Pas debatit në distancë për akuzat se në Britani një në 50 shqiptarë ndodhet në burg, deputeti britanik Nigel Farage ka pranuar ftesën e kryeministrit Edi Rama për të vizituar Shqipërinë. Përmes një videoje, Farage bën me dije se do të diskutojnë kthimin e të burgosurve, duke “këmbëngulur” se Rama do të duhet që të marrë mbrapsht.
“E pranoj ftesën e kryeministrit Edi Rama për të vizituar Shqipërinë si i ftuar nderi. Do të diskutojmë kthimin e të burgosurve shqiptarë.”, ka shkruar Farage krahas videos, në të cilën rithekson deklaratat e tij dhe kundërshtitë e Ramës për shifrat, por shton se mund të jenë ndoshta 'një në tre...katër'.
“Një në 50 shqiptarë në Britani është në burg. Dhe unë fola për këtë para pak ditësh në GB Neës. Edi Rama, ky gjigand njeri që është Kryeministër i Shqipërisë, ka reaguar dhe ka thënë se "po flas broçkulla", se shifrat e mia janë të gjitha të gabuara. Ai gjithashtu tha: "Si guxon Britania të mendojë për të dërguar njerëz jashtë vendit që u është refuzuar kërkesa për azil". Po vetë ai është duke bërë një marrëveshje me Italinë për të marrë disa nga azilkërkuesit e tyre të dështuar. Çfarë hipokrizie nga ky Kryeministër pro-Bashkimit Europian dhe anti-Brexit. Epo, po të them një gjë, Edi: nëse je burrë i mirë, pse nuk i merr të gjithë të burgosurit tanë shqiptarë?
Ai tha që nëse shifrat e mia janë të sakta, do të marrë çdo shqiptar në burg dhe do ta kthejë në Shqipëri. Ne i kemi kontrolluar dhe ri-kontrolluar shifrat tona. Jemi në rregull. Por Edi thotë, jo, keni gabim, sepse ka mijëra emigrantë të paligjshëm nga Shqipëria në Britani. Epo, kjo do të thotë që numri i kriminelëve nuk është një në 50. Ndoshta është një në tre. Ndoshta një në katër. Nuk e di. Gjithsesi, debati vazhdon me Kryeministrin shqiptar.", thotë Farage, duke shtuar se ka pranuar ftesën.
Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur me një reagim të gjatë dhe me një ton më të ‘ashpër’ duke i thënë se duhet të pranojë se ka gabuar. Kreu i qeverisë i shkruan se shqiptarët nuk janë mish për propagandën e Brexit, por janë pjesë e integruar e shoqërisë britanike që kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm.
Më tej i kërkon që të caktojnë datën e vizitës në Shqipëri, ndërsa shton se shpreson që ardhja e tij do ta frymëzojë me ide dhe jo se si të luftojë njerëzit. Postimin në X e ka shoqëruar edhe me një foto të krijuar me Inteligjencë Artificiale, ku shihet Rama me flamurin britanik dhe Farage me flamurin shqiptar, në bregdet. Në tavolinën në të cilën shfaqen të ulur në bregdet, kanë dy gota verë dhe peshq.
“Nigel, Nigel, Nigel… Nga “një kriminel në pesëdhjetë shqiptarë”, pretendimi juaj tani është shndërruar në: “Ndoshta është një në tre, ndoshta një në katër, nuk e di…” Vërtet?! Nuk e dini? Dhe kjo vjen pasi thoni se i keni kontrolluar dy herë shifrat? Unë tashmë ju drejtova te të dhënat e vetë The Telegraph (me bujari, mund të shtoj) duke zgjedhur referencën tuaj, megjithëse një referencë vetëkontradiktore. Por dukeni të vendosur të vazhdoni në gabim. Pra, më lejoni t'ju ndihmoj me sqarime të mëtejshme. Sipas të dhënave nga Ambasada e Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, një institucion që merret me njerëz të vërtetë, jo me fraza të Brexit, numri i shqiptarëve në vendin tuaj nuk është 53,000, siç sugjeron fillimisht The Telegraph. Në fakt, në të njëjtin artikull, ajo pranon, dhe citoj, “analiza ka të ngjarë ta ketë nënvlerësuar numrin e popullsisë shqiptare”. Pastaj spekulon se shifra mund të jetë deri në 140,000.
Në realitet, z. Nigel Farage. E di çfarë? Shifra është mbi 300,000, vëlla! Këta janë njerëz që mësojnë fëmijët tuaj, që ndërtojnë shtëpitë tuaja, që kujdesen për të moshuarit dhe të sëmurët tuaj. Ata nuk janë mish për dhëmbët e propagandës së shpëlarjes së trurit pas Brexit-it. Ata janë pjesë e strukturës së shoqërisë suaj. Edhe pa kontrolluar moshën, gjininë apo statusin socioekonomik, raportet tuaja bien. As një në pesëdhjetë. Dhe sigurisht jo një në tre ose katër. Këto nuk janë statistika, janë taktika frikësimi të maskuara si të dhëna. Pra, më lejoni t'ju pyes qartë: pse është kaq e vështirë të pranosh se ke gabuar, pa zvarritur në baltë një komunitet të tërë njerëzish të shkëlqyer dhe punëtorë që i shërbejnë atdheut tënd me dinjitet sikur të ishte i tyri? Britania është tashmë e madhe dhe jo më pak për shkak të diversitetit, qëndrueshmërisë dhe forcës së saj shumëkulturore.
Një komb në stres politik post-traumatik nuk ka nevojë për kurbane. Nuk ka nevojë për goditje të kota. Dhe sigurisht nuk ka nevojë për mite në vend të fakteve. Shpresoj sinqerisht që vizita juaj e ardhshme në Shqipëri t'ju frymëzojë të luftoni për ide, në vend që të luftoni kundër njerëzve - në frymën e traditës së madhe liberale për të cilën vendi juaj ka qëndruar prej kohësh. Pres me padurim t'ju mirëpres në vendin tonë të bukur si mysafir nderi. Por, përpara se të arrini për të shijuar diellin e vërtetë dhe mikpritjen e sinqertë, a mund të biem dakord të diskutojmë faktet, jo fantazitë tuaja pas së vërtetës? Le të caktojmë datën.", replikon Rama.
Përplasja në distancë nisi pas reagimit të Farage lidhur me një deklaratë të kryeministrit Edi Rama për The Guardian se plani i Keir Starmer për të dërguar azilkërkuesit jashtë vendit tregon se Britania post-Brexit ndodhet në “një vend shumë të errët”. Kreu i qeverisë shqiptare e sfidoi për një përballje shifrash reale, ndërsa u zotua se nëse pretendimi i tij rezulton i vërtetë, do t'i marrë të gjithë në Shqipëri. I bindur se shifra e Farage nuk qëndron, Rama tha se nuk pret të marrë nga ai ndjesë, por e ftoi që të vinte në Shqipëri.
Foto me AI e postuar nga Edi Rama
Komente
