Në 130 aktivitete gjatë fushatës zgjedhore është raportuar për përdorim të gjuhës nxitëse, urrejtëse apo fyese.
Kështu u tha sot nga rrjeti i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”, ku janë paraqitur të dhënat mbi mbarëvajtjen e tërë fushatës zgjedhore.
Lëvizja Vetëvendosje prin me përdorim të gjuhës së urrejtjes me rreth 21 për qind, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 19 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës 18 për qind dhe Partia Demokratike e Kosovës me 14 për qind.
Në një konferencë për media, Eugen Cakolli nga DnV tha se kjo fushatë është karakterizuar me raste të shpeshta dhe të theksuara të përdorimit të gjuhës së urrejtjes, diskriminuese apo fyese.
“Në plot 130 aktivitete apo gati në çdo të pestin aktivitet të organizuar është raportuar për përdorim të gjuhës nxitëse, urrejtëse apo fyese. Në përqindje, Lëvizja Vetëvendosje prin sa i përket aktiviteteve të zhvilluara në të cilat ka pasur përdorim të gjuhës së urrejtjes me rreth 21 për qind të aktiviteteve të saj. Pas Lëvizjes Vetëvendosje renditet Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që si subjekt në 19 për qind të aktiviteteve të organizuara ka pasur përdorim të gjuhës së urrejtjes apo gjuhës nxitëse. Lidhja Demokratike e Kosovës përmbyll top listën e tri subjekteve me më së shumti aktivitete ku ka pasur gjuhë të urrejtjes, respektivisht në 18 për qind prej tyre. PDK përkundër deklarimeve dhe zotimeve që nuk do të përdor gjuhë të tillë, ka pasur nivelin më të ulët, por sërish është në përmasa shqetësuese apo 14 për qind të aktiviteteve të zhvilluara nga kjo parti politike”, deklaroi ai.
Mes tjerash, DnV ka treguar se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka shqiptuar gjithsej 654 mijë e 500 gjoba për partitë politike që kanë shkelur Kodin e Etikës.
Partia që është dënuar më së shumti, është Lëvizja Vetëvendosje me 202 mijë e 500 euro gjoba.
“LVV është dënuar 202 mijë e 500 euro gjobë, PDK me 143 mijë e 500 euro gjobë, LDK me 141 mijë e 600 euro gjobë, AAK-NISMA me 81 mijë e 200 euro gjobë, Koalicioni për familjen me 33 mijë euro gjobë, Lista Serbe me 21 mijë e 500 euro gjobë, PLE-Partia Liberale Egjiptiane me 3000 mijë euro gjobë, SRB Demokratija me 12 mijë euro gjobë, Partia Kosovksi SRBA me 7 mijë e 200 euro gjobë, Za Slobodno Pravnu i Opstanak- N.Rashiq me 3 mijë e 500 euro gjobë, Nova Stranka me 1 mijë 500 euro gjobë, IRDK me 1 mijë e 500 euro gjobë, Partia e Ashkalinjëve për Integrim me 1000 euro gjobë dhe Koalicioni VAKAT me 1, 500 euro gjobë”, u tha gjatë konferencës.
Komente
![](https://report-tv.al/template/img/antipiracynote.jpg)