Deklaratat e Bashës, Bejko: '10 me yll', do kenë efekt edhe tek Rithemelimi! Vangjeli: Fjala e tij nuk ngjit, njësoj si macja me xhamin

11 Janar, 19:34| Përditesimi: 11 Janar, 21:16

  • Share

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Roland Bejko i ftuar në studion e “Kontrast” me gazetarin Denis Minga në Report Tv komentoi deklaratat e kryedemokratit Lulzim Basha gjatë konferencës për shtyp që ky i fundit pati ditën e sotme.  Bejko tha se me këtë konferencë Basha hapi siparin e një gjuhe të re politike.

“Ne duhet të futemi në normalitet, parlamenti duhet të kryejë reforma që janë jetike për demokracinë shqiptare sot. Sot Basha me konferencën e tij çeli siparin e një gjuhe të re politike dhe këtu është vija ndarëse e tranzicionit konfliktual dhe asaj që Shqipëria ka nevojë për gjeneratën e ardhshme”- tha Bejko.

I pyetur nga Minga nëse deklaratat e Bashës do të kenë efekt tek deputetët që i janë bashkuar Rithemelimit, Bejko tha se një gjë e tillë do të ndodhë më vonë por theksoi se kryedemokrati duhet të vijojë me konferencat për shtyp.

“Aty do ketë më vonë efekt. Më shpejt do ketë efekt tek 35-40% e elektoratit shqiptar përgjithësisht të djathtë, të cilët janë lodhur me lojën konfliktuale dhe duan një model të ri. Konferenca e sotme të shtypit realizoi objektivin e parë, për mua ishte 10 me yll por duhet ta vazhdojë këtë gjë sepse po ta lërë e humbet. Ka qenë audiencë maksimale dhe ne këtë kërkonim që kryetari i PD të marrë vëmendjen që i takon”- u shpreh Bejko.

Ndërsa për analistin Lorenc Vangjelin, një dalje e tillë e Bashës, ‘nuk ngjit’ para qytetarëve. Mes të tjerash shtoi se srsyeja përse Rama mendon të fitojë mandatin e katërt është fakti që brenda opozitës bëhet gara se kush është shumicë.

“Nuk ngjit, mësa ngjit macja në xham aq ngjit edhe diskursi shumë i gjatë i Bashës. Nëse një prononcim i tillë do ishte i transkriptuar në të shkruar pa e ditur se kush e thoshte, do ishte një politikan modern që ka një mendim normal. Por nuk ngjit, duket sikur kishte desantuar papritur në selinë e PD. Basha këtë e konsideron politikë. Politika ka një piedestal moral, diku i lartë diku i shkatërruar dhe ky piedestal moral mungon. Përgjigjet e dhëna nga Basha, nuk ngjisin ose ngjisin në të njëjtin raport që vendos macja me xhamin kur tenton të kacavirret”- argumentoi Vangjeli.

Gazetarët Denis Minga dhe Lorenc Vangjeli i bënë një festë 'live' kryedemorkatit Lulzim Basha për të qenë në emisionin "Kontrast" për t'ju përgjigjur pyetjeve të shumta rreth riaktivizimit të tij në politikën aktive. 

Në përfundim të diskutimit, Bejko u shpreh se dera e Partisë Demokratike është e hapur për të gjithë ata demokratë të cilët në një moment të caktuar kanë bërë një gabim emocional logjik. 

B.V//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?