Aksidenti tragjik që u regjistrua mëngjesin e sotëm te kryqëzimi i '21 Dhjetorit' në Tiranë, ku humbën jetën dy persona, Luan Cenollari, 58 vjeç, dhe 69-vjeçari Ali Bejo, shokoi jo pak opinion publik, duke treguar qartësisht se shoferët e 'fortë' në vend lëvizin në rrugë të dehur, duke mos respektuar rregullat e qarkullimit e as orën policore. Emirjan Doko ishte i dehur në timon, po ecte me shpejtësi dhe as nuk ndaloi në semafor, në momentin që përplasi automjetin që drejtohej nga Cenollari.
E pikërisht kjo ka qenë edhe tema e debatit sot në 'Report Tv'. Eksperti i sigurisë rrugore, Ismail Qibini e konsideroi aksidentin të frikshëm që nuk duhej të ndodhte në një zonë të banuar. Ai kërkoi që Policia Rrugore të shtojë masat ndëshkuese ndaj shoferëve që shkelin rregullat e qarkullimit. Po ashtu ai theksoi se të rinjtë janë ata që shkelin më shumë rregullat duke qarkulluar në rrugë me agresivitet e duke u kthyer në burim aksidenti.
"Është një aksident i frikshëm ku ndikimi në opinionin publik është i madh për shak se aksidenti ndodhi në një kryqëzim ku lëvizja e njerëzve është e pranishme. Është nja aksident që duhet të ndodhte në atë zonë të banuar. Në orën që ka ndodhru aksidenti nuk ka fluks mjetesh, drejtuesi ka qarkulluar me shumë shpejtësi. Përdorimi i pijeve nga drejtuesit e automjeteve ndikon në sistemin nervor qendror dhe rrite koha e reagimit të drejtuesve të mjetit dhe nuk i perceptojnë situata në rrugë. Ai ka qarkulluar mbi normën e lejuar në rrugë. Alkooli rrit kohën e reagimit të shoferit. Alkooli ka çuar në shpejtësi tej normave dhe ka bërë që ai të mos ndalojë në semafor. Nga të dhënat paraprake kemi shpejtësi tej normave të lejuara dhe përdorim të pijeve alkoolike. Policia rrugore duhet të pajiset me mjete logjistike, sidomos në akset me fluks të shtuar lëvizje dhe duhet monitorim nga policia rrugore me pajisje me qëllim që të ketë impakt. Sa i përket përdorimit të pijeve alkoolike, zakonisht janë të rinjtë, që ecin në rrugë në mënyrë agresive, të acaruar, nuk zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor, semaforët. Ndaj këtij kontingjenti policia duhet të shtojë masat administrative", tha ai.
Në të njëjtën linjë mendimi me të ishte edhe Eldi Merolli, i cili prej vitesh punon si taksist, teksa tha se përballet me shoferë në moshë të re që drejton automjetin në mënyrë të papërgjegjshme. Autorin e aksidentit të sotëm, taksisti e konsideroi 'vrasës'.
"Aksidenti është shumë tragjik. Policia është prezente në autostradë e në rrugë, por ligji duhet të jetë më i ashpër për këto shkelje. Këto shoferë që shkaktojnë kështu tragjedi mund t'i quajmë vrasës. Unë natën kur punoj shoh policë që patrullojnë për të respektuar orën policore, futen në lokale për të ndaluar aktivitetin. Moshat e reja, në momentin që marrin lejen e drejtimit, janë problematik në rrugë. Duhen ndërgjegjësuar", theksoi taksisti.
Aktivisti Sazan Guri e vuri theksin te fakti se ky aksident, përtej të tjerave tregoi edhe se ora policore nuk respektohet. Ngjarja e rëndë u regjistrua në orën 03:20 të mëngjesit, teksa Guri ngre pyetjen se ku konsumoi alkool shoferi përgejgjës në aksident, në një kohë kur të gjithë baret duhej të ishin të mbyllur?
"I aksidentuari, polici ka qenë në kushte të vështira ekonomike që ka marrë përsipër riskun për të punuar natën, ka qenë i pafajshëm. Shoferi tjetër ka thyer disa rregulla, lind pyetja meqë ishte i pirë ku e gjeti lokalin hapur për të pirë? Për shkak të pijes nuk ka perceptuar semaforin, ka patur reagim të vonuar. Ka thyer goxha rregulla. Në muajt e parë të vitit të kaluar, njeriu e ndjeu dhe e respektoi vendimin e qeverisë, më pas u bë e zakonshme. Ça është ky vendim që nuk funksiononka? Njerëzit e kanë harruar orën policore nga ajo që nuk janë bërë kontrolle, njeri e ka vrarë atë frikë. Është ulur vigjilenca. Moshat e reja, shoferë problematikë", u shpreh Guri.
Cenollari ishte polic burgjesh, por punonte edhe si taksist për të përballuar kostot e jetesës, ndërsa 69-vjeçari Ali Bejo ishte pasagjer në automjetin e tij.