GJKKO ka pranuar kërkesën e ish-deputetit të PS-së Jurgis Çyrbja, Ahmet Mashës dhe Altin Hajrit, ky i fundit në kërkim, për gjykim të shkurtuar. Ish-deputeti Çyrbja u arrestua më 20 tetor të vitit të kaluar me akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje, përkrahje krimi dhe nxjerrje të sekretit shtetëror.
Në fund të procesit gjyqësor nëse provohen akuzat dhe ata dënohen do të përfitonin zbritjen me 1/3 e dënimit. Në seancën e radhës, më 20 tetor ora 13:00, do të dëgjohen konkluzionet e Prokurorisë së Posaçme.
Në dosjen e SPAK, që kaloi për gjykim më 15 shtator, thuhet se Çyrbja ka pasur miqësi me Altin Hajrin, duke i premtuar se do ta ndihmonte në këmbim të votave gjatë zgjedhjeve. Çyrbja dhe Masha janë të arrestuar, ndërkohë që Hajri është në kërkim edhe për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës në vitin 2020.
Hajri akuzohet për korrupsion në zgjedhje pasi i ka siguruar vota ish-deputetit Çyrbja. Sipas hetimit, ka rezultuar e provuar se Jurgis Çyrbja, Altin Hajri dhe Ahmet Masha kanë koordinuar aktivitete të ndryshme kriminale përmes komunikimeve në“Sky ECC” dhe “Matrix”. Janë faktuar 8 episode gjatë periudhës 1 Maj 2020 - 8 Mars 2021.
Sipas SPAK, të akuzuarit janë vënë në dijeni të të dhënave në sistemin “TIMS”, mbi një person të shpallur në kërkim, si edhe të disa informacioneve sekrete të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Këto informacione lidheshin me planet e saj në të gjithë territorin e Shqipërisë, por edhe në Qarkun e Durrësit, për kapjen e personave të shpallur në kërkim, për kryerjen e elementëve të veprave penale në kuadër të krimit të organizuar.
SPAK thekson gjithashtu se Altin Hajri dhe persona të tjerë komunikonin në platformën “Matrix” pas arrestimit të Jurgis Çyrbes dhe Ahmet Mashës gjatë periudhës Tetor-Dhjetor 2024. Në këto komunikime janë evidentuar edhe takimet me punonjës të policisë të cilët kanë informuar për aksionet e bluve.
Çyrbja u arrestua më 20 tetor 2024 me urdhër të SPAK. Ai ka qenë deputet i Kuvendit për dy legjislatura, dhe dha dorëheqjen nga mandati në tetor 2024, në kohën kur hetimet e SPAK kishin hyrë në fazën përfundimtare.
Komente
