TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha nuk i ndal asnjëherë sulmet ndaj SPAK, të cilën tashmë e quan një organizatë kriminale. Por, në konferencën e sotme, Berisha tërhoqi vëmendjen me qëndrimin e tij për SPAK, pas arrestimit të Erion Veliajt.
Ndonëse disa muaj më parë, e akuzonte personalisht si prokuror që liron kriminelë, sot Berisha nxori nga ‘lista’ e tij për prokurorët-kriminelë Ols Dadon, që firmosi kërkesën për arrestimin e Veliajt.
"Kur them SPAK është organizatë kriminale unë nuk nënkuptoj se, çdo anëtar i SPAK është anëtar i organizatës kriminale. Jo, absolutisht kurrë. Por nënkuptoj ata të cilët flenë mbi krimin, janë marrë peng. Po pse duhet ta marr unë të barabartë Altin Dumanin me Ols Dadon. Jo nuk e marr kurrë. Sepse ky firmos", tha Berisha sot në konferencën për shtyp.
Por, çfarë deklaronte Berisha më 1 dhjetor 2024 për Ols Dadon? Shqiptarja.com risjell në vëmendje deklaratën e Berishës kur e akuzonte Dadon si anëtar të organizatës kriminale që kishte liruar nga burgu Julian Gjoshin, kunatin e Altin Hajrit. Duke u fshehur pas denoncimit të qytetarit dixhital, Berisha akuzonte Dadon se emri i tij kishte dalë në bisedat në SkyCC mes Hajrit dhe Jurgis Çyrbja, për lirimin e Julian Gjoshit më 2021.
“Olsi Dado liroi vrasësin nga burgu! Miq, autorin e vrasjes në Ndroq, e liroi nga burgu anëtari i organizatës kriminale, SKAP-i i Partisë Olsi Dado! Lexoni denoncimin e qytetarit dixhital! Përshëndetje Dr. Autori i vrasjes së sotme në Ndroq Julian Gjoshi rezulton si personazh në aplikacionin Sky Ecc ku Altin Hajri dhe Jurgis Çyrbja diskutonin për lirimin e tij pasi ishte kapur me armë… ku prokurori që liroi Julian Gjoshin rezulton Ols Dado aktualisht Prokurori i SPAK”, shkruante Berisha më 1 dhjetor 2021 në rrjetet sociale.
Por vetëm një ditë më pas, më 2 dhjetor Berisha u tërhoq nga akuzat për Olsi Dadon duke thënë se nuk është ai që del në përgjime.
"Olsi për të cilin bëhet fjalë në këtë dokument, e fsheh Altin Dumani atë. Olsi Dado nuk është. Pas verifikimeve, reagoi në mes të natës SPAK, u zgjuan nga gjumi, bënë deklaratë. Mirë bënë që e bën, por t'u tregojnë qytetarëve kush është Olsi. Dy Olsa ka, Olsi Çela dhe Olsi Dado në Prokurori.
Kur unë ju kam thënë që Altin Dumani fle mbi dosjet e krimit, lexojeni pak dhe më thoni, fle ai mbi dosjet e krimit apo jo.
Unë kam bërë verifikimet pasi përgënjeshtroi SPAK dhe nuk është Ols Dado. Të paktën në këtë proces, nuk është ai. Por se cili është Olsi, atë e di Dumani, ai e fsheh. Por një gjë e di, si prokuror çështje nuk ka qenë Olsi (Dado)", u shpreh Sali Berisha më 2 dhjetor 2024.
E këto deklarata të Berishës u evidentuan edhe sot në reagimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili dyshoi të jetë rastësi fakti që Olsi Dado është i vetmi i akuzuar si kriminel që Berisha i kërkoi falje.
"A ju duket rastësi që në të gjithë historinë e gojës së kërmës Sali, ky violinist i mbetur në tentativë është i vetmi individ që pasi e ka akuzuar si kriminel një ditë më parë, Saliu i ka kërkuar falje të nesërmen? Mua jo, se që të të kërkojë falje Saliu, do duhet realisht t’i bësh një shërbim të pamundur. Po kjo s’është akuzë, është vetëm një opinion", shkruan Veliaj.