TIRANË - Deputetja opozitare Orjola Pampuri sqaroi në ‘Studio Live’ përgatitjet e grupit të Lulzim Bashës, ‘Demokratët Euroatlantikë’ për zgjedhjet e 11 majit. Pampuri thotë për Arbër Hitajn se kanë nisur takimet në terren dhe së shpejti grupi i Bashës do ketë gati listën e parë të deputetëve.
'Kemi nisur takimet në terren. E kemi theksuar jemi ndër grupimet që kemi program, me çështje thelbësore. Kur të finalizojmë grupin e parë të deputetëve, do dalim në terren. Kjo është puna jonë që po bëjmë intensivisht në terren. Kemi bërë ftesën çdo partie që është në një linjë me demokratët euro atlantikë. Dhe sigurisht të qëndrojmë në linjën e SHBA. Kjo është qasja dhe parimi si kusht për të qenë aleat me çdo parti. jemi në negociata do e bëjmë publike.'
Pampuri përjashton një bashkim të mundshëm me Sali Berishën.
'Berisha ka një problem me SHBA dhe Britani, është një nga parimet tona. Nuk është në mbështetje të SPAK. janë çështje delikate që ti themi jo koalicionit me Berishën.'
Më tej tregon se ka bisedime me parti të tjera për koalicion.
'Kemi patur bisedime me parti të tjera. Bisedimet kanë dhe kushtet e tyre. Në momentin që të jemi në një linjë, të finalizojmë kushtet, do bëjmë publik emrat e këtyre partive. Kemi qenë, ata që propozuan lista të hapura, një zonë zgjedhore, votim dhe numërim elektronik dhe votën e diasporës. Këto ishin në shërbim të shqiptarëve. Gjë që e zhbën dy palët, grupi i Berishës dhe Ramës. Po bëjnë pakte që i shërbejnë të dyve. Bëjnë skena në parlament dhe jashtë, që janë fars. Ne kemi propozuar votën e diasporës.'
Për takimet në diasporë, thotë se emigrantët po i takojnë ata njerëz që nuk lëshojnë karrigen prej vitesh.
'Rama dhe të tjerët duhet të bëjnë transparent shpenzimet për këto takime. Po u kërkojnë votën emigrantëve kudo në botë. Të njëjtat figura që nuk e lëshojnë atë karrige thonë më jepni votën. Për çfarë të jepet vota?'
Pampuri dha dhe një koment për primaret e Berishës, ku në fund zgjidhen ato që do kryetari.
'Të gjitha zhvillimet në grupin tonë, takimet tona, kemi struktura në gjithë Shqipërinë, kjo është ajo që më intereson. Sa i përket primareve, pas çdo primareve dalin të njëjtët figura. E patë në zgjedhjet e 2021, për sa kohë flasim për primare dhe përzgjidhen ata që do kryetari nuk ka sens të flasësh për primare. Më vjen keq që njerëzit trajtohen si numra. Ka masivitet në diasporë, që duan të shikojnë një fije shprese. Zgjidhja nuk është duke mbajtur peng një opozitë.'
E vetmja mënyrë si mund të fitojë opozita thotë Pampuri është vetëm bashkimi i plotë i së djathtës.
'Pa u bashkuar e djathta nuk mund të maksimizohet vota. Një karrige iu ka verbuar sytë dhe flasin broçkulla. Demokratët duhet të bashkohen, por nuk mund të bashkohen me një parti që nuk njihet ndërkombëtarisht.'
Dera e demokratëve euroatlantikë është e hapur për këdo, që mbështet vlerat euro-atlantike.
'Për ne dera është e hapur për këdo. Ne, koalicioni jonë do dalë me lista të hapura. Kush e shikon veten të aftë dhe kush ka mundësi të punojë në terren është i lirë të vijë dhe të punojë në koalicion. Ne nuk jemi në Pazar.'
Ardhja e Trump është pritur mirë dhe në kampin e Bashës i cili ka qenë dhe në takim me administratën e re.
'Është pritur maksimalisht mirë. Pse të mos pritet te ne, kur është pritur te Berisha? Zgjedhja e Trump do japë impakt për gjithë Ballkanin Perëndimor. Po kalohen kriza që kanë nevojë për zgjidhje.'
Në takime është folur për fundin e pandëshkueshmërisë në Shqipëri.
'Nuk e kam rastisur që do hiqet apo jo non grata Berishës. Ne jemi ndarë më 9 shtator prej non gratës. Kemi një institucion të rëndësishëm si SPAK, këto janë parime që nuk i shkelim. Zoti Basha ka pasur ftesë për aktivitet ku ishte gjysma e administratës Trump. U fol për Shqipërinë, për pritshmëritë që kanë. Ata nuk flasin për emra individësh. Flasin për drejtësinë dhe fundin e pandëshkueshmërisë. SPAK është ngritur dhe mbështetur nga SHBA. Është një institucion që mbështetet nga 80% e shqiptarëve. Nëse shkrihet, bën dëmin më të madh. Pse të shkrihet ky institucion?'