Debatet e Hekuran Isait në Byro: Kadri, po të kishim në qendrën e UDB-së njeriun tonë, të na jepte gjithë agjenturën jugosllave në Shqipëri, do të ishte një fitore kolosale

24 Nëntor 2022, 07:56| Përditesimi: 24 Nëntor 2022, 08:00

  • Share

Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin vitit 1982, ku ndodhet një dosje me relacione, raporte, udhëzime, informacione, letra, proces-verbale mbledhjesh të Byrosë Politike, Sekretariatit të Komitetit Qendror, etj., lidhur me “veprimtarinë armiqësore” të anëtarit të Byrosë Politike dhe ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, si dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, si: Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Zoi Themeli, etj., të cilët u akuzuan nga Enver Hoxha, si “bashkëpunëtorët kryesorë të poli-agjentit Mehmet Shehu”.

Në dosjen në fjalë, ndodhet edhe një dokument me autokritikën e Kadri Hazbiut, e cila mban datën 27 shtator 1982, dërguar Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me “punën e tij të dobët në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe mungesën e vigjilencës, për mos zbulimin e grupeve armiqësore, të cilat të gjitha i kishte zbuluar partia dhe shoku Enver”. Në këtë dokument, ish-kreu i Ministrisë së Brendshme, shkruan: “Aty nga fillimi i shtatorit kur isha duke u qethur, më vjen një shofer që punon me linjat e transportit me jashtë e më thotë se, duke u kthyer nga jashtë, shoferët i kishin folur keq për fatin tim. Nuk e pyeta se çfarë i kishin thënë, por i thashë që të shkonte e ta raportonte aty ku duhej.

Ai, shtoi më hollësisht se kishte folur me shoqëruesin që rri me mua, që dhe këtë e porosita që të raportonte. Ai më tha se e kishte bërë këtë gjë. Nuk e di se për këtë rast i kam thënë apo jo, shokut Hekuran. Mbas disa ditësh kur u ktheva nga një shërbim 3-4 ditor, në familjen time për të parën herë më thanë, se po na marrin në telefon e të tjera, në takime pyesin për ty, ku je e si je, sepse kemi dëgjuar gjëra jo të mira, sikur ne jemi arratisur familjarisht jashtë shtetit, sikur unë jam shkarkuar nga detyra si Ministër i Mbrojtjes, etj. Ju thashë se kushdo që pyet për ne, ju thoni jemi mirë dhe mos u fusni më tej në muhabete. Theksoj se këto gjëra janë përhapur aq shumë saqë edhe një punëtore nga ato që shërben në familjen time, u largua pa pritur, se me mua e me familjen time, diçka po ndodh. Të gjitha këto gjëra, ja kam thënë shokut Ramiz, bashkë me mendimin tim se s’po luftohet aq sa duhet kundër këtyre parullave të dëmshme dhe se ato në radhë të parë, po përhapen nga Tirana”.

Po kështu në dokumentin në fjalë ndodhet gjithashtu edhe prces-verbali i mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më datën 8 tetor 1982, ku është marrë në analizë “veprimtaria armiqësore e Kadri Hazbiut” që nga periudha e pas luftës kur ai ishte në funksionin e Shefit të Sigurimit të Ushtrisë, gjë e cila ka sjellë debate të ashpra, ata diskutuan të gjithë, duke filluar nga: Adil Çarçani, Hekuran Isai, Simon Stefani, Manush Myftiu, Rita Marko, Prokop Murra, Foto Çami, Lenka Çuko, Pali Miska, Besnik Bekteshi, Muho Asllani dhe Llambi Gegprifti. Madje debatet dhe tonet e forta në atë mbledhje, nuk kanë munguar edhe në mes Enver Hoxhës dhe Kadri Hazbiut, të cilat kanë vazhduar gjatë gjithë mbledhjes, prej disa seancash. Por për më shumë rreth këtyre, na njeh dokumenti, që për herë të parë publikohet nga Memorie.al.

Dokumenti me proces-verbalin e mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 8 tetor 1982, ku u muarr në analizë “veprimtaria armiqësore” e Kadri Hazbiut

PARTIA E PUNËS SË SHQIPËRISË                                                TEPËR SEKRET

KOMITETI QENDROR

                                                        PROCES-VERBAL

I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MË 8 TETOR 1982

        Rendi i ditës:

Diskutim mbi fjalët e rënda të shokut Kadri Hazbiu

Miratimi i raportit mbi transportin për në plenum

Në mbledhje janë të pranishëm të gjithë anëtarët e Byrosë Politike.

                  ZHVILLIMI I MBLEDHJES

Mbledhjen e hapi dhe e drejtoi, sekretari i parë i Komitetit Qendror të PPSh-së, shoku Enver Hoxha.

Diskutim mbi fajet e rënda të shokut Kadri Hazbiu.

SHOKU HEKURAN ISAI: Edhe kjo është e shkruar. Ti shoku Kadri, na ke këshilluar që të kishim kujdes nga sugjestionimi. Kjo vërejtje në përgjithësi është e drejtë dhe parimore. Nga ana tjetër ti, na ke përmendur disa kuadro që ti kishim kujdes, sepse kanë qenë afër këtij apo afër atij, se mund të ishin kështu e mund të ishin ashtu, me një fjalë të mos bënim seleksionim të kuadrove të Ministrisë së Punëve të Brendshme sipas teje. Nga ana tjetër, na përmend e na sugjestionon disa kuadro, të cilët mund të kenë të meta në punë, po që mund të mos jenë të lidhur me veprimtari armiqësore.

A nuk është kjo një kontradiktë për problemin e sugjestionimit?! Ndihma që më ke dhënë ti si ish Ministër i Punëve të Brendshme me një përvojë të gjatë, si i ri që isha, është krejt e përciptë. Ti nuk afroheshe fare përpara këtyre problemeve të mëdha që shtron sot Byroja Politike dhe që dalin përpara për zgjidhje. Ndoshta nuk kam ditur dhe unë sesi të ta kërkoja këtë ndihmë, por ti nuk më ke dhënë asgjë për çështjen e agjenturës, siç shtrohet sot. Ne e kemi trajtuar problemin e agjenturës me sovjetikët, duhet të më thoje mua si ministër i ri që isha, prandaj, eja t’i futemi tani këtij sektori me rëndësi.

Unë bëj autokritikë që nuk e kam bërë këtë, kurse tani ne duhet t’i futemi punës për të zbuluar se sa kemi në ushtri, dhe në çfarë vendesh i kemi, pale ç’kanë bërë me ta sovjetikët dhe që ne nuk dimë asgjë, veç këtyre që u thanë. Jo, ky problem nuk më është shtruar mua nga ana jote. Mua më është thënë nga ty, që të shikohet se pse iku Teme Sejko, të pyetet këtu në hetuesi e të pyetet atje, kështu për këto gjëra të tilla më ke folur. Në autokritikë thua se kam punuar natë e ditë, në hetimin e veprimtarisë së puçistëve.

Atëherë përse akuzohet vetëm Feçor Shehu për manipulim?! Këtu mendoj unë, nuk ka vetëm mungesë vigjilence tek ty. Në autokritikë, thua gjithashtu se po të ishte gjallë shoku Hysni, shumë çështje do të ishin sqaruar. Unë e bëra të qartë dhe gjatë ndërhyrjeve të mia se kjo përpjekje që po bën ti është parimisht e gabuar, është mosbesim ndaj Byrosë Politike dhe kjo, po bëhet me shumë djallëzi nga ana jote, kurse unë mendoj dhe jam i bindur se po të ishte gjallë shoku Hysni, asaj që ka shkruar në atë letër, nuk do t’i ndryshonte asnjë presje. Jo vetëm kaq, por mendoj se Kadriu duhet të ketë kujdes në përpunimin e opinionit, sikur po të ishte gjallë Hysni Kapo, puna do ishte ndryshe sipas tij. Ti nuk je “viktimë” e asaj që nuk rron shoku Hysni.

SHOKU ENVER HOXHA: Ashtu është, e drejtë Hekuran.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po unë, nuk e thashë kështu.

SHOKU HEKURAN ISAI: Ajo që tha shoku Manush, është e drejtë. Shoku Kadri nuk e analizon problemin në kompleks por e merr individualisht. Nuk e merr si kompleks të veprimtarisë armiqësore në tërësi e në vazhdimësi, nuk e merr çështjen e dëmit që i ka sjellë Ministrisë së Punëve të Brendshme veprimtaria armiqësore, dhe ti kërkojë Byrosë Politike që çështjen e tij le ta gjykojë ajo. Po unë po ju paraqes këtu një raport që kjo veprimtari armiqësore në këtë ministri, ka sjellë këto apo ato pasoja.

Shoku Kadri, nuk e bën këtë analizë siç e tha shoku Manush. Unë mendoj që pasojat e veprimtarisë armiqësore të zhvilluar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, janë nga më të rrezikshmet që ka parë ndonjëherë Partia. Kjo ministri, ka qenë e uzurpuar nga armiq. Mund të jetë pak e thellë kjo fjalë, por realiteti kështu është, që ajo ka qenë e manipuluar gjithnjë nga armiqtë. Përsa i përket sukseseve të arritura në këtë dikaster, këto janë si rezultat i punës së komunistëve. Se edhe atje ka punuar Partia dhe shumë kuadro nuk kanë lejuar që të punohej haptazi nga armiqtë kundër vijës së saj. Sepse dhe atje, shumica e tyre, sidomos kuadri i mesëm dhe ai i ulët, kanë punuar me devotshmëri pa e ditur se ç’bënin armiqtë në krye të dikasterit.

Tani çështja së pari qëndron këtu që gjithë këto manipulime, gjithë këto raporte që u janë dhënë të huajve, as i janë dhënë dhe as ju është thënë për to Komitetit Qendror. E them me plot bindje se në këtë ministri, dyert për armiqtë tanë kanë qenë të hapura nga ty, nga Feçor Shehu, dhe armiq të tjerë. Pavarësisht se kush i mbylli dyert, ti, Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Zoi Themeli, Llambi Peçini, Halim Xhelo, Panajot Plaku, Çerçiz Xhelo, Elham Gjika, etj., është fakt që për shumë çështje nga ty atje, i është mbyllur dera Partisë.

Platformën e Sigurimit të Shtetit, besoj edhe sot e kësaj dite se ka anëtarë të Byrosë Politike që nuk e njohin, ndërsa ti Kadri ja ke dërguar atë Shkollës së Sigurimit në Moskë. Ky dokument bazë shumë i rëndësishëm i Byrosë Politike, ku përfshihen parimet kryesore të orientimeve të Partisë për organet tona të Sigurimit të Shtetit, juve ju ishte besuar që të punonit në bazë të tij, dhe jo t’ja çonit KGB-së. Ai, ka qenë një dokument i Byrosë sonë Politike.

SHOKU ENVER HOXHA: Mua, më tha Kadriu kur e pyeta, se pse të mos ua dërgonim sovjetikëve pasi ata, e dinin përmbajtjen e tij, se ne me ata e bëmë. Po sikur dhe Lenini me Stalinin ta kishin bërë, Byroja Politike kishte porositur që të mos dërgohej gjëkundi.

SHOKU HEKURAN ISAI: Edhe kjo nuk është shumë e vërtetë. Ne, mund ta verifikojmë që sovjetikët kanë marrë pjesë ose jo në hartimin e Platformës së Byrosë Politike për Sigurimin e Shtetit.

SHOKU KADRI HAZBIU: Mund ta vërtetojmë këtë, por kjo duhet parë që në fillim, shoku Hekuran.

SHOKU ENVER HOXHA: Jo, jo, nuk duhet parë hiç që në fillim, e kanë parë apo se kanë parë ata, ajo ishte një dokument i Byrosë sonë Politike, dhe i Partisë sonë.

SHOKU HEKURAN ISAI: Kur them se Partisë, i ishin mbyllur dyert në Ministrinë e Punëve të Brendshme, këtë e them për faktin se edhe vetë Partia për rëndësinë e punës që ka Sigurimi i Shtetit, dhe për kuadrot e saj nga më të rëndësishmit ka pasë caktuar disa caqe. Kurse atje nga ty dhe nga shokët e tu, është zhdukur caku për armiqtë. Janë shumë të pakët ata kuadro që njihen me instruksionin mbi evidencën operative të Sigurimit të Shtetit, ky dokument me rëndësi pse ju dërgua atëherë Sigurimit sovjetik?!

Aty në 28 faqe, jepen llojet e kartotekave, të evidencave, jepen regjistrimet dhe statistikat, e organeve të Sigurimit të Shtetit, si dhe dosjet personale që çelin ato për agjenturën, dosjet personale të objekteve që ndiqen në përpunim, aty janë rregullat e çeljes së dosjes, të marrjes në evidencë operative të personave që implikohen dhe të evidentimit të agjenturës. Relacione me rëndësi i janë dërguar KGB-së sovjetike, siç është dhe ai mbi veprimtarinë armiqësore të Liri Gegës, Dali Ndreut, e Petro Bullatit, me Nr. 76 datë 12.3.1957.

Ky relacion, siç thanë shokët, ju dërgua në Dhjetor të vitit 1959 Sigurimit sovjetik. Në këtë material flitet dhe për lidhjet e këtyre elementëve armiq me jugosllavët. Konkretisht flitet për lidhjet e tyre me elementët antiparti si: Pajo Islamin, Muharrem Çoratin, Foni Qirkon, dhe Kadri Hoxhën. Përse i duhej KGB-së ky relacion?! Kjo, tregon një formë lidhjeje të Sigurimit tonë jashtë kontrollit të Komitetit Qendror. Prandaj mund të thuhet me plot gojën që Sigurimi ynë, me këtë praktikë, ishte kthyer në një degë të KGB-së sovjetike.

Në Dhjetor të vitit 1959, përse i duhej dërguar Sigurimit sovjetik, një kopje e relacionit mbi deponimet e Dhora Lekës?! Me shkresën që mban numrin 140 datë 18.8.1957, ju dërguan sovjetikëve 18 faqe material që flasin për lidhjet e Dhorës me jugosllavët, Seda Dagoçishtit, Rexhep Xhijës, për detyrat që ka marrë ajo dhe për informatat që ju ka dhënë. Këtu jepen pikëpamjet dhe lidhjet e saj me elementët antiparti, jepen denoncimet për veprimtarinë armiqësore të zhvilluar në prag të Konferencës së Tiranës, të mbi 50 kuadrove, disa nga të cilët janë edhe sot kuadro.

I janë dërguar sigurimit sovjetik në Dhjetor të vitit 1959, 5 relacione që nuk i kanë shkuar fare Komitetit Qendror të Partisë, në të cilat bëhet fjalë mbi komentet armiqësore, që kanë zhvilluar në këtë kohë kundër vijës së Partisë, elementë antiparti që ndodheshin në kampin e Zvërnecit në gjendje të lirë, si: Xhavit Qesja, Peço Fidhi, Pëllumb Dishnica, Gjovalin Luka, Kadri Hoxha, Sejfulla Malëshova, Naxhije Duma, etj., etj.

Këto materiale është e qartë që, nuk i duheshin aspak shkollës së Sigurimit sovjetik por, KGB-së, për të parë se si silleshin këta elementë dhe nëse mund të mbështeteshin tek ta në rast nevoje. Kur pyesnim se pse u dërguan këto materiale në Moskë, jepet një përgjigje vulgare nga ana e Kadriut, duke thënë se ato sovjetikët mund t’i merrnin edhe vetë, kur ishin këtu. Mirëpo kjo nuk e mbulon thelbin e problemit.

E dyta, problemi i gërshetimit dhe i dorëzimit të agjentëve tanë, në duart e agjenturës sovjetike, nuk është analizuar seriozisht nga Ministria e Punëve të Brendshme. Ne, nuk kemi gjetur dokumenta serioze për këtë problem. Nuk kemi gjetur as lista të pas vitit 1962. Komiteti Qendror i Partisë, nuk është informuar për këtë problem të madh, pasi Ministria e Punëve të Brendshme nuk është marrë seriozisht me këtë problem. Me këtë problem janë marrë pjesërisht degët e Kundërzbulimit, dhe pasi ka dalë kjo çështje janë dhënë dhe porosi. Vetëm në vitin 1975, është hartuar një listë e çalë, mund të thoja se me hamendje, janë grumbulluar ata që ishin rezidentë, në bazë të kujtesës duke pyetur njërin apo tjetrin.

Edhe në vitin 1975, Komitetit Qendror të Partisë, nuk i erdhi lista dhe raporti i plotë nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme, por vetëm lista dhe raporti i Ismail Qinetit me disa emra ushtarakësh, ashtu siç thanë shokët. Shqetësimi këtu është se kjo punë e ndyrë, nuk kapërcehet me muaj, se do ta kapësh fort tani, do kujdes e vite, do vigjilencë e partishmëri. Kjo nuk është bërë pa qëllime armiqësore dhe këtë, duhet ta thoje ti këtu, Kadri.

E treta, për zhvillimin e kësaj veprimtarie armiqësore në Ministrinë e Punëve të Brendshme, gjatë kohës që ka qenë në krye të saj armiku Mehmet Shehu, as që vihet në diskutim, por kjo ka vazhduar edhe më gjatë në kohën kur në krye të këtij dikasteri ke qenë ti shoku Kadri, gjithashtu edhe Feçor Shehu, dhe me këtë i është sjellë një dëm kolosal Zbulimit tonë të Jashtëm. Ti vetë thua që, agjentura jonë e Zbulimit ashtë vendit, është kërcënuar, por unë mendoj se tashmë faza e kërcënimit për këtë agjenturë ka mbaruar.

Sepse emrat e agjentëve tanë, u janë dhënë prej kohësh armiqve tanë, të cilët ose i kanë likuiduar, siç i likuidojmë ne agjentët e tyre kur i zbulojmë, dhe natyrisht që ne i zbulojmë me shumë vështirësi në këto kushte, ose i kanë vënë ata që të luajnë në dopio rol. Prandaj jemi të detyruar që të punojmë me këta njerëz që luajnë dopio role, prandaj duhet të ruhemi dyfish nga mashtrimet e tyre. Se në ç’gjendje e kemi ne nivelin e agjenturës sonë në Jugosllavi, këtë e tregoi koha e demonstratave që u zhvilluan në Kosovë.

Partia jonë, nuk mori dot asnjë të dhënë, përpara shpërthimit të këtyre demonstratave, megjithëse ato ishin të një madhësie të konsiderueshme. Gjatë këtyre demonstratave këta bashkëpunëtorë, nuk mund të takoheshin me asnjëri për të tilla qëllime, as brenda dhe as jashtë vendit. Por për çfarë situatash na duhet neve atëherë Zbulimi?! Për të na informuar për artikujt e gazetave?! Kjo, është një çështje shumë serioze që do vite të kapërcehet.

Kjo punë armiqësore, është e kundërta e asaj që të kishim ne në qendrën e UDB-së njeriun tonë i cili, të na i kishte dhënë në dorë gjithë agjenturën jugosllave në Shqipëri, çka do të ishte një fitore kolosale për ne. Në të kundërtën këtë fitore, e kanë arritur përkohësisht armiqtë tanë ndaj Zbulimit tonë të jashtëm. Kjo është bërë me qëllime armiqësore, por ti Kadri nuk e pohon fajin që të takon në këtë veprimtari.

E katërta, veprimtaria armiqësore e gjatë që është zhvilluar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, është mbuluar nën maskën e ruajtjes së sekretit. Edhe në të ardhmen sekreti, duhet të ruhet nga ne, madje me fanatizëm dhe ne, nuk duhet të bëjmë asnjë lëshim në këtë drejtim. Po atje, ishte krijuar një rreth i mbyllur që shpesh, i ka shpëtuar kontrollit të Partisë. Kjo situatë ka krijuar që në këtë ministri, të zhvillohet një familjaritet i sëmurë me qëllime mbulimi.

Ky familjaritet, ka krijuar për njëri tjetrin njëfarë sentimentalizmi ndaj të metave e gabimeve të vërtetuara. Ne merremi me probleme sekrete, ne luftojmë armiqtë, ne kemi shkatërruar bandat, ne dimë shumë gjëra për këtë apo për atë kuadër, por nuk duhet të harrohet se edhe tek ne ekzistojnë kushte, në bazë të të cilave mund të kurdisen të paqena ndaj njerëzve në ato raste, ose me ato persona që ju mungon partishmëria, dhe kemi gjetur plot fakte që janë kurdisur.

Është krijuar një kapadaillëk dhe egoizëm që duket deri tek qëndrimet kryesore të kuadrove të ministrisë, në krahasim me kuadrot kryesorë të sektorëve të tjerë të ekonomisë, kjo duket dhe deri tek ish kuadrot e Ministrisë së Punëve të Brendshme, që tani janë në pension në raport ndaj pensionistëve të sektorëve të tjerë./Memorie.al

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • vaku: 24/11/2022 13:05

    budalli dhe budallacka qe ka per goc, s din te shkruaj emrin e vet, por partia e ka vene shefe !

    Përgjigju
  • Liku: 24/11/2022 08:49

    O kalosh keto jane gjera te vdekura, merru me hajdutet e sotem qe e rropen kete popull.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?