Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, përsëriti edhe një herë vendosmërinë e mazhorancës për të respektuar sipas tij të gjitha masat anti COVID në Kuvend në këtë periudhë pandemie.
Ai tha se një pjesë e mbledhjeve të komisioneve parlamentare do të zhvillohen online, ndërsa ato më të rëndësishme do të bëhen në sallat e mëdha të zyrave të Kuvendit.
"Ju do të njiheni me procesverbalin e mbledhjes së kryetareve ku është qartësisht e shpjeguar vijueshmëria e punës së komisioneve. Natyrisht do të ketë komisione online por edhe mbledhje të rëndësishme që do të zhvillohen në 2 sallat e mëdha që plotësojnë kushte për mbledhje në distanca. Opozita të gjejë arsye të tjera për tu shqetësuar por jo kjo. P.sh. nëse do të bëhet fjalë për një mbledhje normale ajo do të bëhet online, nëse do të jetë e rëndësishme ajo do të bëhet në sallat e mëdha të Kuvendit. Po bëhet e njëjta gjë si në shumë parlamente të Evropës.
Unë jam krenar për vendimin që u mor pas propozimit për vaksinim të detyrueshëm. Unë do t'i bëja thirrje çdo qytetari shqiptar që të vaksinohet, në veçanti studentëve në kushtet kur i afrohemi vitit të ri universitar. Nuk e di se ku e ka dëgjuar opozita që ne nuk jemi në situatë të jashtëzakonshme prej pandemisë COVID. Kuvendi i Shqipërisë duhet të japë shembullin e tij, e përsëris", tha Balla në një prononcim për mediat jashtë sallës së Kuvendit.
Lajmi kryesor:
Brenda një afati, asnjë deputet s’do të futet në Kuvend i pavaksinuar! Opozita kundër komisioneve online: Duan të na mbyllin gojën, PS: Mbledhjet më të rëndësishme do mbahen në salla
K.T.//ReportTv.al