Ndryshe nga sa është vendosur në Konferencën e Kryetarëve të datës 29 Maj, mazhoranca kërkon që të mos ketë seancë parlamentare më 12 qershor.
Kjo çështje ka qenë edhe qendra e diskutimit dhe debateve sot (9 qershor) në mbledhjen e radhës të Konferencës së Kryetarëve.
Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi, pati diskutim me kryetaren Elisa Spiropali
“Ti rruga e mbarë për atje ku do të jesh në datën 12. I ke dhënë zgjidhje problemeve në Shqipëri, shko e zgjidh konfliktin në Ukrainë. Nuk ka asnjë arsye për të shtyrë seancën e Kuvendit. S’ka asnjë arsye të shtyhet seanca nga data 12, për në datën 16, sepse kjo është miratuar nga Konferenca e Kryetarëve. Kuvendi nuk është pronë dhe plaçkë e juaj, siç keni tentuar ta trajtoni në kohët e fundit”, tha ai.
Edhe Jorida Tabaku lëshoi kritika të forta ndaj kryeparlamentares.
“Do doja të ngrija një shqetësim për një deklaratë tënden të para disa ditëve për çështjet e integrimit. Gjuha juaj ishte ndarëse dhe përçmuese ndaj kundërshtarit. Foltorja e Kuvendit nuk mund të përdoret për këtë gjuhë. Kjo nuk është gjuha që kërkon intergimi. Më vjen keq të them, por që kur ju keni marrë drejtimin e Kuvendit, kemi bërë hapa pas në Këshillin e Integrimit por edhe në Komisionin e Posaçëm, e më pas në procesin elektoral. Nuk i keni kryer detyrat. Zgjedhjet janë kriteri dhe kushti i parë në gjitha raportet dhe detyrat, që kërkohen për procesin e integrimit. E ky kriter u shkel në zgjedhjet e fundit”, u shpreh ajo.
Konferenca shqyrtoi projektprogramin e punimeve të Kuvendit për periudhën 19 qershor-8 korrik 2025 dhe projektkalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 19 qershor-8 korrik 2025. Pas diskutimeve, Konferenca e Kryetarëve nuk arriti dakordësi dhe çështja i kaloi për votim seancës plenare.
Komente
