Moment nga takimi në DASH, i delegacionit parlamentar shqiptar

Politikë

PS e PD bashkë në SHBA, Bardhi pas takimit me zv/ndihmës Sekretarin: SHBA aleati ynë kyç, Shqipëria të japë garanci për zgjedhje të lira

4 Shkurt, 19:52| Përditesimi: 5 Shkurt, 00:44

  • Share

Një delegacion parlamentar nga Shqipëria zhvilloi një vizitë në Departamentin Amerikan të Shtetit në SHBA, edhe në kuadër të afrimit të zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit.

Në këtë delegacion kanë qenë pjesë deputetët e PS-së, Damian Gjiknuri dhe Blerina Gjylameti, kreu i grupit të PD-së, Gazment Bardhi dhe ambasadori shqiptar në Uashington, Ervin Bushati.

Delegacioni ka zhvilluar një takim me Zv/ndihmës Sekretarin e Shtetit, të dërguarin për Ballkanin Perëndimor, Alexander “Sasha” Kasanof.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, reagoi me një postim në rrjetin social Facebook për këtë takim në DASH.

Teksa ka nënvizuar se SHBA-të mbeten aleati kyç, ai kërkoi që Shqipëria të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

"Në Departamentin Amerikan të Shtetit. Gjatë vizitës në Ëashigton DC, sëbashku me një delegacion nga Kuvendi i Shqipërisë, zhvilluam një takim në Departamentin e Shtetit me zv. Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit dhe të dërguarin për Ballkanin Perëndimor z. Alexander “Sasha” Kasanof.

SHBA mbetet aleati ynë kyç dhe shqiptarët janë me fat që i kanë patur gjithmonë në krah. Shqipëria si vend anëtar i NATO-s, duhet t’i qëndrojë standardeve të një vendi demokratik, duke nisur me garancitë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, si dhe të punojë me vendosmëri për t’u bërë pjesë e BE-së”, shkruan Bardhi. 

Një reagim e pati edhe deputeti i PS, Gjiknuri i cili shkruan se gjatë takimit është nënvizuar angazhimi i vazhdueshëm i SHBA-së në rajonin e Europës Jug-lindore, me fokus Ballkanin Perëndimor. Ai deklaron se SHBA vazhdon që të jetë mbështetësja kryesore e institucioneve shqiptare dhe nxitësja e integrimit të vendit tonë në BE.

"Washington, Në kuadër të një delegacioni me deputetë të Kuvendit, shoqëruar nga ambasadori Ervin Bushati, u pritëm në Departamentin e Shtetit nga Zëvendës-ndihmës Sekretari Amerikan Alexander Kasanof, përgjegjës për zyrën e Evropës dhe çështjet e Euroazisë. 

Gjatë takimit u theksua angazhimi i vazhdueshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajonin e Evropës Juglindore, me fokus Ballkanin Perëndimor. 

SHBA vijon të jetë mbështetësja kryesore e institucioneve shqiptare dhe nxitësja e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. 

Zyrtari amerikan shprehu përgëzime për bashkëpunimin mes pozitës dhe opozitës me qëllim zbatimin e votës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. 

Nënvizuam rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit, kordinimit dhe ndërveprimit me SHBA-të si aleati më strategjik i Shqipërisë", shkruan Gjiknuri.

Postimi i Gazment Bardhit në Facebook

A.Q/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Informaliteti e nëndeklarimi pagave po dëmtojnë pensionet, sa po luftohen?