Ka disa ditë që po më dalin përpara syve fotot e një ngjarjeje “të bujshme” letrare këtu në Tiranë, të titulluar “Festivali Ndërkombëtar Letrar i të Rinjve”. Dhe meqë ishte festival të rinjsh, kërkova me sy për ndonjë të ri në ato foto. Por nuk pashë asnjë… Qesha hidhur me vete. Një festival të rinjsh pa të rinj! Gjëra të zakonshme në këtë vend; festivale filmash pa kinema, festivale teatrosh pa teatër, etj
Por nuk dua të ndalem këtu apo tek fakti që shihja të ekspozuara bujshëm foto individësh mediatikë që nuk kishin shkruar kurrë asnjë libër në jetën e tyre, por që reklama që u kushtohej ishte më e madhe edhe se ajo e shkrimtarit fisnik që këtë vit fitoi Çmimin Nobel. Nuk dua të ndalem as te shfaqja bajate e Kryetarit të Bashkisë, i cili nuk lë rast pa shfrytëzuar për t’u shfaqur si babaxhan, si mendjehapur që e përkrah artin para kamerave, kur në të vërtetë ai përkrah vetëm artistët pa shtyllë kurrizore që i shfrytëzon për të fituar vota dhe askënd tjetër përveç tyre, sepse, siç shkrova më lart, këto gjëra janë bërë mëse të zakonshme dhe aq groteske në këtë vend, sa nuk kemi më fuqi as të qeshim. Dua të ndalem tek diçka tjetër që më bëri përshtypje. Sa herë që hapja facebook-un, ngado nëpër foto më dilte Diana Çuli. Për ata që nuk e dinë, e kanë harruar apo që bëjnë sikur e kanë harruar, Diana Çuli ka kryer analizën e poezive “armiqësore” të poetëve Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, të cilët, si rrjedhojë e saj, u dënuan me vdekje. Ishte viti 1977.
Ai bombardim i vazhdueshëm fotosh më kujtoi diçka që më ka mbetur në mendje. Para disa vitesh Diana Çuli ishte e ftuar në një emision televiziv dhe kur e pyetën për këtë temë, u përgjigj gjithë arrogancë se, megjithëse e re në moshë, ajo u kishte bërë një analizë të shkëlqyer poezive të tyre, madje u mrekullua me veten se sa e zonja ishte treguar me atë analizë, që nuk i kishte rënduar, ndoshta kërkonte edhe dekoratë për këtë. Dhe s’do mend, gjithë faji i atyre poetëve ishte se ata ishin më të kulturuar dhe më të talentuar se Diana Çuli. Por sikur të mos mjaftojë kjo, këtë zonjë të palodhur vazhdojmë ta shohim ngado; nëpër juri konkursesh letrare, në juri për aplikime grantesh, e shohim si drejtuese emisionesh televizive, etj. Ngado që të hedhësh sytë të del Diana! Diana me njëqind duar në tepsi. Ku i dihet, ndoshta ndonjë ditë mund të marrë edhe statusin e të persekutuarës, sepse duhet të ketë vuajtur shumë, atje në zyrën e ngrohtë, ku shiu përplasej në xham dhe ajo që me një pamje melankolike analizonte poezinë “Saharaja”, e të tjera analiza që dërgonin njerëz për pushkatim! Dhe jo, nuk ka asnjë justifikim për këtë, sepse të gjithë e dimë mirë se edhe brenda atyre institucioneve të tmerrshme ka patur njerëz humanë që i kanë mbrojtur dhe ndihmuar të dënuarit. Edhe në radhët e vetë komunistëve.
Gjërat nuk janë asnjëherë bardhë e zi siç përpiqen t’i paraqesin. Nuk e di si ndihesh ti lexues, që tani po i lexon këto rreshta, por kur unë shoh që kjo shkrimtare ftohet ngado, natyrshëm më lind një pyetje: Ç’vlera mund t’iu përcjellë të rinjve, dikush, kur me një analizë ka dërguar poetë për pushkatim? Çfarë do t’u mësojë ajo atyre? Mos vallë si të kryejnë një akt-ekspertizë? Mos vallë si t’i bëjnë gropën, si ta elimonojnë shokun që është më i talentuar se ata? Apo mos do t’u flasë për letërsinë e saj fund e krye mediokre? Sot në Shqipëri, të gjitha ngjarjet letrare janë të dominuara nga njerëz të tillë. Dhe kjo për mua është shumë shqetësuese. Sepse shfaq lakuriq krizën e tmerrshme që ka përmbytur shoqërinë shqiptare. Mungesën e parimeve. Një përmbysje apokaliptike të vlerave njerëzore universale. Shoqëria shqiptare sot më shumë se kurrë është në një udhëkryq qorr.
Sot ngado nëpër media dhe televizione propagandohet e keqja si vlerë. E mira, e drejta, ajo e dhembshura dhe parimorja, qëllimisht sfumohen, errësohen, zhvlerësohen, gjuhen me gurë. Dhe kjo po depërton agresivisht në nënndërgjegjen e njeriut të thjeshtë, duke e modeluar pakuptuar. Tashmë ai ka filluar të besojë se ajo humania, e drejta, janë anakronike. Se sot ka ardhur koha e pelivanëve pa asnjë parim dhe pa shtyllë kurrizore, të cilët ndryshojnë qëndrime në varësi të pagesë ofertës. Në ato foto dallova edhe Drejtoreshën e Qendrës Kombëtare të Librit që dëgjonte e nemitur. Është vërtet e trishtueshme kur sheh që është katandisur thjesht një zëdhënëse bajate e Ismail Kadaresë. Ajo nuk paguhet nga subjekti privat Kadare, por nga shteti shqiptar, dhe në veprimtarinë e institucionit të saj duhet të përfshijë të gjithë spektrin letrar, mbi të gjitha promovimin e shkrimtareve që vuajtën në diktaturë dhe jo shkrimtarët e rinj dhe të vjetër të vijës së partisë, të partisë së djeshme dhe të kësaj të sotmes.
Përfytyroj sesi mund të ndihen të afërmit e këtyre poetëve kur e shohin Diana Çulin të dalë ditë për ditë në televizor. Përfytyroni sesi mund të ndihen ata kur e dëgjojnë të japë mend dhe të flasë për vlera! Letërsia është shkencë humane, ti nuk mund të dërgosh njerëz në litar dhe pastaj të kërkosh që të të gjykojnë vetëm për artistikën e veprës tënde. Ti je i pandarë nga ajo. Para disa kohësh, dëgjova një lajm për një grua shumë të moshuar në Gjermani, që do të dilte para gjyqit për krimet që kishte kryer në kohën e nazizmit. Gruaja ishte me një këmbë në varr dhe ishte fshehur në një azil, por drejtësisë gjermane nuk i interesonte kjo. Sepse fjala “shtet” atje do të thotë reagim ndaj së keqes, do të thotë ndërgjegje publike.
Do të thotë që ta vësh në vend të drejtën edhe pas njëqind vjetësh. Ndërkohë çfarë bëjmë ne shqiptarët? (Në televizione e në media tani duhej të ishin duke gëluar debatet mbi këtë temë. Ku të viheshin pikat mbi “i”. Ku të shihnim veten me guxim në pasqyrë pas kaq e kaq kohësh që përpiqemi t’i dredhojmë.) Por ne, jo vetëm që nuk reagojmë, jo vetëm që nuk jemi solidarë dhe empatikë ndaj dhimbjes së tjetrit, por këta njerëz që kanë shkaktuar kaq makabaritete në njerëz të pafajshëm, ne i vëmë në podiume e i duartrokasim! E turpshme! Sot po i shkruaj këto rreshta sepse nuk dua të pajtohem më këtë farsë. Sot po i shkruaj këto rreshta sepse një ditë atyre që do të vijnë do t’u vijë turp për ne, për apatinë tonë si shoqëri. Për këtë shtyllë kurrizore që e kemi thyer vetë dhe që nuk po bëjmë asnjë përpjekje për ta shëruar. Ne as që marrim guximin t’ia hedhim sytë plagës, jemi ende tek faza e mohimit. 30 vite dhe ende në fazën e mohimit është një argument i rëndë për një komb. Unë e di që ka kosto të ngresh zërin, kur kritikon, kundërpërgjigjia arrin deri aty sa ty të mohohet edhe ekzistenca jote letrare. Kur kritikon letërsia jote dënohet me një heshtje të përjetshme, mundësisht edhe pas vdekjes. Por nuk mund dhe nuk dua të hesht, sepse nuk jam vetëm shkrimtare por edhe njeri, nuk mund të hesht sepse e keqja në këtë vend është bërë si një mullar gjigant. Një grusht njerëzish, këta oligarkë të letrave kanë marrë në dorë gjithçka dhe i imponohen publikut vazhdimisht me mungesën e tyre të vlerave. Nëse do të kishin pak ndërgjegje vetjake, këta njerëz do të duhej largoheshin vetë nga skena dhe podiumet. Sepse të larguarit me klas nga jeta publike është art më vete dhe një lloj fisnikërie. Por duket se atyre u mungon dukshëm kjo, sepse jo vetëm që nuk largohen, por të çpojnë sytë në çdo ngjarje letrare. Dje Dianat dërgonin për pushkatim poetë, sot të dërgojnë për pushkatim me mënyra të tjera… Këtu mund të shihni disa foto nga festivali, publikuar në faqen zyrtare të Institutit të Promocionit: Diana, Diana, Diana, Diana… dhe përsëri Diana… (Marre nga: defekt-teknik.com)
Çeshtje e nderlikuar por me duket se diana aty nuk ka shkuar per t'u martuar, por per mjeshtrine e shkrimtarit qe e zoteron me mire se te tjeret. Kete vajzen e shoh nganjehere te fb e saj, por vertet nuk me ka mbetur gje ne mendje perveç mallkimeve qe leshon per te gjithe. Para nje viti gruaja bleu nje liber te saj, por me sa mbej mend me tha se ishte mbushur me batuta e barcaleta. Ndonje edhe te bente te qeshje, por veshtire ta quaje roman. Ketu eshte e keqja. Ca kane talentin por jo biografine ca si kjo arlinda kane biografi te mire.
PërgjigjuGjeja me e mire eshte ta munde ne fushen e saj, pra te shkruaje me mire se kjo zonje qe ajo shan e qe nuk dua ta mbroj. Kete emer si shkrimtare Guma, une tani po e degjoj per here te pare. Prandaj tingellon si pune inati.
PërgjigjuNë thelb ka të drejtë, pavarësisht se e tepron me fatalizmin. Art pa moral nuk mund të ketë, ndaj tipa të tillë hipokritë duhen të largoheshin me kohë nga jeta publike. Mgjs disa vite më parë rasti i aktekspertizës së Çulit u denoncua nga A. Tufa, A. Baçi, etj, ajo vijon të shfaqet ngado.
PërgjigjuArtikull mjaft emocional! Autorja bie ne pozitat e fenomeneve qe kritikon, duke shtremberuar te verteten. Duket sikur urren gjithcka dhe nuk eshte ne gjendje te shohe asgje pozitive.
PërgjigjuAi ben nje analize te thelle dhe te drejte te realitetit shqiptar dhe ajo cfare shkruhet eshte e praniahme ne cdo fushe. Njerez qe nuk duhet te ishin larguar madje duke kerkuar falje dalin dhe promovohen pa pike turpi dhe te rinjte e paperlyer kargihen nga vendi.
Te lumte pena! Njerez si kjo jane kanceri i shoqerise. Nuk ka gje me te rendesishme se sa morali ne nje shoqeri. Morali eshte si shtylla kurrizore qe e mban nje trup bashke. Nga njerez si kjo jane humbur vlerat dhe mbizotron mediokriteti. Kjo po donte te ruante sado pak dinjitet s’duhet te shfaqej fare ne publik. Por midis shthurjes se pakufi te shoqerise tone, kesaj i duket vetja engjell. U ndricofte shpirti i poeteve te pafajshem
Përgjigju