Politikë

Demalia: Kur ndodhi masakra e Peshkëpisë, Berisha qante në zyrë nga mllefi, tani me Belerin në krah! Ishte në grupin terrorist, të hetohet! Petraj: Dosja s’ekziston, u zhduk qëllimisht

10 Prill, 20:08| Përditesimi: 10 Prill, 20:14

  • Share

 

Dosja e masakrës së Peshkëpisë duhet të rihetohet bashkë me Fredi Belerin, si pjesë e grupit terrorist grek, që më 11 prill 1994 mësynë dhe vranë ushtarakët në repart, duke pushtuar territorin shqiptar.

Analisti Ilir Demalia kujtoi historinë e 31 viteve më parë, në ditën e përvjetorit të masakrës, se Sali Berisha që ishte President në atë kohë, qante në zyrën e tij nga mllefi apo hipokrizia dhe kërkonte arrestimin e Belerit në atë kohë, kurse tani del si aleat me të në krah, shkon në Parlamentin Europian apo në Greqi për fushatë, duke bërë politikën greke me territoret shqiptare.

Ai kërkoi rihetimin e masakrës, pasi nuk mund të parashkruhet si krim terrorist dhe gjithashtu të hetohet edhe Fredi Beleri.

“Berisha ka qenë president në atë kohë, ai qante në zyrën e tij për çfarë i ndodhi dhe kërkonte arrestimin e Belerit, thoshte ma gjeni se ku është dhe arrestoheni. Nuk e di nëse qante nga hipokrizia apo se nuk dinte çfarë të bënte. Ishte sulm terrorist. Nuk e dimë nëse ishte pjesë e grupit që vranë, por që ishte pjesë e organizatës terroriste kjo është e provuar. Duhet hetuar dhe parë nëse ishte në vrasje. Ai që është shqiptar nuk duhet ta votojë Berishën, sepse ky e futi Belerin si kandidat në Himarë për Bashkinë, kur dihej se çfarë kishte bërë. Kishte dhunuar simbolet kombëtare dhe dyshohej për Peshkëpinë. Dhe ndodhi ajo që ndodhi, ai ende kërkon autonominë e Himarës. Rama ngriti flamurin shqiptar atje, Athina e bëri eurodeputet atë në Parlamentin Europian. Ai është akuzuar për terror e urrejtje nacionale, kurse sot është anëtar i PE-së. Kurse ky që gjoja i qan zemra për shqiptarët e Kosovën, na e bën Belerin aleat, bën mitingje me Belerin e Dulen në Greqi me organizatën Mavi, pa asnjë flamur shqiptar. Shkon e bën dëgjesë me Dulen e Belerin në Parlamentin Europian e hiqen sovranistë, kujtojnë se njerëzit nuk i shohin. Këta shesin interesat e vendit të tyre, si mund t’i besosh gënjeshtrave të tij”, tha Demalia.

Pikërisht për këto rrethana, ai këmbënguli në rihetimin e masakrës, që prej 31 vitesh është pa autorë.

“Ndaj unë them se SPAK duhet ta rihetojë këtë çështje të Peshkëpisë, edhe pse është mbyllur më parë për shkak të afateve. Ai grup ka bërë akt terrorist brenda territorit të Shqipërisë, grup kriminal, Beleri ka qenë pjesë e atij grupi, le të jetë PE-ja, duhet të hetohet, SPAK të veprojë. Beleri eurodeputet është turp i PE-së. Këtë nuk e bëjnë dot me Gjermaninë, as me Malin e Zi e Maqedoninë s’e bëjnë dot, kurse me ne e bëjnë dhe madje ulin të mbathurat në fund të këmbëve. SPAK duhet të rihapi hetimet për Peshkëpinë dhe Beleri të hetohet”, theksoi analisti.

Në lidhje me zhdukjen e dosjes, ai kërkoi të gjenden përgjegjësit dhe të ndëshkohen, duke akuzuar Sali Berishën si ideatori i të gjitha të këqijave që i kanë ndodhur Shqipërisë me sistemin e pandëshkueshmërisë.

“Nëse dosja e Peshkëpisë është zhdukur, a ka një autor, se kush e zhduku dosjen. Kush është personi përgjegjës, kush mban përgjegjësi, kush e bëri 1997 që na qenka zhdukur dosja, a ka një përgjegjës. A ka shtet, a ka drejtorë të Shërbimit Sekret, ndaj vuajmë ne se nuk ndëshkuam as krimet e komunizmit, as 1997, as Gërdecin, i parashkruajnë dhe i kemi ne në kurriz, se këta nuk i gjen gjë. Një shtet që nuk ka arkiva, nuk është shtet. Këta, barbarët i dogjën, me hipoteka e kadastra, e shkrumbuan fare. Kjo gjendje të revolton. E del e flet ky, Sali Berisha, për Enver Hoxhën, që çfarë nuk ka bërë, por ne jemi banalë”, përfundon ai.

Kurse avokati Edmond Petraj dha lajmin se dosja është vështirë të rihapet dhe hetohet, sepse është vjedhur apo zhdukur që nga trazirat e vitit 1997 në Gjirokastër, qëllimisht nga qarqe të caktuara.

“Dosja nuk ekziston. Sepse ajo është me mangësira, mungojnë shumë elementë nga ana proceduriale, por asaj i mungojnë sipas anës proceduriale. Kemi anën tjetër, që vepra penale është parashkruar. Krimi nuk parashkruhet por ka kaluar shumë kohë. Unë them nuk hapet dosja. Që të fillojë kjo, duhen marrë dy dosjet e Janinës dhe një tjetër në Gjykatën e Lartë në Athinë, që të shihen armët e përdorura që ishin edhe në regjistrin e repartit të Peshkëpisë, që edhe mund të ketë disa elementë. Por e theksoj, ka shumë mangësira. Dosja nuk është vjedhur rrugës, por qëllimisht, janë zhdukur materialet. Në vitin 1997 ndodhën ato që ndodhën, e kishte Gjirokastra si dosje në atë kohë, e kuptoni vetë tani, edhe kur shkoi te Krimet e Rënda ishte me mangësi të rënda", vijon ai.

Por ai shtoi se ka një rrugë që mund të ndiqet, edhe pse shumë e vështirë nga ana teknike dhe burokracitë. Petraj mendon se ajo dosje u vodh e zhduk qëllimisht gjatë trazirave.

"Beleri është gjykuar për armëmbajtje pa leje në Greqi. Për çfarë u bë më 1997 nuk u dha llogari. U rrënua gjithçka, u dogjën dhe u shkatërruan, u bë kasaphanë, Kadastra e Hipoteka, dokumente e gjithçka. Ka qenë e qëllimshme dhe atë e dinë të gjithë. Edhe dosja e Peshkëpisë mes tyre, është vjedhur qëllimisht, se nuk ishte vetëm Beleri aty, kishte edhe të tjerë. Por përgjegjësit nuk u morën asnjëherë nën përgjegjësi penale, sepse ishin të mpleksura me njëra-tjetrën”, shpjegon juristi për Report TV.


Lajmi kryesor:

Demalia: Saliu ‘non grata’, s’vjen dot në pushtet me Llallën e Gjonin! Rama mbi 70 deputetë! Petraj: Dikur Berisha rrinte me gërshërë në dorë, si rrobaqepës


A.Q/r.k./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    A do e ndihmojë PD-në në fushatë strategu i Trump, LaCivita?