Greqi - Fshati i vjetër grek Kallio, që ndodhet nën ujërat e liqenit artificial të Mornos, ka dalë sërish në sipërfaqe, për shkak të thatësirës që ka ndikuar në uljen e nivelit të ujit.
Ky liqen artificial shërben për për furnizimin me ujë të Athinës.
Pamjet fotografike të fundit tregojnë rrënojat e fshatit që deri pak kohë më parë qëndronin të mbuluara nga uji i rezervuarit.
Ekspertët ngrenë alarmin për furnizimin me ujë të kryeqytetit grek, pasi niveli i ujit në rezervuarin e Mornos ka rënë në pikën më të ulët të 15 viteve të fundit.
Sipas të dhënave të publikuara nga Meteo, shërbimi meteorologjik i Observatorit Kombëtar të Athinës, në imazhin më të fundit satelitor të datës 9 shtator 2025, është regjistruar sipërfaqja më e vogël e liqenit që nga viti 2014, kur nisën matjet përmes satelitit Sentinel-2.
“Situata është shumë shqetësuese. Më 9 shtator 2025, sipërfaqja e liqenit Mornos, një nga burimet kryesore të ujësjellësit të Athinës, ishte rreth 8.9 kilometra katrorë. Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ishte 11.4 km², ndërsa në shtator 2023 arrinte në 15.3 km², që përkon me mesataren dhjetëvjeçare për dhjetëditëshin e parë të shtatorit”, thekson Kostas Lagouvardos, drejtor kërkimesh në Observatorin Kombëtar dhe përgjegjës shkencor i Meteo.gr.
Kjo do të thotë se këtë shtator, sipërfaqja e ujit në rezervuarin e Mornos është vetëm 58% e mesatares së dhjetë viteve të fundit.
Komente
