Të merren veprime të prera kundër korrupsionit në nivele të larta, pastrimit të parave dhe trafikut të drogës. Kjo është thirrja e BE, që nënvizohet në deklaratën e përbashkët të miratuar pas samitit në Bruksel mes BE dhe Ballkanit Perëndimor.
“BE-ja kërkon të forcohet më shumë bashkëpunimi në fushën e antiterrorizmit dhe kundër ekstremizmit të dhunshëm në të gjitha format e tij, duke përfshirë parandalimin e radikalizimit dhe të financimit të terrorizmit. BE-ja përshëndet rezultatet e arritura gjatë pesë viteve të zbatimit të Planit të Përbashkët të Veprimit për të Luftuar Terrorizmin për Ballkanin Perëndimor dhe pohon vendosmërinë e tij për të vazhduar bashkëpunimin në të ardhmen, edhe kundrejt kërcënimeve të reja si ekstremizmi i djathtë, shpërndarja në internet e përmbajtjes ekstremiste të dhunshme dhe sulmet e mundshme ndaj infrastrukturës kritike. BEja përsërit rëndësinë e marrjes së veprimeve të prera për të trajtuar krimet e rënda dhe krimin e organizuar, sidomos pastrimin e parasë, korrupsionin në nivel të lartë, kultivimin, prodhimin dhe trafikimin e drogës, nëpërmjet bashkëpunimit të rritur midis agjencive ligjzbatuese dhe doganave, bashkëpunim i ndihmuar nga EMPACT-i. Në kontekstin e pasojave shkatërrimtare nga përdorimi dhe trafikimi i drogës në shëndetin dhe sigurinë e shoqërive tona, ne biem dakord të vazhdojmë dhe të intensifikojmë përpjekjet tona të përbashkëta nëpërmjet një qasjeje të bazuar në prova, të integruar, shumëdisplinore dhe të baraspeshuar”, thuhet në deklaratën e miratuar në Bruksel.
Lajmi kryesor:
Samiti BE-Ballkani Perëndimor përmbyllet me deklaratë: Përshpejtim integrimit! Zgjidhni mosmarrëveshjet dypalëshe! Veprime të prera ndaj korrupsionit në nivel të lartë
B.K/ReportTv.al