Vasil Tole

Debati/‘Lahuta gati për UNESCO, mungon lobimi nga 2 ministritë, e Kulturës dhe e Jashtme’

6 Dhjetor 2018, 07:35| Përditesimi: 6 Dhjetor 2018, 07:44

  • Share

Serbia e futi eposin e saj në UNESCO së bashku me instrumentin guslën, që është e ngjashme me lahutën shqiptare, por me disa ndryshime të vogla. Akademiku dhe muzikologu i njohur Vasil Tole, shprehet për “Shqiptarja.com” se “ky suksesi i Serbisë, duhet të na shërbejë për të nxitur institucionet e vendit tonë, se pse nuk është futur ende Eposi dhe lahuta shqiptare në UNESCO”.

Vasil Tole, që ka qenë pjesë e grupit të punës që kanë bërë gati dosjen për në UNESCO, u shpreh për “Shqiptarja.com” se “Serbia ka futur eposin e vet me guslën që është trashëgimia e serbeve”, dhe kjo është në funksion të anëtarësimit të UNESCO-s. Natyrisht që serbët kanë regjistruar pjesën e tyre, por ne nuk na është mbyllur dera ta fusin lahutën dhe Eposin tonë në UNESCO. Është një trashëgimi që është e pranishme tek të dy popujt, por ne themi se tek ne është më e hershme, sipas referencave të studiuesve dhe albanologëve të njohur.

Por nuk është çështja që ka diskutim kjo nëse është lahuta shqiptare apo serbe, lahutën e kanë edhe malazezët edhe boshnjakët. Ajo që duhet të bëjmë është më mirë të diskutohet  dhe të nxitet opinioni për t’u regjistruar Eposi dhe lahuta shqiptare në UNESCO. Por për t’u bërë kjo, ndërmarrja nga Ministria e Kulturës dhe e Jashtme mungojnë. Ato nuk e bëjnë shtysën. Këto institucione duhet ta bëjnë një lëvizje. Secili vend bën maksimumin për trashëgiminë e vet”, tha Vasil Tole.

Akademiku Tole shtoj më tej se “Rasti që serbët arritën ta regjistronin trashëgiminë e tyre në mbrojtje të UNESCO-s duhet të na shërbejë për t’u nxitur për ta regjistruar lahutën në UNESCO, edhe Mali i Zi edhe Kosova mund ta regjistrojnë. Këto janë kandidatura multinacionale dhe secili regjistrojnë pjesën e vet. Është absurde kur del lajmi sikur na kanë marrë lahutën”, tha Tole.

Historia 8-vjeçare e regjistrimit të Dosjes së Eposit në UNESCO
Para tetë vjetësh Shqipëria ka nisur punën për të plotësuar dosjen mbi Eposin e Kreshnikëve, për t'ia çuar UNESCO-s. Pas plotësimit të saj, UNESCO-s do t'i propozohej që ta merrte atë në mbrojtje si një kryevepër në rrezik. Ministria e Kulturës kishte ngritur një grup pune që përgjatë një viti do të merrej me dosjen. Studiuesit nisën debatet, ku propozonin që; për sa i takon dosjes, përveç Eposit në të duhet të përfshiheshin edhe lahuta, madje edhe kullat ku këndohej eposi, veshjet tradicionale të zonave ku eposi mori jetë, xhubleta, si një ndër veshjet më të veçanta shqiptare, dhe vetë lahuta si shoqëruese e këngëve të kreshnikëve.

Poema e lashtë shqiptare “Eposi i Kreshnikëve” e quajtur nga disa studiues si “Iliada” shqiptare është pjesë e pandashme e lahutës. Grupi i punës për dosjen në prononcimet për mediat kanë sqaruar se instrumenti i lahutës që e shoqëron eposin, dhe madje dhe rapsodi, interpretuesi, që sa vjen dhe po rrallohet në trevat shqipfolëse deri në Kosovë e Mal të zi (ku studiuesit kanë pasur fatin të dëgjojnë këngë live këngët eposit nga këta lahutarë të vjetër). Për eposin, studiuesit shqiptarë, por edhe ballkanikë, kanë shprehur argumentin se është më arkaik në trojet shqiptare, si rrjedhojë edhe më origjinali. Prej kësaj ka rrjedhur argumenti se edhe vetë lahuta që e shoqëron është më e hershmja përkundrejt varianteve serbe, malazeze, boshnjake, e më gjerë. Kjo edhe për karakteristikat e ndërtimit të saj.  

Dy vjet më parë, nga Akademia e Shkencave u dha një deklaratë optimiste se dosja ishte gati dhe u bë një prezantim spektakolar përmes një aktiviteti të titulluar “Eposi shqiptar Kreshnikëve në pesë shtete të Ballkanit”, dhe grupi i punës i përbërë nga Prof. dr. Zymer Neziri, prof. Vasil S. Tole dhe Prof.Dr. Shaban Sinani prezantuan punën e bëra ndër vite, rezultatet e kërkimeve në terren. Gjithashtu u përurua edhe dosja shkencore e regjistrimit të projektit “Eposi Shqiptar i Kreshnikëve në pesë shtete të Ballkanit” në programin e UNESCO-s “Kryevlera të Trashëgimisë Jomateriale të Njerëzimit”, e cila sapo ishte vlerësuar edhe me çmimin vjetor të Bashkimit Europian “Europa Nostra”. Puna tashmë ka ngecur tek lobimi dhe përpjekjet diplomatike të shtetit shqiptar dhe krerëve që përfaqësojnë shtetin tonë në UNESCO.

Zymer Neziri, akademiku kosovar, që ka qenë  kryetar i grupit të punës për Eposin në UNESCO është shprehur se “Dosja është gati me 5 mijë faqe A4. Dosja filloi me dy anëtarë nga Shqipëria e një nga Kosova. Nga Shqipëria punuan  prof. Shaban Sinani dhe prof. Vaso Tole si edhe unë. Janë kryer dy dosjet e para dhe filmi dokumentar”, ka deklaruar Neziri.

Fillimi i mbledhjes së eposit daton më 1897, nga albanologu Gustav Meyer. Kontribut për mbledhjen e tij kanë dhënë edhe At Gjergj Fishta, At Shtjefën Gjeçovit, At Klement Miraj, etj. dhe botimet e tyre tek “Hylli i Dritës”. Deri më 2012-n kanë qenë mbledhur 500 000 vargje, por projekti i Prof. Nezirit dhe gjithë ekipit, realizuar në vitet 2012-2014, ka shtuar në fondin kombëtar edhe 100 mijë vargje të tjera, ka shtuar 440 këngë, 69 tregime, dhe rreth 65 mijë vargje xhirime me kamera.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?