Presidenti amerikan Donald Trump pritet të bëjë sot një njoftim të rëndësishëm, sipas tij, që lidhet me kurën e autizmit.
“Mendoj se kemi gjetur një përgjigje për autizmin. Mendoj se do të jetë një nga konferencat më të rëndësishme për shtyp që kam pasur ndonjëherë, dhe mezi po e pres atë”, tha shkurtimisht Donald Trump në fjalimin që mbajti një ditë më parë.
Megjithatë, kreu i Shtëpisë së Bardhë nuk ofroi detaje të tjera mbi atë që do të thotë për autizmin, por shtoi se administrata e tij “nuk do të lejojë që kjo të ndodhë më”.
Teksa pritet ende konferenca e Donald Trump për këtë çështje, mediat amerikane kanë zbuluar se bëhet fjalë për përdorimin e ilaçit Tylenol, që përdorin gratë shtatzëna kundër dhimbjeve.
Tylenol përdoret gjerësisht në SHBA, përfshirë gjatë shtatëzanisë. Autoritetet shëndetësore planifikojnë të paralajmërojnë gratë shtatzëna që të mos përdorin këtë ilaç në fazat e hershme të shtatëzanisë, përveçse kur kanë ethe.
Gjithashtu, pritet që Trump të përmendë edhe acidin folik, sipas CNN, si një mënyrë për të zvogëluar simptomat e autizmit.
Komente
