Debati për Simon Mirakën, PS: Merr mbështetjen tonë në Kuvend nëse hiqet firma e 'katranit me bojë'! Po e ndihmojmë të mos bëhet pis

30 Maj 2022, 10:52| Përditesimi: 30 Maj 2022, 14:42

  • Share

Kryetari i grupit të PS, Taulant Balla ka folur për debatin në lidhje me propozimin me firmën e Berishës të Simon Mirakës si anëtar i Autoritetit për të Drejtën e Informimit mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit. Sipas tij, firma e Berishës që e cilëson 'katran me bojë' është arsyeja që kandidatura e Simon Mirakës nuk do të merret në konsideratë pasi nuk votojnë asnjë shkresë të firmosur nga ish kryeministri.

Në këtë mënyrë i përgjigjet edhe Gazment Bardhit, i cili reagoi ashpër ndaj mazhorancës në Komisionin e Ligjeve ku u miratua kandidatura duke thënë se janë të pafytyrë pasi janë betuar se nuk pranojnë asgjë që vjen nga 'non grata'. Balla sqaroi se Miraka nuk do të marrë mbështetjen në Kuvend dhe thekson se po e ndihmojnë sepse nuk duan të bëhet pis.

"Më lejoni të sqaroj një element që u krijua një zhurmë apo stuhi në gotë lidhur me një procedurë të ndjekur nga Komisioni i Ligjeve. Ka pasur akuzë ose deklaratë të sekretarit të përgjithshëm të PD, Bardhi. Dua të sqaroj se sa i përket kandidaturës së zotit Simon Miraka, ne e kemi votuar zotin Miraka disa vite më parë kur ai është zgjedhur në mandatin e tij të parë dhe kandidon për mandat të dytë. Ne kemi konstatuar se në deputetët që kanë propozuar kandidaturën e tij figuron edhe katrani me bojë dhe si i tillë e ka bërë pis emrin e tij.

Për ne është e pamundur që zoti Miraka të marrë mbështetjen tonë në Kuvendin e Shqipërisë. Për sa kohë që në një dokument shfaqet firma e katranit me bojë, kështu që në këtë aspekt… I kërkoj zotit Miraka që nëse vjen në një listë të re pa atë do ta konsiderojmë. Mendoj se është në nderin e zotit Miraka që mos ta bëjë pis emrin e vetë me një propozues është sot njësoj si sigurimi i shtetit. Edhe firmëtari i zotit Miraka këto të dyja ka si Sigurimi i Shtetit. Ne nuk duam të bëhet pis, ndaj po e ndihmojmë", tha Balla.  

Fillimisht Komisioni i Ligjeve ka miratuar kandidaturat për anëtarë të Autoritetit për të Drejtën e Informimit mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit. Me shumicë votash, kandidatët që do i kalojnë Kuvendit për votim janë: Altin Hoxha, Gentian Sula, Simon Miraka, Albert Nikolla. Ndërkohë që Ligjet rrëzuan kandidaturat e Marcel Hilës, Besim Ndregjonit, Gjergj Markut, Skënder Vrionit. 

Disa prej emrave propozues në kandidaturën e Simon Mirakës, mes tyre edhe Berisha

Ora 13:48
Debati për Simon Mirakën/ Grupi parlamentar i PD: Nuk kundërshtuam kandidatin, por propozimin e Berishës! PS me standard të dyfishtë

1653825448_SeliaePD.jpg

Grupi parlamentar i PD ka reaguar për kandidaturën e Simon Mirakës për mandatin e dytë si anëtar i Autoritetit të Informimit mbi Dosjet e ish Sigurimit të Shtetit duke thënë se deputetët e PD nuk kanë pasur asnjë kundërshtim për të, por kanë vënë në dukje standardin e dyfishtë të PS. Teksa i referohen çështjes si "gënjeshtër e prodhuar nga pakti Rama-Berisha" dhe shprehin revoltën pasi në Komisionin e Ligjeve u refuzuan  pa asnjë shkak përfaqësues të denjë të të përndjekurve politik. Këtë shqetësim e ngriti i pari Gazment Bardhi, i cili i tha mazhorancës se janë të pafytyrë pasi kanë thënë se nuk pranojnë asgjë që vjen me firmë nga 'non grata'.

"Asnjë nga deputetët e PD në Komisionin e Ligjeve nuk ka kundërshtuar kandidatin Simon Miraka, por kanë kundërshtuar faktin që ai ishte propozim i Sali Berishës dhe ishte i vetmi që çuditërisht u përzgjodh me votat e Edi Ramës. Në këtë rast është vënë në dukje standarti i dyfishtë i Partisë Socialiste.

Revolta jonë ishte shprehje e faktit se me vota të deputetëve të PS u refuzuan pa asnjë shkak përfaqësues të denjë të të përndjekurve politik Marçel Hila, Skënder Vrioni, Gjergj Marku dhe Besim Ndregjoni, të cilët ishin propozuar nga shoqatat e të përndjekurve politik dhe që u votuan nga deputetët e PD në Komisionin e Ligjeve", thuhet në reagimin e grupit parlamentar të PD.

Ora 13:15
Taulant Balla i përgjigjet Berishës: Gati ta votojmë Simon Mirakën nëse hiqet firma e ‘non grata-s’ nga propozuesit

 

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i ktheu sërish përgjigje Berishës në lidhje me mos votimin e Simon Mirakës si anëtar të Autoritet të Informimit mbi Dosjet e Ish-Sigurimit të Shtetit.

“Jemi në një rrugë të duhur në një fushë disi të re për shoqërinë shqiptare. Unë besoj se një prej detyrave që merr shumë rëndësi në rezolutën që do të miratojmë është pikërisht mbrojtja nga diskriminimin nga sektori privat, Shqiptarët janë njohur me një listë pagash dhe aty kishte diskriminim. Është një televizion që deklaronte pagesa gazetarësh, drejtorë informacioni 500 mijë lekë të vjetra. Ky është diskriminim por mund të jetë edhe vepër penale.

Nuk dua të hyj në debat me parafolësin që sapo kreu ushtrimin e radhës këtu në foltoren e Kuvendi dhe që nuk meriton të merret në konsideratë por meqë u përmend këtu për vendimmarrjen

z. Simon Miraka të cilin unë e kam votuar pak vite më parë në mandatin e tij të parë në autoritetin që e ngriti kjo shumicë. Kur PD ishte në pushtet nuk u ngrit kurrë një institucion që të hidhte dritë për dokumentet e sigurimit të shtetit. Dhe arsyeja është se edhe ky që bëri zhurmë këtu ka dritëhijet e tij.  Ne nuk kemi asgjë me kandidaturën e z. Miraka. Jemi të gatshëm ta votojmë sërish nëse nga lista e propozuesve të hiqej emri i katranit me bojë. Do të ishte fyerje ndaj z. Miraka nëse pjesë e propozuesve do të ishte katrani.

S’mund të pranohet që në autoritetin të jetë dikush që propozohet nga katrani që sot është njëlloj si sigurimi i shtetit.

Sa i përket përpjekjeve disavjeçare për të ndjellë ndasi mes veriut dhe jugut, unë mendoj që shembulli më domethënës janë investimet e kësaj qeverie në Tropojë. Ccdo deputet të shikojë si ishte Bajram Curri në vitin 2013 dhe si është sot, si ishte rruga për të shkuar në Valbonë dhe si është sot”, tha Balla në fjalën e tij në Kuvend. 

Ora 13:07
Debati për Simon Mirakën, Berisha: Është pasardhës i një familje të shkëlqyer! Diskriminimi i qeverisë është i pakujfishëm

 

Ish kryeministri Sali Berisha ka folur në Kuvend për Simon Mirakën, të cilit nuk do ia marrin parasysh kandidaturën për mandatin e dytë si anëtar i Autoritetit të Informimit mbi Dosjet e ish Sigurimit të Shtetit pasi është propozuar me firmën e Berishës. Sipas Brishës, ky është diskriminim që i bëhet pasi vjen nga një familje e shkëlqyer. Ndër të tjera, shtoi se qeveria i përzgjedh vetë ata që nuk shkojnë në Gjykatën e Lartë kundrëjt shumave të majme.

"Hoqët nga lista Simon Mirakën që ka qenë një i persekutuar dhe që është pasaardhës i një familje e shkëlqyer. Dhe me një kombinim individë që i lidh krimi, i fshin emrin për të shkuar komisioner në Komisionin e Dosjeve të Sigurimit të Shtetit. Diskriminimi juaj ndaj qytetarëve është i pakufijshëm", tha Berisha.

Komento

Komente

  • Ana: 30/05/2022 12:37

    Kane te drejte keta te PS se ai non grata i mori te gjithe ne qafe

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?