Një tjetër skemë mashtrimi është zbuluar në Tiranë, në të cilën del sërish emri i Florjan Gjergjit, i cili është i shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se është organizatori i skemave të tilla të mashtrimi duke u hequr si zyrtarë të lartë, për t’i marrë biznesmenëve shuma të mëdha parash.
Përveç këtij rasti, ku dyshohet se është i përfshirë sërish Florjan Gjergji, emri i këtij të fundit është përmendur në paktën edhe në tre operacione të tjerë, një në rastin ku u tentua që t’i merreshin 130 mijë euro biznesmenit Pëllumb Salillari, një më 17 maj 2023 kur u përmend emri i kryebashkiakut Erion Veliaj me qëllim që përmes mashtrimit t’i merrnin një biznesmeni në Tiranë, Ramë Gecit, 70 mijë euro. Po ashtu një rast tjetër është kur mashtruesit kanë përdorur emrin e ish-kreut të Kadastrës, Artan Lame për t’iu marrë para biznesmenëve.
Edhe rasti i goditur ditën e sotme, është identik me rastet e lartpërmendura. Dyshohet se Gjergji kontakton persona të tjerë për të bërë mashtrimin për llogari të tij, ndërsa vetë ai dyshohet se nuk ndodhet në Shqipëri.
Por, çfarë skeme vinte në jetë Florian Gjergji për të mashtruar biznesmenët?
Fillimisht 39-vjeçari i dërgon “presë” një mesazh. Tek biznesmenë të ndryshëm ai përdor taktika të ndryshme komunikimi. Në rastin e tentativës për të mashtruar pronarin e “Everest”, Florian Gjergji, përmes një aplikacioni komunikimi me numër me prefiks të Britanisë së Madhe, u prezantua si zyrtar i tatimeve. Kur tentoi të mashtronte pronarin e një kazinoje u prezantua në emër të ish-kreut të Kadastrës, Artan Lame, ndërsa në rastin e fundit për biznesmenin Ramë Geci u prezantua si kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Siç duket, Florian Gjergji, ka informacione të detajuar të marrëdhënieve të biznesmenëve edhe me politikanë, çfarë shton dyshimet e hetuesve se pjesë e grupit janë edhe disa persona të tjerë informatorë. Për komunikimin me sipërmarrësit, përdoren aplikacione që aksesohen përmes interntit, si telegram apo signal, ku për hapjen e tyre përdoren platforma VPN që maskojnë vendndodhjen e mashtruesit.
Edhe pse është ai dërguesi i mesazheve dhe ideatori i tyre, për të realizuar misionin Florian Gjergji nuk vepron vetë në terren. Ai lidhet me persona të tjerë, të cilët i njeh dhe u kërkon të shkojnë për të marrë paratë duke ua paraqitur këtë kërkesë si nder apo veprim miqësor. Në rastin e fundit ku tentoi të mashtroj Ram Gecin, pasi Florian Gjergji ishte prezantuar si Erion Veliaj dhe se kishte nevojë për 100 mijë euro, kishte pajtuar Bedri e Albert Vodhën, të shkonin të merrnin paratë që t’ia dërgonin në Gjermani. Sipërmarrësi Geci e kuptoi shpejt skemën e mashtruesve dhe njoftoi policinë. Geci ia kaloi komunikimin agjentëve të policisë të cilët kërkuan uljen e shumës në 70 mijë euro dhe lanë takim në qendër të Tiranës, aty ku u prangosën babë e bir. Edhe pse tashmë janë arrestuar në total 8 bashkëpunëtorë të Florian Gjergjit, personi i konsideruar si truri i grupit ai nuk është kapur. Burime të Report Tv bëjnë me dije, se këto janë rastet e provuara të mashtrimit të tij, por ai dyshohet se ka bërë edhe tentativa të tjera, duke mashtruar në emër të kryebashkiakut aktual të Laçit, apo ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi.
Lajmi kryesor:
'Jam Ermal Dredha, më duhen 35 mijë euro!' Rishfaqet mashtruesi Florian Gjergjin! Tentoi t'i merrte biznesmenit 35 mijë euro! Në pranga bashkëpunëtorët
SI.E./ReportTv.al