Dëmet nga fatkeqësitë natyrore do të likujdohen në 2023! Çako: Komisione të reja për të rivlerësuar dëmshpërblimet

31 Tetor 2022, 15:10| Përditesimi: 31 Tetor 2022, 22:13

  • Share

TIRANË- Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile do të ketë rritje buxheti për vitin 2023. Një pjesë e mirë e këtij buxheti, rreth 535 milionë lekë është parashikuar për likujdimet totale të prapambetura ndër vite të dëmeve nga fatkeqësitë natyrore, duke nisur nga përmbytjet sidomos në Shkodër dhe jug të vendit..

“Kemi planifikuar që për vitin 2023 të shlyejmë të gjitha detyrimet e prapambetura të cilat administrohen ne dosjet përkatëse në AKMC, të trashëguara nga ish-Drejtoria e EC. Masiv i madh dosjesh që shkon deri në 500 e 40 ca milionë lekë. Kemi detyrën që të bëjmë një më një vlerësimin e dosjeve, mbi bazën e të cilave janë ngritur grupet e punës që përcaktojnë qartësisht të gjithë specifikat që kanë dosjet, për të rakorduar diskordancat që kanë midis tyre”, tha Haki Çako,  Kreu i Agjencisë Kombëtare e Mbrojtjes Civile.

Duke raportuar në Komisionin e Sigurisë, kreu i Emergjencave, Haki Çako, hodhi dyshime të abuzimeve ndër vite të komisioneve të vlerësimit nga bashkitë.

“Për hir të së vërtetës jemi të detyrua të pranojmë që ka edhe abuzime nga komisionet e vlerësimit nëpër bashki ndër vite dhe që ne e kemi për detyrë t’i marrim në sitë një për një pasi pjesa më e madhe e këtyre komisioneve kanë nënvlerësuar, në mungesë të shprehjes së abuzimit”, shtoi Çako.

Çako ngriti edhe shqetësimin e mungesës së stafit të trajnuar nëpër bashkitë e vendit, kryesisht për punonjës zjarrfikës.

“Kemi bashki, pa dashur që t’i identifikoj që prej vitesh kanë autoshkalla me komanda elektronike, nuk i përdorin sepse nuk trajnojnë njerëzit apo edhe ata që i trajnojnë i lëvizin në mënyrë të pakontrolluar shpesh dhe që edhe punonjësit edhe vetë zjarrfikësit duhet të jenë në trajnime intensive’, tha ai.

Haki Çako tha ndërkohë se është drejtë finalizimit edhe një strategji për uljen e riskut nga fatkeqësitë natyrore.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?