Përpjekjet më të mëdha në literaturë, sot, kanë të bëjnë me karakterin e demokracisë në vendet e dala nga Kampi Socialist apo vetë demokracinë, në mënyrën sesi po zhvillohet në jetën politike të tyre. Zhgënjimi është aq i madh ngado në Lindjen ish-komuniste saqë kanë nisur sërish të ngjallen teoritë nostalgjike dhe mbi të gjitha një reflektim me nota patetike për kohën e shkuar.
Një studim i pak kohëve më parë, lidhur me nostalgjinë, e ngjyroste gati me të kuqe hartën e vendeve ardhur nga matanë Perdes së Hekurt. Shqipëria nuk bënte ndonjë përjashtim të madh. Pasojat i kemi para syve tanë. Një ekonomi, që nuk u përgjigjet aspiratave dhe sakrificave të qytetarit të thjeshtë, një kapitalizëm alla shqiptar, ku mungojnë rregullat e lojës dhe mbi të gjitha kaosi politik, ku partitë që duhet të drejtojnë dhe të ideojnë fatet e së ardhmes të vendit janë kthyer thjesht në zhurmues dhe prishësh të çdo gjëje idealiste që përfytyrojnë shqiptarët.
Një nga gjetjet më interesante të studimeve 20-vjeçare lidhur me demokratizimin ka të bëjë me një teori që shpjegon se ekziston një korrelacion shumë i fortë midis Produktit Kombëtar Bruto (GNP-PBB) për frymë dhe vitalitetit të demokracisë zgjedhore. “Numri magjik duket se shtrihet diku nga 4.500 deri në 5.500 dollarë. Analiza statistikore sugjeron se mbi 5.500 dollarë do të prisnim që një vend të ishte demokratik, nën 4.500 dollarë do të prisnim që të mos ishte. Në mes është një zonë gri ku vendet individuale shkojnë në të dyja anët.
Natyrisht, ka disa vende demokratike që janë më të varfra, por ende demokratike, si India apo Botsvana dhe disa vende demokratike që janë më të pasura, por ende autokratike, si Tunizia”, shkruhet në artikullin “Doubts about Democracy”, realizuar nga Eva Bellin. Referuar të dhënave të Bankës Botërore, Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) në Shqipëri ishte 18.26 miliardë dollarë amerikanë në vitin 2021, që si vlerë e PBB-së së Shqipërisë përfaqëson 0.01 për qind të ekonomisë botërore!!
I njëjti burim flet për GDP për frymë, që në vitin 2021 ishte 4831.87 nga 4410.46 (USD) e një viti më parë. Por, me 32% të mesatares evropiane Shqipëria mbetet e fundit në Evropë për të ardhurat për frymë për vitin 2021, sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Eurostat (ku të dhënat nuk përfshijnë Kosovën), referon “Monitor”. Përcaktim më i saktë nuk bëhet dhe kjo sjell pak a shumë edhe gjendjen tonë, paçka asaj që na sjell politika. Shqipëria e ka kaluar pak cakun dhe i takon llojit të vendit, që institucionet e demokracisë ia blatojnë konform të gjitha indikacioneve.
Dhe, vërtetë Shqipëria është përmirësuar për të dytin vit radhazi në Indeksin e Demokracisë, referuar prestigjiozes “The Economist”, duke u renditur në vendin e 68, nga ai i 71 që ishte vitin e mëparshëm, duke i lënë pas fqinjët, por duke pasur para Serbinë, e cila është në vendin e 63 (!!). Në 2021, vendi ynë është pjesë e grupit të dytë, kurse pak më parë renditej në grupin e tretë të vendeve me demokraci hibride, ku Grupi i parë është ai i demokracisë së plotë dhe i katërti: ai autoritar. A e përmban realitetin shqiptar këtë logjikë? Nëse komponenti ekonomik duket se i shkon më së miri gjendjes së vendit tonë, nuk mund të thuhet kështu për atë demokratik, ku Shqipëria dhe Serbia përjetojnë jetë politike me opozita të munguara dhe me qeveri gjithnjë e më shumë autokratike. Më së shumti, krizën politike shqiptare e shikon në konfigurimin e partive politike dhe mos rrotacionin e elitave.
Nëse për këtë të fundit do të duhej të argumentonim gjatë, sa i përket konfigurimit të partive duket se rasti shqiptar nuk vlen. Ne kemi kryetarë partish, që nuk dinë të ikin nga pushteti, si në rastin e komplikuar të Berishës (që në fakt kinse iku, por që kuptohet dhe po duket hapur se e drejtonte pas kuintave PD); rastin e çuditshëm Meta, që e shpreh gati hapur me gjeste, veprime dhe akte se partia e tij është gati biznes familjar; apo rasti Rama, ku zgjedhjet brenda partisë janë të fiksuara me ato që përcakton vetë ai. Pa elita nuk mund të ketë ndryshimin e duhur në politikë, pa rrotacione normale brenda partive nuk mund të ketë frymë dhe shpresë te anëtarët. “Angazhimi i elitës ndaj demokracisë është kritik. Kjo nuk do të thotë se vetë elita duhet të jetë e mbushur personalisht me një përkushtim ekzistencial ndaj vlerave demokratike.
Mund të kesh ‘demokraci pa demokratë’ për sa kohë që elita është e bindur se interesat e tyre do të shërbehen më së miri duke miratuar institucione demokratike për të menaxhuar konfliktin”, i referohemi autores Eva Bellin. Kaq e pamundur është kjo, saqë elitat tona politike nuk mund të menaxhojnë dot një konflikt brenda partisë më të madhe opozitare, duke e zgjatur pafundësisht pushtetin e një qeverie, si ajo e Ramës, e cila drejton jo pak herë me mungesë transparence dhe me një cinizëm, që e justifikon edhe prej sjelljes së ashpër të opozitës. Është për të ardhur keq se edhe në rastet kur kërkohet uniteti kombëtar apo një lloj solidariteti për çështje që lidhen me përditshmërinë e shqiptarëve, gjëra që kjo kohë po na i afron me shumicë, në Shqipëri nuk ndodhin.
Rasti i pandemisë dhe përballja me të ka qenë një nga çështjet më të turpshme që tregoi fytyrën e demokracisë shqiptare, kur njëherë i kërkohej pozitës të gjente vaksinat dhe pastaj kur ato u gjetën të përfoleshin. Apo në rastin e reformave, si ajo Territoriale, ku megjithë abstenimin e pakuptueshëm të opozitës, maxhoranca duhej të gjente gjuhën për një nga proceset më të vështira, që lidhet me shumë elementë nga zgjedhjet deri te përditshmëria. Duke shfrytëzuar sërish, një referim të studiueses së mësipërme, shkencëtari politik Dankwart Rustow (duke parafrazuar studiuesin konstitucionalist Ivor Jennings) dikur shprehej: “Populli nuk mund të vendosë derisa dikush të vendosë se kush është populli”.
Me pak fjalë, populli është duke vuajtur seriozisht një demokraci, që bëhet nga njerëzit aspak demokratë. Burim i kësaj demokracie janë institucionet e dobëta të pavarura, ku për hir të së vërtetës, pushteti i Ekzekutivit dikton me çdo lloj forme institucionet që duhet të bëjnë demokraci. Ndaj, mungojnë zgjedhjet e pakontestueshme dhe ndarja e pushteteve për të krijuar balancat e nevojshme, element që vetëm në momente të pakta kohore kanë vepruar në Shqipëri. “Përpara krijimit të këtyre shenjave dalluese të demokracisë, ju duhet të keni një shtet, dhe veçanërisht një shtet të së drejtës me institucione shtetërore efektive dhe të paanshme, si burokracia civile, forca policore dhe gjyqësori që mund t’u japin qytetarëve rend të drejtë dhe të parashikueshëm.
Demokracia nuk mund të lulëzojë në një kontekst kaosi”, shkruan autorja e mësipërme. Do të ishte e udhës që partitë të kuptojnë se përfitimi i tyre dhe ngushtimi i rrethit të demokracisë apo mosqarkullimi i elitave i ka bërë keq fillimisht partive dhe pastaj shqiptarëve, që tashmë kanë zgjedhur indiferencën dhe largimin, sepse ajo është rruga më e mirë dhe e afërt për interesin vetjak, atë që është burimi nga nis mirëqenia dhe logjika edhe për vetë demokracinë. Apo si e thoshte me cinizmin e tij simpatik Çurçill: “Argumenti më i mirë kundër demokracisë është një bisedë pesëminutëshe me votuesin mesatar”. (Homos Albanicus)
Jo thjesht ekzekutivi. Sepse ai eshte disfunksional si pushtetet e tjera. Eshte diktati ose kulti i individid. Karakteri diktatorial. Ku kryetari i partise, eshte edhe i qeverise, kuvendit dhe drejtesise. Madjj i cdo gjeje tjeter ne shoqeri, art, kulture, shkence, literature.
Përgjigju