta bëjë këtë që të mos zbulohen parcelat me drogë nga gjuetarët dhe do të binte teza e qeverisë për luftën ndaj kanabisit.

"Nuk ka më as çifte bam, as zagarë ham, por vetëm hashash me nam", tha deputeti Saimir Korreshi. Edhe Luan Baçi hdodhi akuza se gjithçka bëhet për të shmangur zbulimin e parcelave me bimë narkotike të kultivuar në vendin tonë. Ndër të tjera, deputetët e opozitës nuk hezituan të përmendnin edhe atentatin e fundit në vend, vrasjen e 3 të rinjve në mbikalimin e Fushë-Krujës duke thënë se vriten njerëzit në mes të ditës dhe atentatorët nuk duan t'ia dinë aspak për ligjet për zogjtë. 

"Pyet njeri nga këta që vrasin njerëz për moratoriumin e qeverisë që ndalon të vrasin zogj. Policia nuk zbardh as krimet pasi ndodhin, por si agjenci funeralesh thotë u dogj makina aty dhe u vra ky filani aty", tha deputeti Salianji.

Nga ana tjetër, nuk mungoi debati i deputetes së PD Ina Zhupa me ministren e Turizmit Mirela Kumbaro. Ishte deputetja demokrate që akuzoi ministren e Turizmit, Mirela Kumbaro, se shkel gjithmonë Kushtetutën dhe ligjin. Ndërsa Kumbaro nuk hezitoi t'i përgjigjej duke i thënë se qan hallin e studentëve që kanë pedagoge Zhupën.

Ora 23:12
Kuvend/ Miratohet me 80 vota pro projektligji “Për shpalljen e moratoriumit të gjuetisë"

1658438026_kuvenddd.jpg

Është miratuar në Kuvend me 80 vota pro, kundër 45, abstenim 1 projektligji “Për shpalljen e moratoriumit të gjuetisë" në Republikën e Shqipërisë.

Ora 21:40
Ligji për moratoriumin e gjuetisë, Flutura Açka: Është një lëvizje për të fshehur parcelat e hashashit, për tu dukur bukur para Evropës

1658432635_flutura.jpg

Në Kuvend po diskutohet ligji për moratoriumin e gjuetis, deputetja e Partisë Demokratike Flutura Açka, e ka cilësuar si një lëvizje e qeverisë për të fshehur parcelat e hashashit.

Sipas deputetes Açka ky ligj është bërë për të ‘dalë bukur’ para Europës.

“Nuk po flas për shpërthimit për krap në Shkodër që shpesh mbështeten edhe nga policia se u hapet ndonjë ngjalë, nuk po flas as për gjahtarët italianë që hynin si në shtëpi të tyre që organizoheshin nga një familjari i një eksponenti lartë i partisë tuaj.

Zogjve u shpëtuan puplat vetëm kur ky familjar i la puplat kësaj bote.
Një moratorium që mbron mjedisin është mrekulli, por prej jush nuk e pranoj dot. Mjafton të kujtoj kodrën që po gërryhet me tërbim në rreth rrugës për në Elbasan.

Po ta kishit merak gjuetinë do të nxitonit të bënit një ligj të mirë, nuk do të llogarisni turistë që shtohen nga veprimtari a e këtij ligji, ato të zonave të mbrojtura.

Pas këshillimit publik që morët leje për kanabisin mjekësore e patë të nevojshme të zgjasnit edhe ndalesën. Pallavra më e madhe.

Pse e bëni ligjin kur në 2014 keni gjobitur 30 persona, në 2019-ën 12 e në 2020 vetëm 4 persona. Pra keni rekorde shumë të mira, ose nuk keni bërë punë fare…

Ligji është bërë vetëm për vete dhe miqtë tuaj për të dalë bukur para Europës dhe ngastrat tuaj të kanabisit të mos bien shumë në sy e të mos mundoheni ti ruani. Një shtet që nuk siguron mirëqenie për njeriun si do jetë habitat për zogj e kafshë.

A ka politikë më të mbrapshtë mjedisore se të shpopullosh vendin? Ju e keni bërë se jau keni nxirë Shqipërinë shqiptarëve. Ndalesa, privimi mos lejimi është politika juaj. ju nuk kontrolloni territorin, ju e zhvasni e shqyeni sepse sipas jush është i juaji jo i brezave që vijnë për të cilët nuk keni pikë mëshire e empatie”, është shprehur ajo.

 

Ora 21:29
'Shkel Kushtetutën me çdo veprim që bën', Kumbaro debat me Zhupën: Qaj hallin e studentëve që të kanë pedagoge

 

Në Kuvend nuk ndalen debatet për vendimin për kafshët e egra. Deputetja Ina Zhupa akuzoi ministren e Turizmit, Mirela Kumbaro, se shkel gjithmonë Kushtetutën dhe ligjin. Ndërsa Kumbaro nuk hezitoi t'i përgjigjej duke i thënë se qan hallin e studentëve që kanë pedagoge Zhupën.

Debati në Kuvend

"Mirela Kumbaro është një garanci, që gjithmonë do të ketë një shkelje kushtetuese në çdo veprim që bën. E ka treguar në çdo dikaster, që arrin të shkelë Kushtetutën, të shkelë Ligjin, arrin të bëjë atë që nuk e mendon njeri se mund ta bëjë. Është shumë mirë në kostumin e shkeljes së Kushtetutës. Nëse do t’i kishte përzemër organizatat joqeveritare që merren me mbrojtjen e kafshëve të egra, me siguri nuk do ta kishin ndërtuar Aeroportin e Vlorës në një zonë, ku shfarosin aq shumë shpendë të rralla. Po bëni masakër", tha Zhupa.

"Ç'të të them, ishte .. po dale mo dale se u përpoqa të përmblidhja 3 mesazhe. Një përçartje e kuptoj pas një ditë të gjatë edhe mund të jeni lodhur, po pa kryefjalë, pa kundrinorë pa sintaksë pa morfologji, më mori malli për kohën kur isha pedagoge dhe mundohesha të gjeja një cep për t’i dhënë studentëve një notë më të mirë. Por nuk e gjeta se ishte një përçartje totale. Meqë ke qenë edhe pedagoge, je pedagoge problemi nuk e kam tek banaliteti i fjalës, kur banalizohet fjala bëjmë të gjithë si ekspertë, zoologë, të hidrologjisë, detit, malit, fushës, satelitëve. Thjeshtë qaj hallin e studentëve që ju kanë pedagoge", tha Kumbaro.

Ora 21:24
Salianji në Kuvend: Këta që vrasin njerëz nuk pyesin për për moratoriumin e qeverisë që ndalon vrasjen e zogjve

 

Në Kuvend ku po zhvillohen diskutime në lidhje me moratoriumin e gjuetisë së kafshëve. 

Deputeti Ervin Salianji u shpreh se shqetësim real është që të ndalohet “gjuetia”e njerëzve.

 “Në rrugën dhe aksin kryesor të veriut, vriten tre të rinj. Të cilëve nuk dua t’i hyj problemeve që kanë me ligjin, por janë probleme që lindin për shkak të politikave. Qeveria nuk jep një mesazh, pavarësisht se ngjarja është e kësaj jave. E kam thënë dhe njëherë. Ç’është ky shtet që banditët gjejnë njëri-tjetrin dhe nuk i gjen dot qeveria. Nuk i gjen dot qeveria, apo ka korrupsion. Të gjithë emrat që përfliten në kronikën e zezë, janë emrat që ne i kemi përmendur si njerëz të përfshirë në një veprimtari kriminale. Në shitblerje votash. Çdo person që del në kronikën e zezë në Shqipëri, mbledhin vota për PS-në. Në këtë sallë, njerëzit më të mbrojtur, me vrasjet sikur të kenë ushtri, mund t’i vendosin objektiv çdo njeriu. Kjo është gjuetia e njeriut.

Të bëhemi bashkë dhe të ndalojmë gjuetinë e njerëzve. Duke ndëshkuar dhe duke dhënë mesazh. Duke çliruar mijëra punonjës të policisë së shtetit që janë nën kërcënimin e bandave që ulen dhe hanë e pijnë me përfaqësues të PS-së. Monopolet i kanë ata. Pyet njeri nga këta që vrasin njerëz për moratoriumin e qeverisë që ndalon të vrasin zogj. Policia nuk zbardh as krimet pasi ndodhin, por si agjenci funeralesh thotë u dogj makina aty dhe u vra ky filani aty. Identifikimin e bëjnë më shpejt mediat se policia. Padiskutim, edhe çelja e negociatave është për shkak të qëndrimit gjeopolitik, duhet përshëndetur deklarata e Sekretarit amerikan të SHBA-së. Nëse do ishte për shkak të Shqipërisë, do hapej shampanja në mënyrë të përditshme”, tha Salianji.

 

Ora 21:17
Korreshi në Kuvend: Këtu kërcet kallashi ditën për diell! Nuk ka më as çifte bam, as zagarë ham, por vetëm hashash me nam

 

Deputeti demokrat, Saimir Korreshi ka folur në Kuvend për projektligjin “Për shpalljen e moratoriumit të gjuetisë në Republikën e Shqipërisë" duke mos kursyer ironinë ndaj qeverisë.

"Nuk ka më as çifte bam, as zagarë ham" është shprehja që përdor ndërsa shton se ka vetëm hashash me nam. Deputeti Korreshi shtoi se qeverisë nunk i dhimben njerëzit sepse po vriten në ditën me diell dhe për këtë duket se i referohet rastit të fundit kur 3 të rinj u vranë në mbikalimin e Fushë-Krujës.  

 “Shpresoj që me veshjet me pantallona të shkurtra, e shapka me gisht, të keni mundësi të na ndiqni edhe ju që keni shkuar me pushime në plazh. Ministrja foli, por më mori vajza 3 vjet e gjysmë dhe më tha “sa mirë i tregonte përrallat ajo teta”. Nuk ka më as çifte bam, as zagarë ham, por vetëm hashash me nam. E them kështu, sepse ju vendosni vetë çdo gjë, nuk pyesni asnjë lloj kategorie, as ekspertë të kësaj fushe, ju i bëni sipas interesit tuaj.

Por, komunistët dhe servilët e partisë, s’e kanë ndaluar asnjëherë. Këtu o zotëri kërcet kallashi ditën për diell, sepse qeverisë juaj nuk i dhimbsen njerëzit, por i dhimbsen rosat, patat e harabelat. Çfarë po bëni o burri i dheut. Keni 10 vite, ku ka deputetë të PS që kërcasin dyfeni mëngjes për mëngjes. Nuk keni bërë asnjë gjë”, u shpreh deputeti.

Komento

Komente

  • Qytetar: 22/07/2022 08:54

    Nuk e kuptoj si dreqin votojne kunder ligjit per mbrojtjen e kafsheve. Ku jane keto shoqatat animsliste qe nuk thone asnje fjale?? Kaq shpellare jane deputetet qe votuan kundra?

    Përgjigju
  • fieraku: 22/07/2022 01:47

    C'JANE keta budallenj ne parlament,,,ne lushnje keta korreshet i njohin per fis budallenjsh....////

    Përgjigju
  • Termeti: 21/07/2022 23:14

    Falë monitorimit të gjuetise ne Shqipëri janë shtuar kafshët dhe shpendet. Kohë më parë vinin gjuetarë nga jashtë sidomos nga Italia dhe vrisnin jo vetem kafshe dhe shpend por c’do gje te gjalle ne pyje fusha dhe lugina. Mos e lejoni edhe per ca kohe.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?