Presidenti Ilir Meta ka kthyer një tjetër ligj në Kuvend. Meta ka vendosur që të mos dekretojë ligjin për prokurimin publik. Në argumentim Meta shkruan se ky ligj është në kundërshtim me parimet dhe dispozitat kushtetuese që mbrojnë sigurinë juridike.
"Dispozita të caktuara të këtij ligji, evidentuar në vijim të këtij arsyetimi, bien në kundërshtim me parimet dhe dispozitat kushtetuese që mbrojnë sigurinë juridike, lirinë ekonomike, barazinë para ligjit, si dhe me nevojën për eficiencë në planifikimin e përdorimin e fondeve buxhetore përmes prokurimeve publike.
Për këto arsye, Presidenti i Republikës, bazuar në arsyetimin e mëposhtëm në mbështetje të nenit 85 pika 1 të Kushtetutës, ka vendosur kthimin për rishqytim të këtij ligji me qëllim që Kuvendi i Shqipërisë, të rishikojë edhe një herë ato dispozita që përmbajnë parashikime të paqarta dhe evazive, që mund të sjellin problematika shumë të mëdha gjatë zbatimit të tyre", thuhet në argumentimin e Metës.
Ligji për "Prokurimin publik" u miratua nga Kuvendi me 91 vota pro në seancën e fundit plenare të vitit të kaluar. Projektligji i ri parashikon shmangien e konfliktit të interesit si dhe ndërmarrjen e disa masave lehtësuese për të garuar për tendera. Për të marrë pjesë në një tender kompanive nuk do ju kërkohet që të dorëzojnë fillimisht dokumentacionin nëse përmbushin kushtet për të marrë pjesë në garë. Kompanitë do të kenë mundësi të konkurrojnë duke plotësuar një formular vetë-deklarimi. Si pasojë e abuzimeve të deritanishme me tenderat është vendosur që për kontratat e reja të mbahet edhe vlera e sigurimit. Kompanitë që tërhiqen do paguajnë 2% të fondit limit.
Arsyet e Kthimit te Ligjit nr. 162 - 2020