Gramoz Ruçi dhe Sali Berisha

Debati në ‘91 / Gramoz Ruçi: Berisha luftonte kundër fustaneve të shkurtra dhe shfaqjeve liberale, unë bllokmenët i kam parë vetëm nga ekrani

9 Dhjetor 2020, 19:11| Përditesimi: 9 Dhjetor 2020, 19:17

  • Share

Krerët e politikës shqiptare zhvilluan dje ceremoni dhe artikuluan mesazhe me rastin e 8 Dhjetorit, Ditës së Rinisë, që shënon nisjen e Lëvizjes së Dhjetorit 1990, e cila tronditi dhe përmbysi regjimin komunist, duke sjellë pluralizmin në Shqipëri. Sali Berisha ishte një nga personat me lidhje të forta me Byronë Politike, presidentin Ramiz Aliaj dhe familjen e Enver Hoxhës, i cili u infiltrua me shpejtësi në lëvizjen e studentëve, ndërsa mori edhe drejtimin e Partisë Demokratike, të cilën e kontrollon edhe sot. Me konsolidimin e PD, Berisha, nga një mbështetës i Ramiz Alisë, ndryshoi pllakën, duke u shndërruar në anti-komunist dhe ashpërsuar retorikën politike.

Zgjedhjet e para pluraliste të 31 marsit 31 marsit konfirmuan PD-në në opozitë, ndërsa pati revolta, përfshirë edhe ngjarjet tragjike të 2 prillit, kundër kudër Pastrisë së Punës. Me futjen në Parlament, Berisha ashpërsoi retorikën politike. Në 23 dhjetor 1991, pati një përplasje të ashpër në Kuvend mes kryetarit të PD Sali Berishës dhe Gramoz Ruçit, deputet i PS-së. Arben Imami lexoi një deklaratë në Kuvend, ku ndër të tjera tha se “Grupi i deputetëve të Partisë Demokratike dënon frymën antidemokratike që zoti Ruçi dëshiron të fusë në Parlament, metodat e punës së organizatorit të antimitingjeve, ish-Ministrit të Punëve të Brendshme, të implikuar në masakrën e Shkodrës, të njeriut që njeh botën e krimit dhe hesht, që janë të papranueshme për Parlamentin Shqiptar”.

Berisha kishte vënë në lëvizje grupin e PD-së, pasi Ruçi e kishte paralajmëruar se do dilte nga skena politike dhe se nuk do të bëhej president. Berisha e akuzonte Ruçin si pjesë të bllokmenëve të kuq. Në përgjigjen e tij, Ruçi thotë se bllokmenët i ka parë vetëm nga ekrani, ndërsa Berisha ka luftuar kundër shfaqjeve liberale, kundër pantallonave të gjera, fustaneve të shkurtra dhe flokëve të gjata. Gjithashtu, Ruçi shprehet se “fëmijët e mi nuk kanë parë më shumë se dy-tri qytete të Shqipërisë dhe banoj në qytetin modest të Tepelenës, kurse fëmijët tuaj mund të kenë bredhur kryeqytetet e Evropës, si dhe klinikat e Vjenës apo të Parisit”.

Ndërkaq, Berisha akuzon Ruçin se ka urdhëruar një fushatë të egër shantazhi dhe intrigash kundër PD-së dhe atij personalisht. Berisha gjithashtu e akuzonte Ruçin për ngjarjet e 2 Prillit dhe vrasjet në kufi.

Përplasjet mes Ruçit dhe Berishës në tetor të vitit 1991 në Parlament:

-Gramoz Ruçi: Nuk kisha ndër mend të shprehja mendimet e mia, por do të flas nisur nga deklarata e bërë në fund të seancës në emër të Grupit Parlamentar të PD-së nga deputeti Imami kundër diskutimit tim, në mbrojtje të zotit Sali Berisha. Mua të më falë grupi im parlamentar që nuk e mblodha, jo vetëm për të mos e mërzitur e lodhur atë, jo se nuk kam besim te një përfaqësues i tij, që mund të bënte atë që bënë kolegët tanë, por unë fola këtu dje si deputet dhe për atë që them mbaj përgjegjësi, jap përgjigje vetë. Kush ka nevojë për mbrojtje le ta bëjë. Që në fillim e them se nuk pata kohë të mblidhja grup pune, grupin parlamentar apo të përgatitesha me shkrim, siç bënë zotërinjtë e Partisë Demokratike me një grup pune, me në krye z. Sali sot paradite, pastaj ta miratonte grupi dhe ta mbante një shok tjetër. Nuk desha të bëja të njëjtin gabim dhe të njëjtin spekulim.

Që në fillim e them se shumë më vlerësuat zotërinj, si në kohë, si në cilësinë e përgatitjes. Nuk e dija se e meritoja kaq shumë. Megjithatë kjo është puna juaj, kështu më vlerësofshi ngahera, kurse për mua është kujtesë që të mos më rritet mendja. Përse fola unë dje? Për tri probleme: për reformën, dhashë dy mendime për tri diskutime që u bënë këtu, por kryesisht e mora fjalën, siç e thashë edhe në diskutimin tim, për të protestuar për ngjarjen tragjike të ndodhur në rrethin e Tepelenës, ku një nënë 30-vjeçare la tre fëmijë jetimë dhe dy familje humbën fëmijët e tyre të dashur, duke lënë prindërit e tyre në mjerim dhe motrat e tyre pa vëlla, ku është angazhuar një rreth i tërë. Kurse për problemin për të cilin bëhet fjalë, pra për replikën që unë bëra për z. Sali, të them të drejtën, e pyeta veten: të përgjigjem apo jo dhe ndërgjegjja ime më tha po.

Pse? Sepse jo një herë, por dhjetëra herë, e sqarova dhe dje, ju zoti Sali keni bërë deklarata e keni krijuar turli epitetesh ndaj nesh, që s’i përmban asnjë fjalor i gjuhës shqipe dhe disave prej tyre nuk u vjen as era shqip. Populli thotë: “Po hodhe, edhe do të presësh.” A nuk është ky një mësim me vlerë i popullit, i cili edhe kur s’ka pasur demokraci ka ditur të ligjërojë rregullat e dialogut? Përsëri populli thotë: “Nuk kam hall se do të më shkojë miu nën mustaqe, por hallin e kam se do ta bëjë rrugë”. Dhe këtë rrugë ju, zoti Sali, jo vetëm që e keni hapur, por tani mund të them se e keni bërë kallo. Prandaj thashë: “Boll, o zoti Sali, sepse po na shkel në kallo me mijëra herë”.

E shikon? Një herë të shkela unë në kallo e ti dhe alarmin, dhe sinjalin SOS. Jo, zotërinj! Dialog, urtësi, tolerancë, këto janë fjalët e para që unë kam dëgjuar nga ti si politikan. Prandaj unë as të shava dhe as të ofendova. Ndonjë cub që ka ndonjë mendim e flet mbrapa krahëve për ju, ai nuk e meriton. Kjo është demokracia, këto janë rregullat e lojës politike. Personalisht si Gramoz kam respekt për të gjithë shokët e Partisë Demokratike dhe në veçanti për z. Sali, së pari si intelektual shqiptar me gradë e titull shkencor si doktor, do të jem injorant në qoftë se s’e pranoj këtë, dhe së dyti jo unë, por edhe elektorati im, edhe partia ku unë militoj, edhe deputetët e grupit tim kanë një respekt të veçantë për ju, që iu vure dhe iu përkushtove lëvizjes demokratike që në momentet e para. Për këto të dyja të kam vlerësuar dhe do të vazhdoj të të vlerësoj.

Ju sot në deklaratën tuaj më akuzuat dhe unë po ju jap përgjigje. Më akuzuat dhe më keni akuzuar denbabaden si skenarist i antimitingut në Memaliaj. Gaboheni. Unë jam shumë i vogël për të ngritur një populli si ai i Tepelenës dhe Memaliajt në këmbë, siç u ngrit. Antimitingun e përgatitët ju, se e zhgënjyet atë popull. Ai popull ishte përgatitur, i mblodhët ju mbi 7-8 mijë veta dhe po ju sqaroj publikisht se ju priste ju, z. Sali. Ishit në hapat e parë. Edhe populli i Tepelenës dhe i Memaliajt, si demokrat që është, kërkonte t’ju shikonte me sy e t’ju dëgjonte me veshë nga afër.

Pa dashur të ofendoj shokët që erdhën atje, por sipas informacioneve që kam në kohën kur isha në detyrën e sekretarit të parë të atij rrethi, ata nuk ishin përgatitur për psikologjinë dhe mentalitetin e atij populli. Kështu që nuk kam pse zgjatem për këtë akuzë të paskrupullt që më është bërë disa herë. Nuk jam unë i tillë. Do të isha hipokrit para atij populli në qoftë se unë do t’i bija gjoksit dhe do t’u thosha: “E shikoni se si ju ngrita unë?” Këtë nuk mund ta bëj, është hipokrizi.

Së dyti, më akuzuat se jam implikuar në ngjarjen e Shkodrës. Jo, të dashur, do të përgjigjesha. Mos spekuloni akoma me gjakun e të rënëve të Shkodrës, mos lëndoni më zemrat e atyre nënave që s’u thahet loti për bijtë e tyre, mos krijoni vrasës imagjinarë, atyre u duhen vrasësit e vërtetë. Pozicionin tim, si Ministër i Brendshëm, e kam sqaruar këtu para jush disa ditë rresht, e kam sqaruar në të gjitha instancat shtetërore deri si dëshmitar në gjyqin e Shkodrës. I vetmi pozicion dhe kontribut imi si Ministër i Brendshëm ka qenë të shuaja zjarret e ndezura nga forcat politike në Shqipëri në atë kohë, në Shkodër, për fat të keq të demokracisë shqiptare, të lëvizjes politike shqiptare, për fatin e keq të atyre katër të rinjve, të atyre katër nënave dhe timin që dështova duke u përgjakur, dhimbje kjo që do të më shoqërojë jetë pas jete. Kjo është përgjegjësia ime morale. Dhe këtë e kam thënë disa herë.

Më thatë që jam i parinovuar dhe i implikuar me të kaluarën. Gaboheni! Unë dy-tri gjëra do të thosha. Në qoftë se do të krahasohem unë me doktor Saliun, afërsisht sa vjeç jam unë, ju zoti Sali keni si anëtar i Partisë së Punës. Prandaj si ka mundësi që ndërsa babai paska të drejtë të rinovohet, të birit i mohohet ajo?! Si ka mundësi që ju paskeni të drejtën morale të rinovoheni, kur për një kohë shumë të gjatë keni luftuar (ti dhe unë) kundër shfaqjeve liberale, kundër pantallonave të gjera dhe fustaneve të shkurtra e flokëve të gjata, kurse unë që mbaja kauboj e favorite dhe ti m’i ke shkurtuar, s’paskam të drejtë të rinovohem?!

Unë i kompromentuar me bllokmenët? Deklaroj se në asnjë shtëpi të tyre nuk kam qenë. Kurse ju keni qenë i pranishmi i tyre, i keni shërbyer detyrës, i keni shërbyer partisë në pushtet, keni kryer një detyrë, keni bredhur kryeqyteteve të Evropës, keni pjesën tuaj në ato shpenzime të bëra dhe unë s’jua kam thënë asnjëherë. Unë i kompromentuar e ju jo? Habitem! Unë i kompromentuar, kur fëmijët e mi nuk kanë parë më shumë se dy-tri qytete të Shqipërisë dhe banoj në qytetin modest të Tepelenës, kurse fëmijët tuaj mund të kenë bredhur kryeqytetet e Evropës, si dhe klinikat e Vjenës apo të Parisit? Si ka mundësi? Kjo s’vete. Ju i rinovuar e unë jo? Unë i kompromentuar e ju jo?

Unë bllokmenët i kam parë vetëm në ekranin e televizorit, vetëm kaq kam pasur të drejtë, kurse ndonjë tjetër që bërtet e flet këtu, ka pasur shumë të drejta dhe ka përfituar nga privilegjet e tyre. Kurrsesi nuk e pranoj atë.

Më quajtët mafie politike. Nuk ia vlen të merrem me këtë punë. Do të shprehesha me llafin e mençur që është vënë në gojë të aktorit të mirënjohur Kadri Roshi: “Gërmo, o Tare, gërmo!”. Megjithatë përgjigjen do ta gjeni te shprehja e popullit: “O Balo, të ngrëntë tenja, e ke shejtanin brenda”. Gërmoni se do ta gjeni, po as tek unë dhe as te radhët e deputetëve të Partisë Socialiste.

U mërzitët pse unë thashë që nuk mund të zgjidheni president. Shumë qenkeni shqetësuar ju, kurse unë deri sot isha pishman për atë llaf, kurse sot bindem se e paskam pasur mirë që e paskam thënë. Po mos u mërzit, se ju, z. Sali, Presidentin aktual ligjitim të Shqipërisë e keni shpallur agjent të serbëve dhe ne si përfaqësues të Partisë Socialiste nuk kemi bërë asnjë deklaratë. Kurse unë deklarova këtu se ju s’mund të jeni Presidenti i ardhshëm i Shqipërisë dhe ju shqetësoheni. Unë nuk kam ndonjë gjë. Përsëri do të të respektoj në qoftë se ti do të fitosh imunitetin e popullit. Fitofsh, z. Sali, deklarata ime mos u realizoftë, mua nuk më ngelet qejfi.

Jeni mërzitur së fundi se thashë të ikë nga skena politike. Pse e thashë unë që të ikë nga skena politike? Zoti Sali, të kujtoj se sa herë në këtë sallë ju dhe përfaqësuesit tuaj keni deklaruar që të ikë nga skena politike Partia Socialiste e ne përsëri kemi heshtur. Dje unë thashë të ikë një përfaqësues i një partie nga skena politike e juve ju mërziti. Rregullat e lojës këto janë. Unë thashë se do t’i shërbeja Partisë Demokratike me këtë mendim, do t’i shërbeja demokracisë shqiptare, do t’i shërbeja jo partisë sime, pasi po ta them që ikja juaj do të ishte dëmtim për Partinë Socialiste.

Së fundi, po ju them se keni delirin e madhështisë, që shkodrani e shpreh me dy llafe: “Mos të hyftë vetja në qejf!” Mos kaloftë kjo te Partia Demokratike!

-Sali Berisha: Fushatën e egër të shantazhit, terrorit, kurtheve, intrigave, shpifjeve e thashethemeve kundër Partisë Demokratike dhe meje të përgatitura nga mafia e kuqe shqiptare, Partia e Punës e Shqipërisë, e rinovuar socialiste, urdhëroi dje ish-Ministrin e saj të Brendshëm, z. Gramoz Ruçi, të më kërcënojë dhe do që të më largojë nga skena politike shqiptare. Kjo deklaratë e z. Ruçi, nuk më çudit aspak. Ajo provon se pas dështimeve, kurtheve, prapaskenave të ulëta, kupola e kuqe duket se ka marrë një vendim të ri, të cilin deputeti Ruçi, si ish-Ministër i Brendshëm në kohën e puçit të Shkollës së Bashkuar dhe i implikuar në masakrën e Shkodrës, ia bëri të ditur Parlamentit Shqiptar. Me këtë rast i deklaroj z. Ruçi dhe atyre që e kanë shtyrë atë se vendimi i shpallur dje nuk më shqetëson dhe nuk më dekurajon aspak.

Unë në të vërtetë nuk e njoh veten për trim, por në luftën dhe përpjekjet e mia për demokraci as nuk jam tutur, as nuk do të tutem. Kush të dojë le të mprehë hanxharët e krimit. As kërcënimet tuaja të djeshme, z. deputet, as shpifjet dhe insinuatat e tipit bolshevik të z. Ramiz Alia nëpërmjet zëdhënësit të tij të shtypit sot nuk më trembin, përkundrazi këto të gjitha së bashku më shumëfishojnë forcat dhe energjitë në luftën dhe përpjekjet e mia kundër pushtetit, platformave, politikave dhe intrigave komuniste, në luftë për pajtimin kombëtar, luftë në të cilën e kam konsideruar dhe e konsideroj si të shenjtë të drejtën e secilit për t’u ndryshuar dhe s’ia kam mohuar e s’do t’ia mohoj kurrë këtë të drejtë asnjë njeriu. Natyrisht s’do të pranoj kurrë hipokrizinë për dëshpërim.

Përveç këtyre, dua të theksoj këtu se Partia Demokratike që në themelimin e saj, me të gjithë forcën e saj, ka luftuar për lirinë e lëvizjes. Madje e ka bërë këtë edhe kur ti z.  Ruçi urdhëroje komandantët e postave me cilësinë e sekretarit të parë të vrisnin të rinjtë shqiptarë në kufi, edhe kur Ramiz Alia urdhëronte të vriteshin ata që kalonin kufirin në emër të lirisë së lëvizjes. Këtë të drejtë Partia Demokratike e njeh si një të drejtë universale, e njeh si një të drejtë për fshesaxhiun e për Presidentin, për të gjithë. Në këtë aspekt tingëllojnë boshe dhe bolshevike deklaratat e zëdhënësit të Presidentit sot se Partia Demokratike ka shprehur xhelozi ndaj udhëtimeve të tij.

I rikujtojmë atij dhe juve, zotërinj deputetë, se gjatë 20 vjetëve Presidenti ynë i nderuar doli vetëm dy herë jashtë shtetit në udhëtime pune, ndërsa në këtë periudhë brenda një jave ai udhëtoi dy herë dhe ne s’kemi xhelozi për kurrkënd. Por ne kemi shprehur shqetësimin tonë dhe përsëri insistojmë në atë se vizita e tij në Turqi dy ditë para zgjedhjeve të përgjithshme ishte një vizitë që nuk ka se si të mos shqetësojë forcat e vërteta demokratike në Shqipëri dhe në Turqi.

Personalisht kam respektin më të madh për politikanët e shquar turq dhe i uroj sukses edhe një herë në fitoren e tij z. Demirel. Vizita e zotit Alia ishte jashtëzakonisht e pavend. Ajo duhej të bëhej dhe mund të bëhej pas zgjedhjeve në këtë vend ose në një periudhë tjetër. Për atë që njeh dhe respekton etikën demokratike, në asnjë mënyrë kjo nuk mund të pranohet.

Së fundi dua të ndalem në një pikë të veçantë, në atë të ndryshimit. Z. Gramoz në asnjë rast, në asnjë rrethanë nuk mund të flasë kurrë për një qëndrim timin se unë pengoj njeri për të ndryshuar. Në asnjë mënyrë. E drejta e ndryshimit është një e drejtë e shenjtë. Që në fillim kemi deklaruar se këtë të drejtë ia uronim ta gëzonte edhe Partia e Punës.

Por për fat të keq ajo humbi emrin, ndërroi kostumin, kurse zakonet po i vazhdojnë prapë disa nga ju kriptokomunistët në këtë sallë që fituan nën terror, nën frikën që ushtruan, njëri prej të cilëve jeni dhe ju z. Ruçi dhe ju rikujtoj se gjatë qenies suaj si Ministër i Brendshëm shumë shqiptarë humbën jetën, të tjerë u torturuan burgjeve. Më çudit gjakftohtësia me të cilën folët në këtë tribunë.

-Arben Imami: Kam për të thënë vetëm këtë gjë: replika që bëhet nuk mund të zgjasë pafundësisht në kohë, siç qe ajo e z. Ruçi. Kemi thënë që ajo mund të zgjasë një, dy ose tri minuta. E dyta, deklarata e grupit tonë parlamentar ishte në mbrojtje të etikës dhe praktikës parlamentare, të procedurave demokratike parlamentare, të cilat cenohen sërish në replikën e z. Ruçi, e cila nuk i drejtohet thelbit të deklaratës, por përpiqet të bëjë insinuata në drejtim të deputetëve të ndryshëm.

(E kërkon fjalën deputeti Azem Hajdari).

-Kastriot Islami: Ju lutem, deputeti Azem Hajdari, mos flisni pa leje, se nuk jua kam dhënë fjalën. (Deputeti Hajdari vazhdon të flasë nga vendi). Unë nuk e vë veten në pozitë me ju. Ju lutem, tregohuni i matur, thirrini arsyes, mos flisni pa leje! Z. Hajdari, po ju bëj thirrje të qetësoheni, respektoni rregullat e miratuara nga Kuvendi, tregohuni i matur! (Deputeti Hajdari vazhdon të flasë nga vendi). Ju lutem, tregohuni i kulturuar! Ju lutem, mos u tregoni banal! Unë ju ftoj të tregoheni i matur, i nderuar deputeti Hajdari. Fjalën e ka deputeti Shaqir Vukaj.

E.M./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Arbëri: 10/12/2020 08:54

    Sali Berisha AGJENT i serbo-grekut dhe anti SHQIPËTARË i përbetuar...!!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?