Zjarri që preku kishën e Shën Ilias

Kultura

Dëmet nga zjarret, ministri Gonxhja: Janë prekur Kisha e Shën Ilias në Gjirokastër dhe Manastiri i Shën Mërisë së Krimanovës në Vlorë

15 Gusht, 13:53| Përditesimi: 15 Gusht, 14:12

  • Share

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ka bërë një bilanc lidhur më dëmet që kanë shkaktuar zjarret në pasuritë kulturore. Sipas ministrit, në qarkun Vlorë është prekur Manastiri i Shën Mërisë së Krimanovës në fshatin Piqeras, ku është dëmtuar  bimësia në oborrin e pasëm.

Ndërkohë, në qarkun Gjirokastër, Kisha e Shën Ilias në fshatin Lekël ka pësuar dëmtime nga flakët, por pjesa më e madhe e strukturës është ruajtur dhe ka nisur puna për hartimin e një projekti restaurimi. Në qarqet Dibër dhe Shkodër, pavarësisht vatrave të shumta, nuk janë regjistruar dëmtime në monumente. 

Një apel bën edhe për qytetarët që të jenë të kujdesshëm në ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Reagimi i plotë:

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe Drejtoritë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, po ndjek nga afër situatën e zjarreve në vend për të garantuar mbrojtjen e pasurisë sonë kulturore.

Në qarqet Dibër dhe Shkodër, pavarësisht vatrave të shumta, nuk janë regjistruar dëmtime në monumente. Falë ndërhyrjes së shpejtë të strukturave të zjarrfikësve dhe ushtrisë, objekte si Muzeu i Kastriotëve dhe Kështjella e Fletit janë mbajtur jashtë rrezikut. Në qarkun Vlorë, i vetmi rast i prekur ka qenë Manastiri i Shën Mërisë së Krimanovës në fshatin Piqeras, ku flakët dëmtuan vetëm bimësinë në oborrin e pasëm të manastirit, pa cenuar strukturën.

Në qarkun Gjirokastër, Kisha e Shën Ilias, monument kulture i kategorisë së II-të, në fshatin Lekël pësoi dëmtime nga zjarri, por pjesa më e madhe e strukturës u ruajt. Menjëherë pas evidentimit të nevojës për ndërhyrje, kemi nisur me hartimin e projektit.

Të gjitha DRTK kanë qenë në gatishmëri të plotë, duke krijuar breza sigurie përreth monumenteve, larguar vegjetacionin, ngritur grupe kontakti me zjarrfikësit, duke bashkëpunuar me institucionet përkatëse, pajisur stafin me mjete e materiale, dhe mbajtur në monitorim në terren për çdo emergjencë.

Ekipet tona, në bashkëpunim të ngushtë me strukturat e zjarrfikëseve, ushtrinë dhe autoritetet vendore, mbeten të angazhuara, me prioritet absolut mbrojtjen e trashëgimisë kulturore nga çdo rrezik natyror, si dhe për të planifikuar në vijim restaurimet e mirëmbajtjet e nevojshme të monumenteve të prekura.

Ju bëjmë thirrje:

• Mos ndizni zjarre në natyrë apo gjatë pastrimit të parcelave.

• Raportoni menjëherë çdo shenjë tymi apo flake që shihni.

Le të jemi të kujdesshëm, të mbrojmë njëri-tjetrin, natyrën dhe trashëgiminë tonë kulturore, deri në tejkalimin e kësaj situate.

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A e zgjidh emergjencën e zjarreve në Shqipëri blerja e avionëve zjarrfikës?