Tirane- Ministri i Financave Ervin Mete, priti në një takim një delegacion të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, kryesuar nga z. Matteo Colangeli, Drejtori i BERZH për Ballkanin Perëndimor.
Në takim u diskutua mbi bashkëpunimin me BERZH, në kuadër të financimit të projekteve të rëndësishme zhvillimore, tashmë edhe në kuadër të Planit të Rritjes të Komisionit Europian.
Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor do të sjellë një forcim të mënyrës se si do të përftohen burimet në mbështetje të projekteve rajonale, kryesisht në kuadrin e Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor.
BERZH do të bashkëpunojë ngushtë me Komisionin Europian dhe qeveritë e rajonit në zbatimin e Planit të Rritjes.
Ministri i Financave vlerësoi mbështetjen e BERZH, i cili ka financuar në vazhdimësi projekte prioritare për vendin, përfshirë së fundmi edhe “Rehabilitimin e linjës hekurudhore Vorë-Hani i Hotit”.
Krahas kushteve të favorshme të financimit, ekspertiza më e mirë ndërkombëtare dhe standardet e aplikuara për realizimin e këtyre projekteve vlerësohen si një element i rëndësishëm për të siguruar investime të qëndrueshme, thuhet në njoftimin e ministrisë së Brendshme.
Projektet e sektorit të transportit hekurudhor kanë siguruar së fundmi një mbështetje të konsiderueshme, jo vetëm nga Qeveria Shqiptare, por edhe nga institucione ndërkombëtare, ku Fondi i Investimit të Ballkanit Perëndimor (ËBIF) apo Fondi i Përbashkët Europian i Ballkanit Perëndimor (EËBJF) janë mekanizmat kryesore të financimit të ngritura nga BE dhe institucione ndërkombëtare, që po kontribuojnë në zhvillimin e këtij sektori.