TIRANË- Partia Demokratike ka kërkuar interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama pas deklaratave të Arben Ahmetajt. Kërkesa është depozituar në Kuvend nga sekretari i Grupit të PD, Arbi Agalliu.
“Partia Demokratike kërkon interpelancë urgjente me Edi Ramën për akuzat e Arben Ahmetaj. Arbi Agalliu, sekretari i grupit të PD, depoziton kërkesën në Kuvend për interpelancë urgjente. Ahmetaj deklaroi se pronarët e vërtetë të inceneratorëve janë Edi Rama dhe Erjon Veliaj”, njofton PD.
Ahmetaj ka hedhur akuza ndaj kryeministrit Edi Rama se po tenton ta bëjë kokë turku për të fshehur të vërteta e inceneratorëve. Arben Ahmetaj nuk dha fakte apo prova të reja gjatë intervistës, por kryesisht bazuar në interpretime, foli për një prapavijë politike në veprimet e Prokurorisë së Posaçme. Ai pranoi për herë të parë miqësinë e ngushtë me Mirel Mërtirin, emrin që sipas SPAK qëndron pas tre impianteve të trajtimit të mbetjeve në Elbasan, Fier e Tiranë.
Ahmetaj, i cili ndodhet jashtë shtetit tha se kishte marrë një status zyrtar nga autoritetet e atij vendi, me gjasë të drejtën e azilit, kur u shpreh se nga 1 janari jeton në një shtëpi në pronësi të bashkisë të atij qyteti. SPAK ka dyshime për lidhje të Ahmetajt me sipërmarrësit e inceneratorëve, përfitime financiare, dhe ndikim për të favorizuar procedurat e koncensioneve.