Çërrava është një fshat i vogël mbi “çatinë” e Pogradecit, në kufijtë e parkut kombëtar të Prespës. 700 familje të mbetura në ato zona mbahen me blegtorinë, një punë sa e bukur aq e vështirë, sa e lashtë, aq dhe e braktisur për vështirësitë, por dhe për të tjera pasione të kohëve moderne. Por jo në Çërravë. Aty banorët jetojnë dhe shtojnë bagëtitë: dele, lopë. Të imëtat dhe të trashat kullosin në lëndina magjike, të mbetura akoma ashtu, si mesazhere direkte mes njeriut dhe gjithësisë. Por deri kur?
Pikërisht në Bregun e Lëndinave, një hapësirë kullotash që të hap syrin e shpirtin, Bashkisë së Pogradecit i ka shkuar në mendje të vendosë panelë diellorë e të zbojë blegtorë e bagëti që shëtisin aty brez pas brezi. Sigurisht, betoni i hedhur në Pogradec, planifikimi i monstrave të ndërtimeve edhe në të magjishmin Drilon, kërkon energji dhe togfjalëshi modern “panele solare” duket më interesant se shekullori “barinj e bagëti”, lëre pastaj kur e gjitha vishet dhe me të pakundershtyeshmen: me financime të Bashkimit Europian....
Barinjtë janë të vetëm në këtë luftë për ekzistencë. Ndoshta prisnin që dikush të mendojë ndryshe për ta: T’i inkurajonte të hapnin stane të bukura me dru dhe gurë ku kalimtarë e ekskursionistë të shuanin etjen me ujë të ftohtë, apo me një gotë dhallë; të hanin të mirat që ofron puna dhe sakrifica e tyre e më pas të zbrisnin e të freskoheshin në liqenin e bukur të Pogradecit. Por jo, lajmet për ta nuk janë edhe aq të mira, edhe pse ndonjë zë që e kundërshton këtë absurd po ngrihet lart e ndonjë media edhe po ua pasqyron hallin që kanë.
Përballë Shqipërisë, në Luginën e Itrias në Pulja, me siguri do të kishte vend të përshtatshëm për panele diellore, mullinj të erës e të tjerë ekomonstra që do të duheshin të vendoseshin në vendet më të fshehta dhe larg syrit të njeriut dhe kështu e kanë bërë: Fqinjët tanë kanë ruajtur si shekuj më parë kolibet prej guri të fshtarëve dhe blegtorëve, muret me gurë të thatë, lëndinat dhe ullishtet siç ishin bërë qindra vite më parë. Sot sa i kanë riparuar dhe zbukuruar dhe shpesh me duart e mjeshtërve dibranë, me famë në shtetin fqinj për zotësinë që kanë.
Për momentin, vendimi i vendosjes së paneleve diellorë në Çëravë nuk ka kaluar në këshillin bashkiak. Shpresojmë të mbetet një ëndërr e keqe për blegtorët e Çërravës e në vend të ekomonstrave në ato lëndina, të ngrihen stanet më të bukura që ndonjëherë mund të jenë parë.
Komente

DUHEET TE RUHET BKEGTORIA...POPULLI I ASAJ ZONE TE NGRIHET DHE PRISHE PASQYRAT PARA SE TI VENDOSIN....
PërgjigjuE vertete duhet te kete ballancim teritorit mes mjedisit kullotave e paneleve djellor, kame vene re nje dukuri kur me takon te shkoje per mirembajtje ne parcelat e impianti djellor poshte paneleve Ka me shume bimesi spesa ku nuk Ka panele,kjo per faktin qe krijohet mikroklime qe faforizon bimesine,te lejohen cobanet te kullosin gjene e gjalle ne impiante keshtu behet mire edhe bagetise edhe pronarit impiantit qe i heqin barin spese per ndryshe Ka koston e pastrimit te deyruar do a sdo.Nuk eshte humor,eshte fakt.
Përgjigju