Prej 4 ditësh banorët e qytetit të Këlcyrës dhe fshatrave përreth janë pa ujë të pijshëm në çezma. Situata është rënduar si pasojë e defekteve në rrjet dhe çarjes se tubacioneve, ndonëse ujesjellesi i ri është inauguruar vetëm 3 vite më parë. Banorët pohojnë se situata është përseritur disa herë gjatë verës, ndaj janë të detyruar të blejnë ujin e pijshëm, ndërsa ujin që përdorin për larje e mbushin në Vjosë.
“S’kemi pikën e ujit! S’bëjmë dot dush. Rrobat na kanë marrë erë në lavatrice. Ujësjellësi është bërë i ri, por ne sërish mbetemi pa ujë. Kjo është Këlcyra, ky është ujësjellësi i ri!”, tha një banore.
“Çahen tubat, bëjnë defekte përditë. Kishim deri dje në orën 10:00 u shkëput, tani s’kemi. Ky problemi i ujit është i përditshëm”, tha një tjeter banor.
“Ujë s’ka pasur e as nuk do të ketë në Këlcyrë. Shkojmë në Vjosë e mbushim!”, shprehet nje grua.
“Unë rri në Itali erdha të takoj vëllezërit, hëngrëm në restorant, por në tualeti s’kishte ujë”, tha një tjeter qytetar.
Report TV ka kerkuar nje informacion te detajuar prane Ndermarrjes se Ujesjellesit Kelcyre, por mesuam se drejtori është me pushime, ndërsa asnjë zyrtar tjetër nuk prononcohet për defektet në rrjetin ujësjellës.
Tre vite me pare u investuan plot 2.2 milionë euro nga qeveria shqiptare për rrjetin e ri te Ujesjellesit te Kelcyres. Ne ate periudhe, banoret u ankuan pasi firma fituese e tenderit, po kryente punime pa cilësi dhe jashte standartit. Protesta e tyre e atehershme, ishte pararendese e problemeve të sotme, ku 7 mijë banorë të Kelcyres përballen me mungesën e vazhdueshme të ujit në çezma.