Menaxhimi i parkut të Butrintit, përplasi një ditë më parë deputeten e Partisë Demokratike Ina Zhupën me ministren e Kulturës Elva Maragariti. Për deputeten demokrate kjo marrëveshje jep me koncesion parkun e Butrintit dhe rrezikon identitetin historik të sajtit arkeologjik, ndërsa i kërkoi llogari në lidhje me konfidencialitetin e marrëveshjes 10-vjeçares, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit përmes Partneritetit Publik-Privat.
Por ministrja e Mjedisit dhe Turizmit, Mirela Kumbaro, thotë se Parku Arkeologjik i Butrintit nuk do të jepet me koncension. Nga Pogradeci, Kumbaro u shpreh se Ministria e Kulturës po krijon një fondacion sipas ligjit të OJF-ve për të rritur investimet në sitet kulturore. Kumbaro nënvizoi se nuk bëhet fjalë për kontratë koncesionare, por për një marrëveshje bashkëpunimi me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.
‘Nuk ka asnjë dhënie me koncesion të Parkut të Butrintit. Ministria e Kulturës me një ligj të posaçëm në bazë të ligjit të Trashëgimisë Kulturore të vitit 2018, po krijon një fondacion sipas ligjit të OJF-ve që prej vitesh është në fuqi siç janë krijuar shumë fondacione të tjera, është një mënyrë dhe hapësirë ligjore që ne na e jep ligji per trashëgiminë kulturore ose i OJF-ve per të rritur investimet ne sitet kulturore”, u shpreh ministrja.
Në prill të këtij viti qeveria miratoi një marrëveshje mes ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit të Menaxhimit të Butrintit për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit. Pas diskutimeve në komisionet parlamentare, Marrëveshja pritet të kalojë në parlament për t’u miratuar.
Fondacioni për menaxhimin e Butrintit krijohet në partneritet me Fondacionin jo shtetëror Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe do të përbëhet nga 5 anëtarë, 2 prej të cilëve nga Ministria e Kulturës, 2 të tjerë nga partneri strategjik AADF, ndërsa një i pestë është arkeologu i huaj britanik Riçard Hoxhes. Kontributi fillestar financiar i partnerit strategjik është 5 milionë dollarë, ndërsa ai i Ministrisë së Kulturës, 2 milionë dollarë.
Një përqindje e të ardhurave të Parkut të Butrintit (duke filluar me 0,5% vitin e parë, deri në 2% e të ardhurave në vitin e katërt) të do të derdhen në Fondin e Trashëgimisë Kulturore, për t’u investuar në site të tjera të trashëgimsië kulturore në Shqipëri.
Marrëveshja e miratuar nga qeveria shqiptare mbështetet në Planin e Menaxhimit të Integruar për Parkun Kombëtar të Butrintit 2020 – 2030, një dokument prej 300 faqesh, hartuar nga kompania angleze “Prince and Pearce”, kontraktuar dhe mbështetur financiarisht nga Fondacioni Shqiptaro Amerikan për Zhvillim.
Po në janar të këtij viti qeveria shqiptare mori një tjetër vendim duke reduktuar sipërfaqen e zonës së mbrojtur të Parkut Kombëtar të Butrintit nga 9.424,2 hektar në 8.622,2 hektar. Pra, një sipërfaqe prej rreth 800 hektar nga Manastiri, Gjiri i Hartës dhe deri në kufirin jugor tek Gjiri i Pemës së Thatë, nuk përfshihet më në statusin e zonës së mbrojtur, duke i hapur rrugën investimeve turistike.