Përveç dy rasteve me grip që u konfirmuan nga Instituti i Shëndetit Publik dy muaj më parë, aktualisht nuk ka qarkullim të gripit në vendin tonë për shkak se po mbizotëron varianti Delta.
“Virusi i gripit nuk po qarkullon në popullatë për arsye dhe të asaj çfarë kemi thënë garës së viruseve duke qenë se të njëjtët receptorë që lidhen me SARS-COV2 janë po të njëjtët që lidhen dhe me virusin e gripit dhe masivisht në popullatën tonë dominon varianti Delta për momentin”, tha virologe në ISHP, Iris Hasibra.
Ndërkohë përgjigja e mostrave të dërguara për konfirmimin e varianti të ri Omicron, pritet të vij shumë shpejt sipas specialistes virologe në ISHP, Iris Hasibra.
“Nuk janë kampione që dërgohen në momentin që ne kemi një sinjal por dërgohen vazhdimisht sepse nuk dërgohen vetëm për sinjale shqetësuese por dërgohen dhe për monitorimin e gjenomës së virusit në lidhje me vaksinën, në lidhje me terapitë anti-virale që kryhen pra në rrjet laboratorësh kryhet një vlerësim tërësisht i genomës së virusit”, tha Hasibra për Report Tv.
Në lidhje me këtë variant ende nuk të dhëna të mjaftueshme për ndikimin që ka në fatalitete dhe në efektshmërinë e vaksinave, por sipas specialistëve më tepër të dhëna pritet të ketë në dy javët e ardhshme.