Pas një deklarate të presidentit të Francës, Emmanuel Macron, i cili gjatë një konference për shtyp në Tiranë tha se Franca e ka lënë pezull çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, Radio Europa e Lirë njofton se burime diplomatike brenda Bashkimit Evropian (BE) kanë sqaruar se nuk ka mundësi që një shtet në mënyrë të njëanshme ta pezullojë liberalizim e vizave për një shtet tjetër dhe se kjo mund të bëhet vetëm përmes një rregulloreje nga Këshilli i BE-së.
Burime brenda bllokut evropian thanë se Franca s’e ka bërë një kërkesë të tillë. Burime nga Brukseli thanë për REL të martën se pezullimi është i mundshëm vetëm përmes procedurave në Këshillin e BE-së “duke e përdorur rregulloren për mekanizmin e suspendimit të vizave“ nga viti 2018.
“Franca, e as ndonjë shtet tjetër anëtarë i BE-së, për momentin nuk ka propozuar suspendimin e vizave për Kosovën, apo për Serbinë. Por, nëse do të ketë interes politikë, ajo mund edhe ta bëjë këtë“, ka thënë një burim i Bashkimit Evropian.
Në prill të këtij viti, vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën u miratua edhe formalisht nga BE-ja dhe u botua në gazetën zyrtare të Bashkimit Evropian po të njëjtin muaj.
Nga 1 janar i viti 2024 qytetarët e Kosovës pritet të udhëtojnë pa viza në 27 vende të BE-së, të cilat e përbëjnë të ashtuquajturën zonë Shengen. Për ta pezulluar këtë vendim duhet të merret një vendim tjetër nga Këshilli i BE-së. Kjo mund të bëhet me kërkesë ose nga Komisioni Evropian ose nga ndonjë shtet anëtarë. Pastaj, vendet anëtare të Këshillit mund të votojnë për pezullimin e mundshëm.
Deri më tani vetëm një herë kishte ndodhur që një shtet anëtar i BE-së të kërkojë pezullimin e liberalizimit të vizave për një vend të rajonit. Më 2019, Holanda kishte kërkuar që të pezullohej liberalizimi i vizave për shtetasit e Republikës së Shqipërisë. Si arsyetim e kishte përmendur rrezikun që shtetasit e Shqipërisë të përfshirë në krim të organizuar në Holandë paraqesin për sigurinë kombëtare të këtij vendi. Por, Komisioni Evropian e kishte hedhur poshtë këtë kërkesë./Rel