Degradon muzeu i ‘Asdrenit’ në Drenovë të Korçës, kryeplaku i fshatit: Nuk ke ça shikon! Turp që e kanë lënë kështu

17 Shtator 2022, 15:11| Përditesimi: 17 Shtator 2022, 15:15

  • Share

Fakte historike, dorëshkrime, fotografi të vjetra dhe sende etnografike po shkatërrohen nga lagështia. Muzeu i poetit dhe shkruesit të Himnit Kombëtar, Aleksandër Stavre Drenova është lënë prej vitesh në degradim të plotë.

"Pakkush e di se sot në Drenovë gjendet një muze dedikuar Asdrenit"

Kryetari i fshatit, Vangjel Nasi në mënyrë vullnetare shërben si cicëron për ata pak turistë që kërkojnë të vizitojnë muzeun.

"Çelësat i kam unë por nuk ke çfarë shikon. Ata që vijnë thonë turp turp që e kanë lënë kështu!"- tha Vangjel Nasi

Ai tregon se  dëmet më të mëdha u shkaktuan në kohën kur qeveriste PD-ja, pasi materialet historike  u hodhën në lumë.

"Muzeu i dikurshëm ishte në një godinë me 8 dhoma. Në kohën e PD-së, ajo godinë u bë qendër komune, ndërsa materialet nuk u morën dhe nuk u sollën këtu në këtë godinë që shërben si qendër kulture, por u hodhën në lumë", tha Nasi.

Muzeu menaxhohet nga Bashkia e Korçës, e cila prej vitesh nuk ka vënë dorë për restaurimin e godinës dhe as për mirëmbajtjen e këtyre pak copëzave të historisë! Edhe pse ndodhet 3 kilometra nga Korça, Drenova është prekur nga lëvizja demografike. Nga 4 000, sot kanë mbetur 150 banorë.

G.MO//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?