Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Degradimi i pashmangshëm i luftës në PD dhe kundër PD-së

7 Tetor 2023, 18:06| Përditesimi: 7 Tetor 2023, 19:27

  • Share

Lufta politike në partinë demokratike, ose më mirë lufta politike kundër saj nga pjesë të vetë asaj, vazhdon të jetë e parinciptë dhe e shëmtuar. Ajo luftë nuk ka asgjë që ta lidhë ndonjë cilësi që ka të bëjë me të djathtën, me konservatoren, me vlerat politike dhe morale që ngjizin dhe mbajnë në këmbë të djathtën.

Mënyra se si sillen forcat dhe njerëzit, mënyra se si zhvillohet politika dhe mjetet që përdoren janë padyshim një tregues themelor mbi të djathtën, mbi konservatoren, mbi komunisten, mbi të majtën, mbi totalitaren etj.

Për të majtën, për komunisten, për mendjen totalitare politika dhe partia është gjithçka, nuk ka asgjë që të tejkalojë politikën, pushtetin dhe partinë. Për politikën, pushtetin politik dhe partinë përdoret çdo mjet, bëhet çdo sulm, thuhet çdo fjalë, hidhet çdo shpifje, sajohet çdo rrenë, ideohet çdo intrigë, sulmohet babai dhe nëna, akuzohen motra dhe vëllai, shahet gruaja dhe familjarët. Pastaj harrohet gjithçka dhe kthehet pllaka dhe shahen e sulmohen po njësoj ata që ishin dikur miq apo armiq.

Për të majtët politika dhe partia janë gjithçka, ato janë e vërteta e vetme, zgjidhja e vetme, çështja e vetme dhe duke qenë të tilla asgjë nuk mund ta ndalojë, partinë, politikën e saj, interesin e partisë dhe të pushtetit të bëjë gjithçka të shkelë mbi çdo parim dhe njeri, të dërrmojë çdo kundërshtar me çdo lloj sulmi nga më të ulëtit, të akuzojë çdo familjar të kundërshatrit me gjithçka që mundet.

Kjo lloj mendësie, kjo qasje është thelbi i asaj që përkufizon format më të poshtra politike të të majtës dhe komunistes. Kjo lloj qasjeje ka bërë partitë dhe politikanët e me mendësi të tillë të prodhojnë sjellje qeverisëse dhe modele të tmerrshme politike. Kjo ka bërë që jeta brenda partisë të jetë një tmerr, që partia të jetë vendi më i rrezikshëm për të qenë, kjo ka bërë spastrimet e frikshme të liderëve më të urryer komunistë apo të çdo lloj diktature apo totalitarizmi. Kjo ka bërë që spastrohen me vrasje dhe internime kundërshtarët, kjo ka bërë që njerëzit më të afërt të asgjësohen , internohen apo burgosen. Kjo ka bërë që Molotovi të pranojë burgosjen e gruas, që Stalini të vrasë edhe familjarët e vet, që Enver Hoxha të vrasë kunatin, që Kadri Hazbiu të thotë “partia ime më dënon”. Shembujt janë pafund kudo. Shkurt, për të majtën nuk ka asnjë kufi në sulmin ndaj tjetrit, nuk ekziston as morali as virtuti, as miku, as vëllai, as motra, asnjë gjë prej njerzillëku por vetëm partia de pushteti politik si diçka sakrale madje si sakralja e vetme.

Për të djathtën, për konservatoren, politika nuk është gjithçka, jeta është më e gjerë, më e madhe se sa politika. Të shenjtat nuk janë partia dhe pushteti politik. E shenjta lidhet me mësimet e Zotit, me vlerat morale dhe ligjësitë që burojnë prej saj. Për të djathtën politika është diçka që duhet zhvilluar brenda këtyre kufizimeve dhe duhet të ndjekë domosdoshmërisht rregulla dhe moral që vijnë nga këto mësime. Për të djathtën e vërteta e vetme nuk është politika apo partia, madje politika dhe partia janë shumë të gabueshme. Për të djathtën sharja, fyerja, akuzat, linçimet, shpifjet janë të papranueshme, janë mëkate të dënueshme, Për të djathtën akuzat ndaj familjarëve, ndaj jetëve personale janë edhe më të dënueshme. Për të djathtët babai, nëna, familja, miqtë, nderi, burrëria, respekti, etj., janë gjëra që kanë shenjtëri shumë të lartë se sa politika dhe partia.

E djathta mendon dhe sillet, ose e ka detyrë të sillet, në politikë me qytetari, me vetëpërmbajtje, me maturi, me etikë. Për të djathtën civiliteti është një përbërëse kyç, është një elemenet i domosdoshëm pa të cilin nuk ka të djathtë. Për të djathtën civiliteti, mirësjellja, maturia sjellin tre pasoja themelore: në politikën e mirë, në atë që bëhet për njerëzit dhe shoqërinë.

Civiliteti, thotë Peter Wehner, një mendimtar i fuqishëm konservator, bën të mundur kohezionin civil, kohezionin shoqëror dhe ky kohezion e mbledh, i bën bashkë njerëzit rreth vlerave morale të cilat mundësojnë paqen sociale dhe vlerat morale me të cilët jetohet de rriten fëmijët. Kur civiliteti zhduket, prishet atëherë jeta kthehet në një fushë betejë, konflikti merr dhenë, familjet dhe komunitetet nisin të përjetojnë thyerje të mëdha dhe çarje të rënda.

Së dyti, civiliteti, sjellja e matur, gjuha e kujdesshme, komunikimi me etikë dhe fisnikëri është shprehje e respektit për qeniet e tjera njerëzore. Kur ne sillemi në këtë mënyrë, thonë teologët që nga kohët e hershme me Shën Agustinin apo imam Gazaliun e deri tek kohët e sotme me Hamza Yosuf dhe Richard Morrou ne tregojmë se jemi krijesa të Zotit i cili kërkon respekt për dinjitetin e çdo krijese të Tij. Respekti për çdo krijesë të Tij dhe për dinjitetin e tyre është detyrë. Mosrepekti është mosrespekt ndaj Zotit dhe njëherazi tregon se ne nuk pranojmë as të respektohemi vetë.

Dhe së treti civiliteti, sjellja e mirë dhe gjuha e matur na bën ose na ndihmon të zbulojmë të vërteta që mund të jenë tek dikush tjetër, që mund të jenë tek ana tjetër apo tek ata që kanë një mendim ndryshe nga ne. Kurrë e vërteta nuk mund jetë diçka që e zotëron një njeri.

Këto që po ndodhin në luftën në opozitë prej dy tre vitesh, kjo që ndodhi të enjten në parlament, sharjet e shëmtuara dhe të turpshme, gjuha shpifëse, mungesa totale e civilitetit, akzuat personale, sulmet ndaj familjarëve janë tipare tipike komuniste, bolshevike që nuk kanë asnjë lidhje me të djathtën. PD-ja që në krye të herës ka vuajtur nga sjellje të rënda të majta. Kjo parti ose politikanë që pretendojnë se i përksain të djathtës nuk do të jenë kurrë të vlefshëm për vendin dhe për të djathtën në qoftë se nuk nisin dhe ta shohin civilitetin dhe maturinë si zemrën e asaj që përbën të djathtën.

Nuk ka sukses kurrë në asgjë, as në politikë kur zhduken parimet bazë dhe kur gjërat bëhen me zellin dhe epshin që nuk njeh kufi, nuk njeh as nënë e as babë, as familje, as moral, as din e as iman. Kjo është një rrugë për shkatërrim të plotë pavarësisht një suksesi momental që ajo mund ta japë.

Kushdo që sillet në këtë mënyrë në luftën në opozitë nuk ka lidhje me PD-në apo të djathtën. Ai është një i majtë dhe komunist, gjë që është fat i keq për të (pasi i duhet të bëjë si i djathtë kur në çdo qelizë vepron si komunist) dhe fat i keq për PD dhe opozitën që duhet të vuajë këtë luftë të pamoralshme. Por, duke e parë botën nga një kënd i djathtë duhet thënë se bota kështu është, një sprovë e vazhdueshme në të cilën detyra e njerëzve të bëjnë atë që është e drejtë. Suksesi nuk është në dorën e tyre por të Zotit. Kur njerëzit bëjnë atë që është e drejtë ky sukses do të vijë. Pra duhet parë e gjitha me durim dhe sigurisht me përbuzje kjo sjellje dhe luftë e pamoralshme mendësie komuniste në PD.

B.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?