Inceneratori i Elbasanit

Reagon Bashkia Elbasan: Inceneratori ka prodhuar energji që në 2017! Do e marrim në dorëzim në 2021

16 Tetor 2020, 16:07| Përditesimi: 16 Tetor 2020, 16:14

  • Share

Pas debateve të lindura mbi inceneratorin e Elbasanit, ka ardhur edhe reagimi i Bashkisë e cila sqaron se ky incenerator është në punë që prej vitit 2017 dhe prodhon energji elektrike, mjaftueshme për veten e saj si edhe për ta dërguar në rrjet.

Ajo thekson se Bashkia nuk e ka marrë në dorëzim jo sepse nuk është funksionale, por sepse në kontratë është parashikuar që kjo të ndodhë në vitin 2021, pas pas më shumë se një viti

"Nisur nga disa spekullime skandaloze politike dhe mediatike, në lidhje me funksionimin e Impiantit të Përpunimit të Mbetjeve Urbane në qytetin e Elbasanit, Bashkia e Elbasanit sqaron opinionin publik se prej Shkurtit të vitit 2016 ky impiant nisi operimin në Elbasan ndërsa incenerimi nisi në vitin 2017, prej asaj kohe funksionon normalisht çdo ditë.

Që prej kësaj kohe Bashkia e Elbasanit depoziton mbetjet urbane në këtë incenerator pa pagesë, në bazë të marrëveshjes së nënshkruar mes Ministrisë së Mjedisit dhe Albtek Energy. Që prej kësaj date impianti ka funksionuar normalisht dhe prej incenerimit të mbetjeve është prodhuar energji. Energjia e prodhuar përdoret  për nevojat e vetë këtij impianti ndërsa teprica hidhet në rrjet.

Në bazë të kontratës shoqëria Albtek Energy, menaxhon impiantin e përpunimit të mbetjeve urbane deri në datë 16.12.2021, më pas ky incenerator do të merret në dorëzim nga Bashkia e Elbasanit. Pra, jemi më shumë se një vit para nga marrja në dorëzim e objektit. Në qershor të vitit 2021 (6 muaj para) Bashkia e Elbasanit do të nisë procedurat për marrjen në dorëzim të tij.

Impianti i Përpunimit të Mbetjeve Urbane ka një kapacitet ditor të përpunimit të mbetjeve 120 tonë. Aktualisht Bashkia e Elbasanit depoziton jo më shumë se 80 tonë në ditë. Për këtë arsye, por edhe për të zgjidhur problemin e ndotjes në qark, bashki të tjera kanë nënshkruar kontratë dhe aktualisht depozitojnë mbetjet e tyre në këtë incenerator.

Bashkia e Cerrikut, Bashkia e Belshit dhe Bashkia e Librazhdit tashmë depozitojnë mbetjet e tyre në inceneratorin e Elbasanit. Ky incenerator, fjala e fundit e teknologjisë është i pari në Shqipëri dhe Bashkia e Elbasanit vlerëson vendimin e qeverisë dhe Ministrisë së Mjedisit që ky investim shumë i madh dhe i domosdoshëm të vinte në Elbasan. Problemi i mbetjeve urbane ka qenë një gangrenë e këtij qyteti dhe më në fund prej 3 vitesh  Elbasani merr frymë lirisht.

Bashkia e Elbasanit përmes Inspektoriatit të Mjedisit kryen inspektime të herë pas hershme në këtë incenerator për të parë mirëfunksionimin e tij. 

Bashkia e Elbasanit, por jemi të bindur që edhe kompania, janë të hapur për të gjithë skeptikët, por edhe për çdo qytetar që ka kuriozitet, të shkojnë të vizitojnë ambientet e këtij impianti, të shohim funksionimin e tij, por edhe emetimet në mjedis. Kujtojmë se edhe më mosbesuesit (në kohën që do të ndërtohej ky impiant) tashmë janë bindur se kjo ishte zgjidhja më e mirë e mundshme dhe pa ndotje për mjedisin. Kompania ka një vetmonitorim 24 orë nga kompania prestigjoze Siemens, të dokumentuar për emetimet mjedisore, por gjithashtu kontrollohet nga institucionet përkatëse", njofton Bashkia.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?