Pas akuzave që Aleanca për Teatrin ka hedhur për Ambasadorin Luigi Soreca se po ndikon në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Delegacioni i BE i ka cilësuar shpifje të ulëta që do të ndiqen në rrugë ligjore.
“Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri përgënjeshtron me forcë deklaratat bazuar në shpifje prej një përfaqësueseje të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar drejtuar Ambasadorit Luigi Soreca.
Delegacioni i BE-së në Shqipëri konfirmon që Ambasadori Soreca është takuar me Kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Znj. Vitore Tusha, mëngjesin e 16 qershorit 2021. Takimi ishte pjesë e një serie takimesh që Ambasadori po zhvillon gjatë ditëve të fundit me të gjithë kryetarët e institucioneve të drejtësisë për të diskutuar mbi gjendjen e zbatimit të reformës në drejtësi në Shqipëri. Gjatë takimit nuk pati asnjë diskutim në lidhje me çështjen e hapur në Gjykatë mbi Teatrin Kombëtar. Delegacioni i BE-së në Shqipëri dhe Ambasadori Soreca vazhdojnë të mbështesin fuqimisht dhe në mënyrë sistemike pavarësinë e të gjitha institucioneve gjyqësore shqiptare.
Delegacioni i BE-së rezervon çdo të drejtë për të ndjekur ligjërisht deklaratat e bazuara në shpifje të bëra sot në media”, shkruan Delegacioni i BE.
Lajmi kryesor:
Aleanca për Teatrin sulmon Sorecën: Të shpallet non grata! Të pamë që hyre në Kushtetuese e dole nga pas! BE: Shpifje, do ndiqen ligjërisht
//ReportTv.al