Delegacioni i policisë shqiptare vizitë në zyrat e DEA-s në Uashington! Dakordësim për disa marrëveshje

22 Janar, 16:48| Përditesimi: 22 Janar, 16:52

  • Share

Një delegacion nga Policia e Shtetit shqiptar bëri një vizitë në Uashington, në zyrat qendrore të DEA-s dhe të ICITAP-it, ku u takua me zv/drejtorin e DEA-s, George Papadopoulos, shefin e Operacioneve William Kimbell dhe shefin e Zyrës Rajonale John Livanis. 

Drejtori i Kabinetit në DPPSH, Genc Merepeza, i përcolli zotit Papadopoulos, përshëndetjet e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, duke i shprehur keqardhjen për pamundësinë për të marrë pjesë në këtë takim. Shefi i Sektorit për Hetimin e Grupeve Kriminale, Drejtues Dorian Muça, bëri një prezantim të luftës së përbashkët kundër trafikimit të lëndëve narkotike dhe grupeve kriminale që merren me këtë trafik.

Në përfundim, Papadopoulos u dakordësua me kërkesat e delegacionit shqiptar, për hapjen e zyrës së DEA-s në Tiranë, për shtyrjen e afatit të përfaqësueses së DEA-s në Tiranë, si dhe për aktivizimin e numrit jeshil, i cili u aktivizua një ditë pas këtij takimi. Lidhur me ndërmjetësimin e tri marrëveshjeve me Meksikën, Kolumbinë dhe Ekuadorin, Papadopoulos e mirëpriti dhe ngarkoi Livanis, që të bëjë ndërmjetësim për t’i dhënë jetë këtyre marrëveshjeve.

Takimi u zhvillua në një atmosferë mirëkuptimi dhe sinqeriteti dhe Papadopoulos iu përgjigj pozitivisht ftesës së bërë nga Drejtori i Përgjithshëm, për të vizituar Policinë e Shtetit.   

Në takimin në zyrat qendrore të ICITAP-it, delegacioni u prit nga Drejtori Ducot. Gjatë këtij takimi u vlerësua bashkëpunimi disavjeçar i PSH me ICITAP, në disa fusha në mbështetje të Policisë së Shtetit, ku u theksua se PSH dhe ICITAP janë partnerë të besueshëm dhe bashkëpunimi do të thellohet më tej. Ducot vlerësoi rolin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, në drejtim të rritjes së bashkëpunimit dhe forcimit të besimit mes palëve.

Në vazhdim u diskutua me grupin e FLETC, për trajnimet që ata ofrojnë dhe për ndihmesën në akreditimin e shkollës bazë të Policisë. Gjithashtu u mirëpritën trajnimet për hetuesit që do të dalin nga shkolla bazë. 

“Eshtë mirë që Parullulla e Përgjithshme të bëjë dhe veprimet e para në vendngjarje”, - tha Arturo Venegas. 

Në takimin me përfaqësuesit e EMPOWER, u diskutua puna e bërë dhe vazhdimësia në mbështetjen për shoqatën e grave në Polici, deri në krijimin përfundimtar të saj. U theksua mbështetja që DPPSH ka dhënë në takimet e mëparshme, për këtë shoqatë.     

Lidhur me mbështetjen për IPSH dhe Policinë shqiptare, Britany Graham tha se do ta vazhdojnë mbështetjen për njohjen e drogave të reja, sepse janë të surprizuar nga serioziteti i bashkëpunimit dhe i luftës së përbashkët kundër drogave, sidomos atyre sintetike.     

Gjatë ditëve të qëndrimit, delegacioni shqiptar takoi dhe përfaqësuesen e INL Ellen Alegranti, të cilës i bënë një përmbledhje të ecurisë së punës për Programin PRIMS dhe kërkesën për mbështetje për implementimin e ketij programi në PSH.     

Alegranti tha: “Jemi informuar për punën që po bëni, nga ambasada e SHBA-së në Tiranë. E vlerësojmë punën e bërë dhe bashkëpunimin tuaj me INL dhe ICITAP. Nga ana jonë shohim seriozitet dhe vendosmëri në zbatimin e këtij programi nga PSH. Bazuar në këto elemente, jam informuar se është parashikuar financimi dhe do të kalojë për miratim. Jemi dakord që në zbatimin e këtij projekti, që po hartohet nga INL, në Tiranë dhe PSH, të kemi një kompani që e ka zbatuar më parë në Kosovë, me qëllim që të mos humbim kohë në tenderime”.

Në përfundim të vizitës, delegacioni u takua me një përfaqësues të Shoqatës Shqiptaro-Amerikane të Policisë, të cilit iu përcollën përshëndetjet e Drejtorit të Përgjithshëm, për Shametin dhe për gjithë shoqatën.

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?