Drejtuesi politik i Partisë Socialiste, Ervin Demo, ka dhënë një intervistë ditën e sotme, në kuadër të procesit elektoral. Demo ka thënë për Report Tv, për gazetaren Mimoza Sinanaj, se në Berat procesi ka ecur mirë dhe se PS është duke pretenduar 6 mandate, nga 5 që është deri tani sipas numërimit të momentit.
Nga ana tjetër, ai tha se Berati ka demonstruar një karakteristikë të ruajtjes së qetësisë në këto zgjedhje.
"Procesi është duke ecur krejt normal dhe kjo është pjesë e vetë karakteristikës së Beratit dhe besoj që në orët e para të ditës së nesërme ne do të kemi rezultatet finale. Ne kemi qenë besimplotë. Ne kemi qenë shumë të qartë që objektivi ynë në këtë qark do të ishte 5 mandate. Është e kuptueshme që shumë subjekte ishin skeptike, sepse bënin një mbledhje mekanike të votave të 2021. Dhe ne, bashkë me votën e diasporës, jemi shumë afër të marrit 6 mandate, pra jemi duke pretenduar 6 mandate." – tha Demo.
Ndërkohë në Berat po vijon numërimi i votave, ku deri tani janë numëruar votat e hedhura në 178 qendra votimit nga 276 që ka ky qark.
Partia Socialiste kryeson me 25002 vota ose 58.7% duke siguruar 5 mandate. Edhe vota e diasporës nga numërimi i deritanishëm rezulton në favor të socialistëve me 69.6%. Një rritje të ndjeshme PS shënon edhe në votë popullore me 2.7%.
Socialistët në këtë qark pasohen nga PD me 12741 vota ose 29.9%, duke marrë 2 deputetë. Në votën e diasporës demokratët vlerësohen me 13.3% deri tani, ndërsa shënojnë një rënie drastike prej 12% në votë popullore.
Nga numërimi i deritanishëm forcë e tretë në këtë qark rezulton Nisma Shqipëria Bëhet 2976 vota ose 7%. 10.4% e votës së diasporës shkon për kampin politik të Adriatik Lapajt.
Komente
