Emrat e bordit qe perzodhi listen me 500 titujt rekomandues

Debati/ 500 titujt e bibliotekave të shkollave, Ministria e Arsimit zbulon për ‘Report tv’ 7 anëtarët e bordit që i përzgjodhën: Kontestimet?! S’kemi asnjë ankesë zyrtare!

8 Shtator 2023, 17:12| Përditesimi: 8 Shtator 2023, 17:18

  • Share

Ministria e Arsimit dhe e Sporteve, në një përgjigje për “Report tv” ka bërë me dije emrat e bordit që kanë zgjedhur listën paraprake me 500 tituj rekomandues për bibliotekat e shkollave për këtë vit, që nuk ishte bërë më herët transparente.   I kryesuar nga Drejtori i Drejtorisë së Politikave të Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Shkëlqim Allkaj, anëtarët e tjerë të bordit të ngritur në 16 qershor të këtij viti janë; Anila Ferizaj, Dorian Koçi; Alda Bardhyli; Adelina Mamaqi; Erida Koleci dhe Luljeta Dalipi. Ministria e Arsimit është përgjigjur lidhur edhe me ankesat e bëra publike nga grupet e interesit. Për mungesën totale të botimeve të Akademisë së Studimeve Albanologjike në këtë listë, për përfshirjen e vetëm dy titujve nga shtëpitë botuese të Kosovës, si dhe ankesat për favorizim të mundshëm të botuesve të caktuar, MAS, thotë se nuk ka pasur asnjë ankesë zyrtare të depozituar as nga Instituti i Historisë e as nga Shoqatat Botuese, të Shqipërisë e ajo e Kosovës. Rishikimin e teksteve shkollorë të historisë, në përgjigjen e saj, MAS e shikon jashtë kompetencave të bordit, ndonëse në kundërshtinë që i bëri drejtori i IH, studiuesi Afrim Krasniqi, u shpreh se edhe titujt qe janë në këtë listë janë të pacertifikuara nga institucionet kompetente.Ndërkaq mëposhtë MAS, ka sqaruar edhe për mungesën e veprës së plotë të Gjergj Fishtës në listë...

Pyetja 1. Cilët janë anëtarët e bordit që kanë bërë përzgjedhjen e listës me 500 tituj për këtë vit?

Në kuadër të hartimit/përditësimit të listës me tituj rekomandues për pasurimin e bibliotekave në institucionet arsimore të arsimit parauniversitar, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka miratuar urdhrin nr. 303, datë 16.06.2023 "Për ngritjen dhe funksionimin e bordit të rekomandimit të literaturës artistike e lëndëve shoqërore, dhe literaturës shkencore, didaktike për bibliotekat e institucioneve arsimore parauniversitare publike" (bashkëlidhur).

Pyetja 2. A janë marrë parasysh kërkesat e Institutit të Historisë drejtuar MAS për rishikimin e teksteve të historisë, dhe me cilin institucion shkencor jeni konsultuar për këta tituj (titujt shkencorë të historisë etj.)?

Në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit (MAS) nuk është regjistruar asnjë kërkesë zyrtare nga ky institut lidhur me rishikimin e teksteve të historisë. Gjithashtu, ju informojmë se objekti i punës së bordit, nuk është rishikimi i teksteve të historisë, por rekomandimi i titujve për bibliotekat e shkollave.

Pyetja 3. Ka pasur kontestime (përfshirë Shoqatën e Botuesve të Kosovës) në lidhje me titujt e paktë nga botuesit e Kosovës. Përse një zgjedhje e tillë dhe a do të rishikohet kjo pikë?

Në MAS nuk është regjistruar asnjë shkresë/kontestim zyrtar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës. Gjithashtu, ju sqarojmë se titujt e përcaktuar në listën paraprake janë përcaktuar ne funksion te realizmit te programit mësimor në arsimin parauniversitar dhe jo me emrat e botueseve ose me vendndodhjen e selisë se tyre. Nga letërsia shqipe e trojeve etnike janë përfshirë në listë autorë si: Ali Podrimja, Anton Pashku, Rexhep Qosja, Sabri Hamiti, Ali Aliu, Kim Mehmeti etj.

Për sa i përket pyetjes nëse kjo çështje do të diskutohet, bordi do të shqyrtojë çdo kërkesë që depozitohet zyrtarisht në MAS. Lista paraprake e titujve rekomandues, e publikuar në faqen zyrtare të MAS ka si qëllim transparencën dhe që çdo ent/shtëpi botuese të dërgojë të drejtën e autorit për titujt që ka në listë, por edhe për sugjerime të ndryshme.

Pyetja 4. Shoqata e Botuesve të Shqipërisë pretendon se nuk janë marrë parasysh kërkesat e tyre në përmirësimin e procesit të përzgjedhjes së titujve duke u shprehur se në listën e publikuar 1) ka tituj të shtëpive botuese joekzistuese 2) kritikon titujt në anglisht 3) vë theksin në mungesën e veprave të mira të letërsisë shqipe (përfshirë veprën e plotë të Gjergj Fishtës, çka është evidentuar nga botuesi dhe studiuesi i saj z. Frano Kulla?) 4) duke nënkuptuar se ju favorizoni botues të caktuar që janë me tituj në maxhorancë në listën tuaj. Akuza për të cilat do të ishte e vendit të kishim një reagim tuajin.

Ju sqarojmë se MAS i është drejtuar zyrtarisht Shoqatës së Botuesve Shqiptare (SHBSH), Shoqatës së Botuesve të Teksteve Shkollore (SHBTSH) dhe Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë të Arsimit Parauniversitar (ASCAP) që të propozojnë titujt për listën rekomanduese për bibliotekat e shkollave, të cilat duhet të jenë me vlera të spikatura letrare, nga botimet me vlera njohëse e studimore në fushën e lëndëve shoqërore, nga botimet me vlera të karakterit formues dhe edukues në fushën e lëndëve shkencore, si dhe nga botimet didaktike, duke pasur si konsideratë kryesore lidhjen e këtyre propozimeve me lëndët e planit mësimor në arsimin parauniversiar dhe me grupmoshën e nxënësve. Nga këto propozime SHBSH ka propozuar një listë me 933 tituj nga 66 shtëpi botuese. Po kështu kanë sjellë propozimet e tyre edhe SHBTSH dhe ASCAP, kjo e fundit nëpërmjet diskutimit dhe propozimeve nga rrjetet profesionale të mësuesve. Ju sqarojmë se në çdo zyre arsimore për çdo profil, mësuesit janë të organizuar në rrjete profesionale, në të cilat diskutohen probleme psiko-pedagogjike, kurrikulare etj.

1. Në pyetjen tuaj ku parashtrohet se ka tituj të shtëpive botuese që nuk ekzistojnë, sqarojmë se titujt e miratuar në listën paraprake janë pjesë e propozimeve të ardhura nga subjektet e sipërcituara ose nga lista e titujve në fuqi, miratuar në vitin 2021 nga dy borde, të përzgjedhur me thirrje publike ku prej anëtareve të këtyre bordeve nuk ka qenë punonjës të MAS. SHBSH ka qenë nxitësja dhe kritikuesja kryesore e punës së dy bordeve të vitit 2021. SHBSH është e lutur të dërgojë në MAS emrat e shtëpive botuese që nuk ekzistojnë.

2. Titujt në anglisht janë depozituar nëpërmjet Shoqatës së Teksteve Shkollore, të cilat bordi i ka vlerësuar të nevojshme në përmirësimin e aftësive gjuhësore në gjuhën angleze.

3. Vë theksin në mungesën e veprave të mira të letërsisë shqipe (përfshirë veprën e plotë të Gjergj Fishtës, çka është evidentuar nga botuesi dhe studiuesi i saj z. Frano Kulla?

Për sa i përket Fishtës, sqarojmë se ky autor i mirënjohur i letërsisë sonë gjendet në listën e publikuar me dy nga veprat e tij më përfaqësuese dhe që janë të lidhura drejtpërdrejtë me programin mësimor të arsimit parauniversitar, të cilat janë “Lahuta e Malcisë” dhe “Mrizi i Zanave”.

4. Në zbatim të urdhrit nr. 303, datë 16.03.2023 të sipërcituar, anëtarët e bordit kanë përmbushur detyrimet sipas tagrave te përcaktuara ne kete urdhër.  Ashtu si laboratorët, terrenet sportive apo kabineti TIK, që lidhen me realizimin e lëndëve të veçanta mësimore edhe qëllimi i funksionimit të bibliotekave ne shkolla është  rritja e cilësinë së mësimdhënies dhe mësimnënies, si plotësimi i kërkesave qe lidhen me programin mësimor kryesisht ne lendet shoqërore, por edhe ato didagtike e metodike, si dhe nxitja tek nxënësit te dëshirës per lexim. 

SHBSH është e mirëpritur të paraqesë sugjerimet e saj se cilët tituj duhet të mos jenë në listë dhe cilët botues janë favorizuar duke dhënë edhe argumentet përkatëse. Shtëpia botuese me më shumë tituj në listën e publikuar arrin në 52 tituj. Për këtë shtëpi botuese të dy shoqatat kanë propozuar 173 tituj, pa llogaritur këtu propozimet nga ASCAP apo lista ekzistuese. Shtëpi botuese të tjera variojnë nga 33 e me pak tituj janë shtëpi botuese të njohura për botimet dhe përkthimet, të gjitha të propozuara nga ShBSH.

Ju sqarojmë edhe një herë se publikimi i listës nga MAS lidhet vetëm me transparencën dhe me punën ne shkolla. Çdo aludim tjetër eshte abuzim dhe mendojmë se nuk vjen nga meraku per shkollat dhe per nxënësit.  

(Kliko këtu për të parë dokumentin e plotë)

 

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?