Foto ilustruese

Ulet me 4 lekë çmimi i naftës, nga sot shitet 223 lekë! 1 lekë më pak dhe benzina! Gazi i pandryshuar

12 Nëntor 2022, 17:31| Përditesimi: 13 Nëntor 2022, 10:43

  • Share

TIRANË- Bordi i Transparencës ka vendosur që të ulë me 4 lekët çmimin e naftës si edhe me 1 lekë çmimin e benzinës.

Nga 227 lekë për litër që ishte, nafta do të shitet me 223 lekë, ndërsa benzina nga 210 lekë për litër, do të shitet me 209 lekë deri në vendimin e ardhshëm. Çmimi i gazit mbetet i pandryshuar, në vlerën 74 lekë për litër

Çmimet e reja do të hyjnë në fuqi nga nesër ora 12.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit.

"Vendimet e Bordit të Transparencës në datë 12 Nëntor 2022 kanë ndryshime të çmimit nga ai i përcaktuar në mbledhjen e fundit.  
Referuar të dhënave lidhur me bursën Platts të datës 11.11.2022, kemi ndryshime të çmimit nga ai përcaktuar në mbledhjen e fundit, konkretisht rezulton se çmimi (FOB/MED $ Ton) i Benzinës është 979, + 22 nga data 11.11.2022, $/ Ton, ndërsa çmimi i Gazoilit/Diesel është 1028, +5 nga data 11.11.2022, $/Ton. Kursi i këmbimit i BSH ka pësuar një ulje në 114.38 (- 3.65 nga data 11.11.2022).

Si rrjedhojë çmimet e vendosura janë : Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 223 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 211 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 209 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 197 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 74 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 62 lekë/litër për automjetet.
Çmimi i gazoilit për peshkim është vendosur  130 lekë/litër. Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi në datë 13 Nëntor, ora 12.00, dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes", thuhet në njoftim. 

Bordi ka sqaruar se jo çdo lëvizje e bursës së naftës bruto reflektohet në të njëjtën kohë me ndryshimin e çmimeve edhe në vendin tonë.

“Bordi i transparencës që në krijimin e tij i është përmbajtur me përpikmëri në vendimet e tij lëvizjes së bursës Platts të Mesdheut për gazoilin, benzinën, si dhe faturave zyrtare të operatorëve. Ministria e Financave dhe Ekonomisë ndjen detyrimin të sqarojë opinionin publik se jo çdo lëvizje e bursës së naftës bruto reflektohet në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën masë në bursën e gazoilit dhe benzinës”, përfundon njoftimi.

Ky reagim vjen pas akuzave të opozitës, që kërkojnë shkrirjen e Bordit, me akuzat se po mbron oligarkët dhe jo interesin e qytetarëve.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?