Debati /Të huaj në Këshillin Miratues të Projekteve në QKK, flasin kineastët Milkani edhe Çashku

7 Shtator 2019, 16:34| Përditesimi: 7 Shtator 2019, 20:54

  • Share

Propozimi i kryetarit të Qendrës së Kinematografisë Eduart Makri, që në këshillin e ri miratues të projekteve kinematografike, që përbëhet nga pesë anëtarë, tre prej tyre të jenë të huaj edhe dy shqiptarë nuk është mirëpritur nga të gjithë kineastët.

“Një nga gabimet thelbësore, që shikoj unë që është bërë deri më tani, në mënyrën se si janë bërë projektet është, që janë vlerësuar njerëzit dhe jo projektet. Është bërë hapja zyrtare në faqen e QKK-së, që të futen edhe specialistë të huaj në selektimin e projekteve. Kjo ka shkaktuar një reagim. Por kur i pyes regjisorët ata thonë që: Unë kam qenë në këtë festival, kam marrë pjesë në festivale të huaja etj. Edhe në të gjitha këto festivale ata janë vlerësuar nga të huajt. Këtë lloj vlerësimi ata e pëlqejnë edhe e pranojnë, ndërsa kur thuhet që po specialistë të huaj dhe të mirë do t’i analizojnë projektet tuaja, që në fillim kjo ju duket jo shumë e pranueshme, gjë që nuk ka logjikë në një farë mënyre. Kështu që unë them se kjo gjë është eksperimentuar edhe në qendra të tjera edhe ka rezultat, sepse i huaj në një farë mënyre, kur e shikon projektin tënd e shikon me ftohtësi, pa subjektivizëm dhe me objektivitet, si diçka që ose i pëlqen, ose nuk i pëlqen. Ata që vijnë janë specialistë, nuk do të vijnë njerëz nga rruga, por njerëz që kanë eksperiencë në këtë fushë”, është shprehur ndër të tjera drejtori Eduart Makri gjatë prezantimit të platformës së tij për kamerën e “ReportTV” para pak kohësh.

“ReportTV” sjell qëndrimin e dy kineastëve Piro Milkani edhe Kujtim Çashku për këtë situatë.

“Për ta sqaruar më mirë këtë edhe jo me dy fjalë, do të thoja që struktura e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë e krijuar që në vitet ’90-92, ishte gjëja më pozitive, që nuk ishte një eksperiencë shqiptare, por një përvojë që dy-tre kineastë shkuan në Europën Lindore, në Poloni, Çeki dhe Hungari ku kuptuan, që kushtet e reja të ekonomisë së tregut nuk mund të lejonin që të xhiroheshin filmat, si në kohën e komunizmit me një strukturë gjigante siç ishte Kinostudio. Krijimi i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë ishte gjë pozitive edhe struktura e saj historikisht ka qenë e njëjtë.  Elementi kryesor i saj ka qenë drejtori që është një përfaqësues i sektorit artistik profesionist në përgjithësi, që ka nëndrejtorin ekzekutiv edhe ka një bord. Në bazë të statutit edhe të rregulloreve bordi del nga shoqatat e kineastëve, edhe kështu ka funksionuar deri më sot. Nëse shikojmë përvojën e deritanishme nuk është se kemi qenë në rrugë të mbrapshtë, përkundrazi edhe rezultatet konkrete të këtyre pesë viteve të fundit që ka qenë drejtor Ilir Butka, kemi pasur edhe filma aq të mirë saqë na kanë nderuar edhe në shumë festivale ndërkombëtare”, shpjegon kineasti Piro Milkani.

Çashku edhe Milkani nuk kanë të njëjtin qëndrim sa i përket faktit, që në krye të këtij këshilli të jenë pesë personalitete, shqiptarë edhe të huaj.

“Mendoj që së pari, ideja ka qarkulluar kohë më parë nuk është çështje e tanishme edhe gjithmonë është parë me një lloj dyshimi sa u përket çështjeve që kanë të bëjnë me aspektet ligjore. Në këtë rast problemi është që nuk kemi të bëjmë me një mbështetjeje aktesh ose aktesh nënligjore që e përligjin në një strukturim të tillë. Madje rregullorja e formuluar aktualisht bie në kundërshtim me disa ligje, që kanë të bëjnë qoftë me ligjin e të drejtës autorit, lirinë e krijimtarisë. Kanë të bëjnë me mundësinë që në një farë mënyre të grupohet talenti pavarësisht nga fakti i lidhjeve apo stërlidhjeve që kanë, sepse kjo do të përjashtonte një sërë krijuesish nga të gjithë aktiviteti që kanë. Nuk është çështje bordesh, por është fjala për  komision miratim projektesh. Qëllimi kryesor në këtë gjë nuk ka të bëjë fare nëse do të jenë të huaj apo nuk do të jenë të huaj, por kanë të bëjnë me vendosje të një lloj informaliteti që do të jetë edhe në rang shumë më të gjerë. Unë po flas për një informalitet, i cili akoma në vendin tonë është abuzivist. Do të thotë që duke ju referuar fushës së audiovizualit jetojmë në një pirateri totale televizionesh që kanë licenca publike apo platformash nga më të ndryshmet, këtu bëjmë fjalë edhe këto nuk gjejnë asnjë aspekt në rregulloren aktuale. Por merren me një problem parcial që quhet komisioni me të huaj, duke menduar se me këtë do të përcaktojnë një politikë, e cila vërtetë mund të sjell reformën kaq të nevojshme që ka nevojë kinematografia shqiptare”, shpjegon kineasti Çashku.

Ndërsa Milkani thotë se: “E vërteta është që ky vend i vogël me buxhet të vogël ka shumë shoqata. Natyrisht që nuk mund që t’i ndalosh. Ngrihen pesë djem edhe vajza të reja edhe krijojnë një shoqatë edhe i vënë një emër, e pas statutit kanë të drejtë që të propozojnë një kandidatë. Ka ndodhur shpesh që në bord që miraton projektin e filmit artistik, dokumentar apo vizatimor nuk kanë qenë njerëzit më të përshtatshëm, por janë zgjedhur në rrugë miqësore. Shko ti se mbas dy vjetësh kur të vij unë do të ndihmoj ty. Prandaj ka pasur subjektivizma edhe miratime skenarësh të dobëta. Miratimi i një skenari do të thotë që të derdhësh një buxhet kot më kot parash edhe të realizosh një film të dobët. Të gjitha këto pakënaqësi ekzistonin tek të gjithë ne. Atëherë është e para herë, që me drejtorin e ri të Qendrës që ndërron njëherë në pesë vite u bë një mbledhje në mjediset e kryeministrisë, ku vet kryeministri dëgjoi platformën e drejtorit të ri, se vet drejtori do të ketë një vizion, do të lërë një gjurmë. Ndër, të tjera vet kryeministri u shpreh se nuk është specialist i kinemasë, por mesa kishte dëgjuar “ka disa ndërhyrje që i bëjnë dëm filmit”. Atëherë iu propozoi “po sikur të vijnë tre të huaj, edhe për këta të tre unë do të bëj lobingun edhe do t’ju ndihmoj, edhe dy shqiptarë, që të ketë më shumë objektivitet”. Ideja u duk shumë pozitive edhe atje nuk e kundërshtori askush”.

Milkani mendon se problemi është a është e mundur që në Shqipëri të gjenden pesë personalitete për të futur në bord?

“Është e mundur, por edhe nuk është e mundur, sepse askush që është krijues i vërtetë, që ka ëndërr të bëjë film nuk futet në bord. Në momentin që ti bëhesh anëtar bordi për dy apo tre vjet nuk ke të drejt që ët bësh film, sepse është konflikt interesi. Prandaj duhet që të sakrifikosh veten tënde. Në këtë rast shkojnë ata që janë më pak aktiv edhe vendosin për ata që kanë ëndrra për të bërë filma. Fakti që historikisht filmi shqiptarë gjatë viteve të fundit nuk mund të bëhet pa co-produksion me atë buxhet të vogël që t’i merr nuk mund ta bësh filmin, detyrimisht që do të kërkosh shtesë buxheti edhe mundësi distribucioni të filmi. Për shembull, nëse filmi “Open the door” i Bunkerfilm, ku Pirro Milkanit si producent edhe i Florenc Papas si regjisor. Në skenë u prezantuan coproducenti kosovar, maqedonas edhe italian, së bashku me producentin shqiptar. Të gjithë këta komponent profesional i dhanë filmit një tjetër nivel. Që në momentin që e paraqitën këtë projekt duhet që detyrimisht duhet që ta përkthenin filmin në anglisht. Logjika është që ju i përktheni këta filma në anglisht, përse mos të jenë tre specialist absolutisht asnjanës. Ai nuk e njeh As Piro Milkanin, as Besnik Bishën, as Kristaq Mitron, por ka një votë. Ato gjashtë kandidatura mes tyre do të përzgjidhen tre. Duhet të zgjidhen sepse vetëm në momentin që zgjidhet bordi duhet që të çlirohen fondet për t’u miratuar. Mesa di unë ka tre vite, që nuk mblidhen bordet për të miratuar projektet. Duhet ky bord i ri që të mblidhet urgjentisht edhe skenarët që nuk janë përkthyer të përkthehen urgjentisht edhe mendoj se është një eksperiment pozitiv, një përvojë që do ta tregojë koha. Unë mendoj se nuk do të dalë më keq, do të dalin më mirë skenarët. Skenari është brumi, është baza. Me skenar të dobët nuk bën dot film të mirë, prandaj duhet kushtuar vëmendje. Skenari përkthehet anglisht, përse mos të jenë tre të huaj. Nuk ka asnjë shkelje, nuk ka asnjë përulje ndaj të huajve, përkundrazi ka një frymë bashkëpunimi në këtë botë të globalizuar, e cila nuk e detyron atë që të të imponojë ty si të ndryshosh skenarin, por të të jap sugjerime pozitive”, shton Milkani, duke theksuar se kjo provë, ky eksperiment, ka një kosto, sepse askush nuk lexon falas, pa lekë, skenarë. “Kjo kosto do të mbulohet me një buxhet ekstra. Pra nuk do të preket buxheti i prodhimit të filmit, prandaj unë jam në anë të shumicës, që mendojnë se kjo përzgjedhje është e mirë. Le të urojmë që në këto pesë vite të drejtimit të qendrës nga Eduart Makri të kemi prodhime më cilësore”, thotë Milkani.

Ndërsa kineasti Kujtim Çashku mendon se: “Nuk zgjidhet fakti që do të marrin apo jo të huaj edhe me këtë do përcaktojmë se si do të zhvillohet kinematografia shqiptare. Sepse e dimë që një skenar mund të digjet edhe nga një regjisor që nuk ka kapacitetin që të zbërthejë atë skenar edhe e kundërta, mund të ndodh që një skenar modest mund të bëhet një film shumë i arrirë. Është shumë fushë komplekse për t’u gjykuar me një zgjidhje parciale, siç është vendosja e të huajve në të. Qendra ka probleme të grumbulluara, por për mua kryesorja është mungesa e transparencës edhe një reformë që një orë edhe më parë duhet të zhvillohet në QKK. Fatkeqësisht edhe në këtë rast edhe kryetari i ri i qendrës nuk po krijon një klimë që të shkojë drejt kësaj transparence QKK. Duhet që të kujtojmë një gjë se nëse zbatojmë ligjet do të ketë shumë më tepër hyrje në kulturën përgjithësi, nga politikat fiskale nga politikat e qarkullimit të veprave të artit apo të ndalimit të piraterive. Prej kaq vitesh shfaqen filmat tanë edhe nuk arrijmë dot që të vjelim të ardhurat prej tyre që të pasurohet fondi i kinematografisë. Sikundër nuk ka asnjë lloj politike për të dhënë vizat e filmit, që mund të grumbulloheshin për të gjithë filmat që shfaqen në Republikën e Shqipërisë edhe pse ekziston një komision vizionimi. Kemi shumë struktura që ekzistojnë, janë joefecientë, janë falës edhe është shndërruar QKK në një grumbullim që ka ca para edhe këto para do t’i shpërndajë tek x person”, shprehet Çashku. 

Një nga pikat e rregullores së propozuar nga drejtori i ri i QKK-së është edhe që anëtarët e një familjeje të mos jenë pjesë e një projekti kinematografik të përbashkët. Për këtë Milkani mendon se: “Kjo më duket gabuar. Më privon mua edhe Enon që të punoj me të. Unë mund të bëj një skenar të mirë edhe ta bëjë Eno apo Kujtim Çashku të bëjë një skenarë edhe ta bëjë Eoli më Kujtim Çashkun, apo Mevlan Shanaj me djalin e vet. Është një rregullore e nxituar që mund të korrigjohet, se në fund të fundit nuk është një kushtetutë apo një ligj”.
Çashku mbi gjithçka propozon, që Qendra Kombëtare e Kinematografisë duhet të bëjë një reformë rrënjësore, duke nisur nëpërmjet një transparence të institucionit për projektet e miratuara ndër vite: “Mendoj që në radhë të parë transparenca, ndalimi i piraterisë, afishimi i të gjithë mënyrës sesi janë shpenzuar paratë në tërë këto vite edhe ku kanë shkuar. Kush janë sukseset edhe dështimet e saj. Në këtë rast mund të kemi nevojë për auditë, për të parë se si janë proceduar gjërat. Ashtu siç edhe lidhur me komisionin e quajtur të miratimit të projekteve është e mjaftueshme vendosja e kritereve. Mendoj se nuk kemi nevoje nga shoqatëza të krijuara që të krijojmë pesë borde. Është një bord i mjaftueshëm me pesë veta vetë. Edhe Shqipëria ka pesë personalitete, të cilët mund të sigurohen nga kriteret që do të vendosen.  Qoftë në fushën e dramaturgjisë, qoftë në fushën e lëvrimit të filmave në kapacitetin e regjisorëve apo elementëve të tjerë që bëjnë kinematografinë, në fushën e kritikës pse jo. Mjafton një bord i vetëm me pesë veta për të vendos për projektet kinematografik. Qendra preokupim duhet që të ketë se si mund të grumbullojë edhe të fusë më shumë para në buxhetin e shtetit, siç bëjnë në Maqedoni apo në vende të tjera, që kanë pesëfishuar buxhetin, vetëm e vetëm nga politikat që kanë bërë lidhur me trajtimin e fiskaliteteve, që burojnë nga QKK për pasurinë që ka kjo qendër”.

 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?