Shqipëria, së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar, Austrinë, Gjermaninë, Belgjikën, Kanadanë dhe dhjetarë vende të tjera europiane, ka dënuar në një deklaratë të përbashkët kërcënimet në rritje që vijnë nga shërbimet inteligjente iraniane.
Në deklaratë theksohet se shërbimet iraniane të inteligjencës janë përfshirë në tentativa për vrasje, rrëmbim dhe ngacmime ndaj personave në Europë dhe Amerikën e Veriut, përfshirë gazetarë, disidentë, shtetas hebrenj dhe zyrtarë aktualë apo ish-zyrtarë, duke përbërë një shkelje flagrante të sovranitetit të këtyre vendeve, përfshirë edhe Shqipërinë.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Shqipëria, Austria, Belgjika, Kanadaja, Çekia, Danimarka, Finlanda, Franca, Gjermania, Holanda, Spanja dhe Suedia dënojnë ashpër numrin në rritje të kërcënimeve të shtetit iranian përmes shërbimeve të tij të inteligjencës në territoret tona përkatëse.
Ne jemi të bashkuar në kundërshtimin tonë ndaj përpjekjeve të shërbimeve të inteligjencës iraniane për të vrarë, rrëmbyer dhe ngacmuar individë në Europë dhe Amerikën e Veriut, në shkelje të qartë të sovranitetit tonë. Këto shërbime po bashkëpunojnë gjithnjë e më shumë me organizata kriminale ndërkombëtare për të vënë në shënjestër gazetarë, disidentë, shtetas hebrenj, si dhe zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë në Europë dhe Amerikën e Veriut. Kjo është e papranueshme”, thuhet në deklaratë.
Po ashtu, 14 vendet firmëtare, përfshirë Shqipërinë, bëjnë thirrje ndaj autoriteteve iraniane që të ndalojnë menjëherë aktivitetet e paligjshme në territorin e tyre dhe angazhohen të bashkëpunojnë ngushtë për të parandaluar veprime të tilla në territoret e tyre.
“Ne e konsiderojmë këtë lloj sulmi, pavarësisht se kush është shënjestra, si një shkelje të sovranitetit tonë. Jemi të angazhuar të punojmë së bashku për të parandaluar që veprime të tilla të ndodhin, dhe i bëjmë thirrje autoriteteve iraniane që të ndalojnë menjëherë këto aktivitete të paligjshme në territorin tonë”, përfundon deklarata.
Prej vitit 2022, Shqipëria ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin, pasi urdhëruan dhe financuan sulmin kibernetik ndaj vendit tonë.
Deklarata e publikuar në faqen e DASH
Komente
