Komisioni ekonomisë votoi propozimin e Ministrisë së Financave për të hequr taksën e ndikimit në infrastrukturë të gjitha kompanitë që do të rindërtojnë bizneset e dëmtuara gjatë tërmetit të 26 nëntorit
"Ne do të kërkonim që taksa e ndikimit në infrastrukturë dhe për ato objekte të cilat përdoren dhe për veprimtari ekonomike të mund të lehtësohet ndërtuesi dhe biznesi që do të duan ti rregullojnë këto dëmtime. Pra jo vetëm individët por edhe bizneset të përjashtohen nga taksa e ndikimit në infrastrukturë", u shpreh Vasilika Vjerro Zëvendësministre e Financave.
Komisioni e dërgoi ndryshimin ligjor për votim në parlament. Ndërsa opozita parlamentare e kundërshtoi atë pasi sipas deputetëve nuk u konsultua
"Unë kam dyshimin e fortë që në zonat e prekura nga tërmeti nuk po bëhet vetëm rindërtim por shfrytëzohet momenti për të përfituar ata që e kanë ndërtimin burim të ardhurash apo fitim prurje. Prandaj nuk jam dakord që ky ndryshim të bëhet sot, të bëhet i paargumentuar i pavlerësuar në dokumentacionin përkatës dhe të futet në rend dite pa asnjë lloj informacioni paraprak", shprehet deputetja e opozitës Edlira Hyseni.
"Ku janë ndërtimet e mëdha në Durrës? Ku? Ku?", pyet deputeti PS në Durrës Roland Xhelili
"Ndërtimet në Durrës janë kudo. Lagjja 1 e kudo, të ti them me argumente", thotë Hyseni.
Aktualisht të gjitha kompanitë që marrin pjesë në procesin e rindërtimit, ndërtimit dhe riparimit të ndërtesave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit janë të përjashtuara nga taksa e ndikimit në infrastrukturë dhe TVSH-ja. Tashmë kësaj kategorie i shtohen edhe bizneset e dëmtuara.
Për procesin e rindërtimit nga buxheti i shtetit do të jepen 34 miliardë lekë, ndërkaq po punohet edhe për përfitimin e plotë të të gjithë donacioneve të premtuara nga ndërkombëtarët që shkojnë 1,15 miliardë euro