Prindërit me fëmijë nën 18 vjeç do të marrin kompensim nga shteti nga viti i ardhshëm. Administrata Tatimore njofton se kur të plotësohet deklarata individuale e të ardhurave në 2026, prindërve nga tatimet e paguara përgjatë këtij viti do t’i zbritet një shumë prej 48 mijë lekësh për secilin fëmijë nën 18-vjeç.
Po ashtu zbritje tjetër do të ketë edhe për shpenzimet arsimore të fëmijës nën 18 vjeç. Të gjithë prindërit me fëmijë të kësaj grupmoshe që kanë të ardhura nga puna nën 1.2 milionë lekë (12 milionë lekë të vjetra) në vit, do marrin kompensim për shpenzimet arsimore. Vlera maksimale që mund të merret si kompensim për arsimin e fëmijës arrin deri në 100 mijë lekë ose 1 milionë lekë të vjetra.
Por për të përfituar këtë kompensim fëmija duhet të jetë në certifikatën personale të tatimpaguesit, dhe të jenë ruajtur faturat e pagesave për shpenzimet arsimore. Pra për çdo pagesë të këtij viti për arsimin e fëmijës duhet të ruhet fatura, dhe të deklarohet në momentin që bëhet plotësimi dhe dorëzimi i DIVA 2025, në muajit e parë të 2026-ës.
Vlera e përllogaritur e këtij kompensimi do të ketë një kosto prej 20 milionë euro thotë administrata tatimore. Kjo është një lehtësi që hyn në fuqi në vitin e ardhshëm e parashikuar në ligjin e vitit 2023 "Për tatimin mbi të ardhurat".
Ndërkohë, këtë vit dorëzuan DIVA për herë të parë të gjithë qytetarët që kishin realizuar vjet të ardhura nga punësimi 1.2 milionë lekë, ishin të dypunësuar dhe ata që kishin të ardhura nga platformat online. Këto deklarata u dorëzuan nga afro 130 mijë të punësuar.
Njoftimi i Tatimeve për deklaratën DIVA
Komente
