Debati për ‘Aktivistin’, Etjen Xhafaj në Report Tv: Aplikacioni i ‘certifikuar’ online, zero info sensitive kërkohen! Kush ka nxjerrë të dhënat shkon para drejtësisë

20 Shkurt 2023, 18:10| Përditesimi: 20 Shkurt 2023, 18:29

  • Share

Partia Socialiste e ka seriozisht që të padisë penalisht të gjithë ata që kanë marrë të dhëna nga aplikacioni ‘Aktivisti’ dhe i kanë përdorur, disa për të targetuar persona të veçantë. Sekretari Digjital i PS, deputeti Etjen Xhafaj, i ftuar në ‘Studio Live’ të gazetarit Arbër Hitaj në Report Tv tha se të dhënat mbrohen me ligj dhe ata që e kanë shkelur ligjin do të përgjigjen.

“Personat përgjegjës do të çohen para ligjit. Ne jemi duke u marrë shumë seriozisht për denoncimin penal. Aplikacioni dhe të dhënat janë të përdoruesve. Përdorimi i të dhënave është i ndaluar me ligj. Të dhënat janë publike por nuk mund të merren dhe të ekspozohen njerëzit edhe nga bindjet.  Së pari një herë u krijua një listë e falsifikuar, me mbi 90 mijë emra, që ishte edhe Ilir Meta. Së dyti filluan të targetoheshin njerëz. Ekspozoheshin njerëzit e aplikacionit. Unë thashë që aty mund të ketë edhe kundërshtarë”, tha Xhafaj.

Duke shpjeguar pse u krijua aplikacioni Sekretari Digjital socialist tha se qëllimi është vetëm komunikimi i mesazhit politik të PS dhe promovimi i atyre që punojnë.

“Ne kemi pasur gjithmonë, në çdo zgjedhje, një metodë të re për komunikim me qytetarët. Këtë herë ishte shumë e rëndësishme duke pasur parasysh që ne e kemi thënë se komunikimi me qytetarët është vendosur prioritetet.  Ky aplikacion është komunikimi dhe kemi përqendruar burimet. Një mënyrë e lehtë për t’u naviguar dhe për t’u kontrolluar komunikimi dhe qëndrimi politik e mesazhet e Partisë Socialiste.  Aplikacioni është akuzuar për gjithfarë gjërash.  Përdorimi gjoja i administratës apo që aplikacioni monitoron Facebook-un është një histori e vjetër. Gjithnjë e kanë bërë.  Çfarë historie është kjo? Është prodhuar një histori false nga fillimi deri në fund. Një person që donte të bëhej i famshëm hodhi një gur dhe fatkeqësisht edhe opozita e mori. Asnjë e dhënë sensitive nuk kërkohet. Aplikacioni është i hapur për të gjithë, edhe për kundërshtarë”, tha Etjen Xhafaj.

Ai gjithashtu tha se opozita me akuzat synon të krijojë ‘stuhi në gotë uji’ dhe të bëjnë ‘gjithmonë një revolucion’.

“Synimi i aplikacioni është komunikimi. Të gjitha këto të tjera janë se çfarë do të bënin këta po ta kishin. Të dhënat aty janë emër, mbiemër, një numër telefoni ose adresa e emailit që të verifikohet dhe pastaj një qark. Edhe adresa është me zgjedhjen e përdoruesit. Nuk ka asnjë të dhënë tjetër që duhet. Nuk ka as vendin e punës.  Është një aplikacion transparent komunikimi. Njerëzit mund të regjistrohen me emrin e tyre apo të përdor një kod. Edhe ‘App store’ dhe ‘Play Store’ e kanë audituar aplikacionin dhe e kanë provuar që asnjë standard nuk shkelet. Ka një sistem pikësimi, qëllimi është gara e brendshme. Të promovojmë ata që angazhohen. Aty ka dhe limit pikësh”, tha ndër të tjera në Report Tv Sekretari Digjital i PS, deputeti Etjen Xhafaj.

Kujtojmë se 10 ditë më parë Partia Socialiste iu është drejtuar me një kërkesë të gjithë mediave audiovizive dhe atyre online që të mos publikojnë të dhënat personale të personave që janë pjesë bërë pjesë e aplikacionit të socialistëve ‘Aktiv1sti’. Në kërkesën e drejtuar mediave PS thotë se publikimi i të dhënave cenon të drejtat e qytetarëve dhe u bën thirrje mediave që i kanë publikuar të dhënat t’i fshijë ato.

Kjo kërkesë e PS-së erdhi pas një liste të publikuar në media në të cilën pretendohet se janë emrat e përdoruesve të ‘Aktiv1st’-it, por socialistët thonë se është një listë e manipuluar. Ndërkohë, disa prej mediave janë regjistruar në aplikacion dhe kanë publikuar të dhëna të disa prej përdoruesve, gjë që ka bërë edhe Partinë Socialiste të reagojë.

“Aktivisti”, një aplikacion për anëtarët e PS ka ndezur debatin politik. Opozita thotë se në aplikacion janë regjistruar edhe prokurorë e gjyqtarë për t’i bërë fushatë qeverisë, ndërsa duke e mohuar socialistët thonë se tek “Aktivisti” mund të regjistrohet kushdo, edhe me emrin e dikujt tjetër.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?