Rruga “Ibrahim Rugova” nuk është shkurtuar, siç është thënë nga opozita në media ditët e fundit, por përkundrazi është zgjatur me 300 metra dhe shkon deri te Diga e Liqenit. Deklarata është bërë sot nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj
Veliaj theksoi se segmenti nga ‘Shallvaret’ te ‘Banka e Shqipërisë’, i cili prej disa vitesh quhej rruga “4 Shkurti” është saktësuar në emërtimin “Dëshmorët e 4 Shkurtit”.
“Rruga ‘Ibrahim Rugova’ jo vetëm që nuk është shkurtuar, por është zgjatur dhe po ua shpjegoj pse. Ajo fillon tek Ura e Lanës, vazhdon te Presidenca, pastaj te sheshi ‘Shopen’, por nuk përfundon aty, sepse me hapjen e ish-Gardës së Republikës, vijon matanë saj, duke u zgjatur edhe me 300 metra të tjera. Pjesa tjetër e rrugës, segmenti nga ‘Shallvaret’ te ‘Banka e Shqipërisë’ quhej rruga ‘4 Shkurti’. Ka 7-8 vjet që quhet kështu. Organizatat e Veteranëve na kërkuan saktësimin e emërtimit të saj në ‘Dëshmorët e 4 Shkurtit’”, tha ai në një intervistë televizive.
Veliaj shtoi se ka komunikuar me familjen e ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, me të cilët po planifikon vendosjen e një shtatoreje në Tiranë.
“Dje kam pasur një bisedë të gjatë dhe jashtëzakonisht miqësore me Ukë Rugovën, djalin e Presidentit të nderuar, Ibrahim Rugova. I kam shpjeguar situaten dhe ai ishte jashtëzakonisht mirëkuptues. Unë jam mik me atë familje. Në zyrën time, familja Rugova mori nënshtetësinë shqiptare. Ishte një nder i madh për mua! Znj. Rugova vinte për herë të parë në Shqipëri, kështu që, unë kam detyrimin t’ia shpjegoja familjes Rugova dhe ata, jo vetëm janë të qarte, por edhe dashamirës, madje së bashku po planifikojmë vendosjen e një shtatoreje të Ibrahim Rugovës në një nga sheshet e rrugës që tani është zgjatur. Pra, kalon edhe ish-Gardën e Republikës dhe del te Diga e Liqenit Artificial sepse është vazhdim i asaj rruge, mes për mes ish-Gardës. Do të jetë një pedonale shumë e bukur dhe ndoshta aty është edhe vendi ideal për një shtatore të Ibrahim Rugovës”, deklaroi ai.
Kryebashkiaku tha se tymnaja e krijuar në Tiranë dhe në Kosovë është organizuar nga politikanë dhe analistë që synojnë përçarjen.
“Më vjen keq që Bashkia e Tiranës sulmohet nga ata njerëz që, teksa ishin në bashki, shkollën “Kosova” donin ta bënin pallat, teksa ishin në qeveri furnizonin me naftë Millosheviçin, madje për ta UÇK-ja ishte një organizatë terroriste dhe teksa ishin gjallë këta drejtues, Sali Berisha s’ju fliste me gojë - njësoj si me modelin e Azem Hajdarit. Por, unë besoj se problemi real që kemi në Shqipëri dhe në Kosovë ka të bëjë me disa njerëz që kanë ende simpati për fashizmin. Në qoftë se Ibrahim Rugova do të ishte gjallë, si antifashisti më i madh ndaj fashizmit të Millosheviçit, do ta kishte nder që të ishte në një segment, që ndahet nga një lumë, me emërtimin e një lëvizje antifashiste, siç ishte Lëvizja Antifashiste në Shqipëri. Ndaj, këtu problemi nuk është rruga! Kush do ta dijë të vërtetën, e zbulon të vërtetën. Kush jeton në Tiranë, i di si janë të vërtetat. Problemi që kemi andej dhe këtej kufirit, është se kemi politikanë që mezi presin vetëm të gjejnë gjahun e ditës, tamam si ajo hiena që kap prenë e vet ta shqyejë, dhe të shqyejnë kombin tonë. Detyra jonë si njerëz seriozë është që të mos përçahemi, as nga këta politikanë, as nga analistët, që janë në borderotë e këtyre politikanëve si andej, edhe këtej kufirit”, tha Veliaj.
Rruga ‘Ibrahim Rrugova’ ka përplasur sërish kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe opozitën e Sali Berishës. Ndonëse Veliaj thotë se nuk është shkurtuar, zëdhënësja për mediat, Floriana Garo shprehet se ky vendim është tregues se si kryebashkiaku është anti-kulturor.
“Janë me qindra rrugët e Tiranës, me emra atentatorësh, bablokësh të Bllokut apo të pleqve të fiseve të komunarëve të Rilindjes, që Rama-Veliaj mund të kishte zgjedhur për “Dëshmorët e 4 shkurtit”. Nuk hoqi apo shkurtoi përgjysmë asnjë prej tyre, sepse ata kanë një afinitet me dhunuesit, ata kulturorë dhe politikë, por u shkoi mendja e mbrapshtë te Ibrahim Rugova. Tirana ka sot plot rrugë me emra bashibozukësh, dhe një rrugë më pak me emrin e një prej etërve themelues të Kosovës së lirë, Presidentit në robëri dhe në liri, studiuesit të Pjeter Bogdanit dhe Gandit të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Partia Demokratike e dënon si të padenjë dhe të paudhë, si akt flagrant anti-politik e anti-kulturore këtë veprim të Rama-Veliajt. Këta ithtarë të cancel culture dhe i ëoke-izmit, ngatërrojnë shportën me fiq dhe letrat murale me kaskadën e kontributeve të Presidentit Rugova për shqiptarinë.Ai jo vetëm shëmton kryeqendrën e shqiptarëve, por u thotë shqiptarëve të Kosovës se simbolet e tyre, simbolet tona të përbashkëta, nuk vlejnë. U thotë luftëtarëve të lirisë e pavarësisë se Rama-Veliaj i marrin urdhrat nga Beogradi, si për kufijtë ashtu dhe për rrugët.
Ky akt jo vetëm cënon të djathtën historike dhe moderne, të këtej dhe andej kufirit, por provokon në mënyrë të hapur, pak ditë nga përvjetori i 15-të i Pavarësisë së Kosovës, për të cilën Ibrahim Rugova dha një kontribut vendimtar. E kuptojmë se pse, emra si Rugova i sëkëlldisin këta lejfenë të kulturës së anullimit. Të gjendur në shoqërinë e merhumëve me pak dije e shumë zullume, të trafikantëve të drogës, votave dhe pasurive publike, ata mendojnë se historia nis me, Edin, Erin, Elisën, Sajmen apo Alexin e dashur dhe bandën e tyre, ku shkëlqejnë drejtoreshat bandite. Partia Demokratike zotohet se do ta kthejë emrin e Ibrahim Rugovës aty ku ishte. Siç do të kthejë të gjitha vendimet të cilat anulojnë historinë e shqiptarëve në favor të Rilindjes. Jo asaj Kombëtare, por të Sojsorollopit që kërkon të bëjë politikë edhe aty ku ka vendosur njëherë e mirë historia”, thotë Garo.
Turp te kesh Floriana Garo,turp te kesh per fjalet qe leshon!
Përgjigju