TIRANË- Fajtor për debatin që është rindezur së fundmi se emri i kujt duhet të vendoset në fletën e votimit të 14 majit, për ish kreun e KQZ-së, Kristaq Kume është vetë legjislacioni ynë pasi nuk e ka të shkruar të qartë se si do të vijohet në situata të tilla. I ftuar në Report Tv, Kume shprehet se Kodi Zgjedhor lë shumë hapësira për interpretim, e për pasojë ka sjellë këtë përplasje mes Partisë Demokratike dhe Koalicionit “Bashkë Fitojmë”.
“Unë edhe një herë po i referohem edhe një herë se çfarë ka Kodi Zgjedhor. Nuk përcakton asnjë gjë. Dhe në këtë drejtim mund të vendosej edhe një emër tjetër sepse Kodi nuk e thotë qartë. Duhet të ishte e qartë në ligj. Nuk ka kuptim. Pse e kanë lënë një gjë të tillë? Sepse nuk i kushtojnë vëmendjen e duhur gjësë. Dhe pastaj cenohet procesi zgjedhor. Ta kishin shkruan ‘koalicioni me Berishën fitojmë’ dhe ta kishin kështu. Askush asgjë nuk do t’i bënte”, tha Kume.
Nga ana tjetër, analisti Poli Hoxha e sheh si të gabuar vendimin e kryekomisionerit Ilirjan Celibashi për të miratuar një fletë votimi pa emrin e një drejtuesi, pa hyrë në debate se cili do duhet të ishte.
“Për faktin se kjo është një gjë që është lënë relative në Kodin Zgjedhor për mendimin tim në këtë rast duhet marrë tradita. Gjithmonë është vendosur që koalicioni ka një udhëheqës. Edhe Dule mund të ishte vendosur, por lënia e vendit bosh ndërkohë që ti e kërkon vetë bosh dhe më pas kërkon të heqësh edhe logon, është e gjitha në kuadër të një lufte politike. Nuk do vendosej emri i z. Berisha që do të ishte më optimistja për ta, të paktën të mos kishin asnjë emër”, shtoi ai.
Mirëpo, analisti Shpend Gashi nuk e sheh aspak si arsye për diskutimin e emrit në fletën e votimit. Ai thotë se nëse do ishte emri i Ilir Metës apo i Sali Berishës, do të kishte pak rëndësi pasi nuk ndikon në elektorat.
“Nëse kushtet politike do të ishin si në politikë daneze atëherë do të kishte ndikim. Në mentalitetin tonë që jemi ‘komunistë’ atëherë po do të kishte një lloj vlere. Ju e kuptoni që më e rëndësishme është largimi i këtij ‘fosiles’ politike që ka që prej vitit 1998 në pushtet. Kjo është gjëja më kryesore”, shtoi ai.
Sipas Gashit, e rëndësishme është largimi i Edi Ramës nga pushteti.