TIRANË- Ndryshe nga sa dukej në ditët e kaluara për një interes për Agjencinë për Mbikëqyrjen Policore nga ana e opozitës, kjo u la në plan të dytë në Komisionin e Sigurisë Kombëtare.
Deputetët e opozitës i kërkuan ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, informacione mbi vrasjet e regjistruara në vend dhe rastet në rritje të grabitjeve.
Xhaferraj: Dy ngjarje të rënda në Fier e Fushë Krujë, familjarët u shprehën se s‘kanë besim te Policia. Drejtori i Policisë e ka filluar shumë keq, rokadë qarkullimi drejtuesve të policisë. Ata ndëshkohen, promovohet apo shkarkohet për punë të dobët. “Vaji i kandilit“ tregon përçmimin, përbuzje, arrogancë për çdo punonjës policie. Kërkoni ndjesë.
Baçi: Është vrarë një biznesmen, shërbimi policor nuk ka reaguar, madje në Fier flitet se ata janë fshehur teksa ishin prezent në një krim makabër. Është hetuar nga SHÇBA dhe cilat janë hetimet?
Salianji: Mospërgjigjia ndaj shqetësimeve të deputetëve tregon se Çuçi nuk e ka nën kontroll ministrinë. Është papërgjegjshmëri, pasi s'ka pasur asnjë qëndrim nga ministri apo Policia e Shtetit për ngjarje të tilla. Ka frikë t'i përgjigjet shqetësimeve të opozitës.
Noka: Për vrasjet, opinioni publik është tronditur. S'ka siguri dhe s'ka besim te strukturat e policisë. Policia është zhytur në krim, drogë e batak. Agjencia që ju doni të ngrini, mund të kriminalizohet për shkak të vullnetit politik siç u kriminalizua edhe SHÇBA. Qarkullimi i titullarëve, edhe pse kanë dosje sa një mal të përfshirë në krim, afera, trafik. Ata riciklohen nëpër disa drejtori. Ju ose keni rezauruar kapacitetet në polici ose kupola e saj është e inkriminuar dhe ju mundoheni të thoni “Ky është më pak e ai është më shumë“. Kjo është alarmante. Kupola e Policisë duhet shkrirë e rifomratuar, pasi është e zhytur në batak.
Por, deputetët e Partisë Demokratike, nuk morën përgjigjet që kërkuan. Shkurt, ministri nuk dha asnjë koment mbi ngjarjet kriminale.
“Nuk kam koment, pasi nuk ka lidhje me projektligjin”, deklaroi ministri.
Ministri Çuçi prezantoi në komision projektligjin për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore. Pak ditë më parë në Komisionin e Ligjeve opozita kërkoi praninë e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano. AMP do të zëvendësoj SHÇBA-në dhe do të ketë dukshëm më shumë kompetenca. Agjencia do të ketë rol në inspektimin, shqyrtimin dhe trajtimin e ankesave, procesin e Vetingut në polici si dhe verifikimin e punonjësve mbi plotësimin e kushteve për pajisjen me certifikatë sigurie. AMP-ja do të ketë në bazë të saj edhe përdorimin e testit të poligrafit, i cili në vendin tonë është përdorur për kandidatët për drejtues dhe hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit.