Politologu, Blendi Kajsiu bëri një deklaratë të fortë në Studio Live me Arbër Hitajn në Report Tv. Në një lidhje me Skype, Kajsiu tha se Hamasi në Palestinë është forcuar prej politikave që ka ndjekur kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu.
"Benjamin Netanyahu përfaqëson një qeveri të ekstremit të djathtë. Pretendon se mbron interesat e popullsisë së Izraelit, por po prodhon kushtet e një vale të re terrorizmi në të ardhmen që do të rrezikojë jo vetëm palestinezët por edhe vetë popullsinë e Izraelit. Shumica e popullsisë së Izraelit nuk e përkrah Benjamin Netanyahun që është përgjegjësi kryesor për rritjen e Hamasit dhe dështimin e forcave të sigurimit të Izraelit për të mbrojtur popullsinë e tij. Duhet kujtojmë që një nga strategjitë e ekstremit të djathtë në Izrael, jo vetëm e Netanyahut, ka qenë forcimi i Hamasit. Hamasi është forcuar përmes ndihmës që Netanyahu dhe ekstremi i djathtë i ka dhënë për të përccarë auroritetin palestinez, për të eliminuar ccdo mundësi për të krijuar shtetin palestinez", tha Kajsiu.
Sipas Kajsiut, Netanyahu po zhvillon luftën me Hamasin për të mbajtur pushtetin e tij në Tel Aviv.
"Nuk janë të interesuar për paqe asnjëra nga palët. Qëllimi i përbashkët i të djathtës ekstreme në Izrael me Hamasin është që të mos ketë kurrë paqe midis Palestinës dhe Izraelit. Ekstremi i djathtë në Izrael kërkon të eliminojë krejtësisht Palestinën dhe ekstremi i Hamasit në Palestinë kërkon të eliminojë Izraelin", tha Kajsiu.
Për kryetarin e partisë Atdheu, Kreshnik Osmani kryeministri i Izraelit, Netanyahu do ta zgjasë luftën sepse ai e di që e pret gjykimi ashtu si Golda Meir në 1973 shkoi para drejtësisë.
"Amerikanët kanë thënë për New Yorker se zyrtarë izraelitë kanë thënë se Netanyahu ka një plan sekret që lufta të zgjasë deri në 10 vite. Plani i Netanyahut, jo i Bennet që i përket të majtës, është sulmi i veriut të Gazës, transferimi i banorëve në jug të Gazës fillimisht dhe më pas dërgimi në Gadishullin e Sinait dhe shkretëtirën e Akabasë. Më pas nis mësymja në Bregun Perëndimor dhe më pas transferimi i tyre në tokat e Jordanisë. Netanyahu e ka thënë, synojmë shkuljen e Hamasit, heqjen e Gazës nga kontrolli i Hamasit dhe pastrimi nga terrorizmi. Deri tani po pastrohen spitalet. Kanë vdekur 12 mijë njerëz. Katastrofa ka kaluar parametrat e një kasaphane", tha Osmani.
Ndërsa Genc Sejko, studiues i çështjeve hebraike, tha se Izraeli po kryen agresion ndaj popullsisë civile në Gaza.
"Shtetit të Izraelit nuk i intereson paqja. Synimi është asimilimi i komplet territoreve palestineze dhe krijimi i shtetit të Izraelit në kufijtë biblikë të tyre. Nuk duan marrëveshje për krijimin e shtetit palestinez. Çdo marrëveshje e arritur më parë ose nuk është zbatuar ose janë gjetur mënyra për të panguar që të mos shkohet tek krijimi i një shteti palestinez. Pretendimet e Izraelit janë biblike. Ka patur gjithmonë hebrenj në Jeruzalem, prezenca e tyre ka qenë e pandërprerë, por numrat kanë qenë shumë të vegjël për të krijuar një shtet. Në 1948, pas asaj që kishte ndodhur në Luftën e Dytë Botërore në një farë mënyrë ua detyronte një shtet izraelitëve, por asnjëherë nuk kanë qenë shumicë", tha Sejko.
Politologu Blendi Kajsiu tha se perëndimi po harron luftën në Ukrainë, pas rinisjes së konfliktit në Lindjen e Mesme mes Izraelit dhe Hamasit.
Në Studio Live, Kajsiu tha se nëse harrohet Ukraina dhe humbet mbështetjen përndimore, fiton Putini e kjo do të sillte forcimin e Aleksandar Vuçiç, gjë që nënkupton se rreziku për destabilitet në Ballkan të jetë evident.
Ai e quajti të gabuar mbështetjen që presidenti i SHBA, Joe Biden i tha Izraelit dhe kryeministrit Benjamin Netanyahu.
"Ky është efekti i parë negativ për ne sepse fitorja e Putin forcon Vuçiç dhe autoritarizmin në përgjithësi. Si Putin është edhe Vuçiç, i njëjti model nacionalisti në Ballkan. Rreshtimi i Biden përkrah Netanyahu, një president i moderuar i majtë përkrah një ekstremi të djathtë, ia ka ulur shumë jo thjeshtë reputacionit të SHBA në botë, lidershipi i Amerikës ka rënë sepse denoncojnë Putinin për vrasjen e fëmijëve në Ukrainë, por nuk denoncojnë Netanyahun për vrasjen e fëmijëve palestinezë. Elektorati që e voton Biden në SHBA nuk është i ekstremit të djathtë, por është elektorat i moderuar, liberal i idealeve të ligjit ndërkombëtar. Ky elektorat është i pakënaqur me rreshtimin e Biden që mund të nënkuptojë nesër që Trump mund të fitojë në zgjedhjet. Putin fiton në Rusi dhe Trump fiton në SHBA, situata për Shqipërinë dhe për Kosovën përkeqësohet".
Një deklaratë e presidentit të Ukrainës se presidenti rus, Vladimir Putin po tenton të nxisë konflikt të përgjakshëm në rajonin e Ballkanit ka sjellë mjaft reagime.
Eksperti i çështjeve rajonale, Kreshnik Osmani tha në Studio Live, në Report Tv, se Moska po ndërmerr hapa destabilizues. Ai tha se me urdhër të shefit të Kremlinit, Rusia po furnizon me armë bërthamore disa shtete si Burkina Fason, Venezuelën dhe Bjellorusinë.
"Njeriu më i afërt i Putinit sot, një gazetar në Moskë, Soleivev, ka thënë se Putini ka marrë vendim për të mbushur planetin me armë bërthamore. Ka thënë nëse SHBA nuk ndalet së mbështeturi Ukrainën, do shkojmë drejt të panjohurave të mëdha. Moska ka marrë vendim për t'u tërhequr nga marrëveshja Start II për armët nukleare, reduktimin me 30%, por sot kanë marrë vendim për t'i çuar armët te një aleat i ri i Putinit në Afrikë, Burkina Faso, në Venezuelë dhe një vend tjetër siç mund të jetë Bjellorusia, një etnitet i çmendur i ngjashëm me stilin e Koresë së Veriut që ndodhet në zemër të Europës. Zelenksy e ka bërë këtë deklaratë sepse po ndjehet i tradhtuar nga perëndimi, ka rënë mbështetja për luftën në Ukrainë. Ai ka dalë duke qarë në media duke kërkuar më shumë mbështetje për t'u përballur me Moskën. Deklarata ka qenë në funksion të mbështetjes për Ukrainën që konflikti i Putinit të mos transferohet në Ballkan. Transferimi i vëmendjes së amerikanëve nga Ukraina në Lindjen e Mesme, nuk përjashtohet mundësia që Putini bashkë me Pekinin që të shpërqendrojnë vëmendjen e NATO-s dhe SHBA-së duke krijuar vatra edhe se Aleksandar Vuçiç është i pafuqishëm që të përballet me NATO-n apo amerikanët në Ballkan", tha ai.