Deklarata e ministrit britanik, reagon Begaj: Kërkon të zgjidhë dëshpërimin ditor duke i rënë në qafë emrit të shqiptarëve (VIDEO)

17 Janar 2023, 13:10| Përditesimi: 17 Janar 2023, 13:41

  • Share

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, i është përgjigjur deklaratave të ministrit britanik të Imigracionit, Robert Jenrick pasi ky i fundit në një video të publikuar bënte thirrje për kapjen e shqiptarëve, duke i cilësuar si ‘kriminelë’.

Gjatë aktivitetit përkujtimor të 555 vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar ‘Gjergj Kastriot Skënderbeut’, Begaj foli për shqiptarët të cilët kanë arritur suksese nëpër vende të caktuara të botës.

Duke nënkuptuar deklaratën që ministri britanik bëri për emigrantët shqiptarë në Britaninë e Madhe, Begaj tha zyrtarë të tillë të lartë duan të zgjidhin dëshpërimin e tyre ditor duke folur keq për shqiptarët.

“Ne shqiptarët edhe sot 617 vjet pas lindjes së Kastriotit, duhet t’u kujtojmë disave historinë e vendit tonë dhe të Evropës. Kastrioti është heroi ynë kombëtar sepse ne jemi mirënjohës për luftën, suksesin dhe shembullin.

Por Gjergj Kastrioti ishte një shqiptar si të tjerë në mote e sot që kanë dashurinë për këtë popull dhe dinë të arrijnë suksesin për veten e të tjerët. Këta shqiptarë janë këtu dhe atje ku ka zyrtarë të lartë që duhet të zgjidhin dëshpërimin e tyre ditor duke i rënë në qafë emrit të shqiptarëve.”, u shpreh ai.

Deklarata e ministrit britanik të Imigracionit, ka shkaktuar reagime të institucioneve zyrtare të Shqipërisë. Ka qenë ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ajo e cila reagoi së pari duke e konsideruar deklaratën e Jenrick si ‘të turpshme’ me synimin vetëm për të fituar disa vota të elektoratit britanik. Ditën e djeshme, ministria e Jashtme kërkoi paraqitjen e ambasadorit britanik në Tiranë, Alastair King Smith të cilit i komunikuan një ‘Notë Verbale’ të Shqipërisë ndaj Britanisë së Madhe për gjuhën diskriminuese që cënon bashkëpunimin mes dy vendeve.

B.V//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?